Nëna sillet shumë ashpër me mua çfarë duhet të bëj?

Pyetja:

Unë jam gjashtëmbëdhjetëvjeçare dhe, lavdi All-llahut, i kryej obligimet dhe disa sunnete. Mirëpo, kam një nënë shumë nevrike. Ajo më thotë fjalë shumë të këqija dhe fjalë të fëlliqura. Normalisht ajo thotë se këto fjalë nuk i dalin nga zemra. Ajo më përzihet shumë në çështjet e mia dhe më ndalon t’i vizitoj motrat për hir të All-llahut. Ç’më këshilloni të bëj në këtë drejtim?

Përgjigjja:

Duhet të ketë durim, butësi, t’i lutet All-llahut që ta udhëzojë nënën e saj dhe që t’i japë sukses, si dhe t’i flasë me fjalë të këndshme, në mënyrë që All-llahu ta udhëzojë dhe ajo t’i ndërpresë këto fjalë. Nëse e ke babanë tënd, ai, gjithashtu, le ta këshillojë, si dhe vëllezërit më të mëdhenj. Le ta këshillojnë derisa ajo mos të të drejtohet me fjalë që të shqetësojnë. Atëherë, lavdia i qoftë All-llahut!

E sa i përket vizitës, këtu duhet të analizohet në imtësi: Nëse vizita e motrave të tua nuk sjell dëme, zbulim dhe veçim me burra të huaj, atëherë nuk ka pengesë, me kusht që të pajtohet nëna. Mos dil pa pajtimin e saj, ngase pajtimi i saj është obligim. Bindja dhe sjellja e mirë ndaj nënës janë shumë me rëndësi. Mos shko te motrat pa pajtimin e saj. Mos dil përderisa nuk pajtohet ajo. Megjithatë, e ke obligim të përdorësh fjalë të këndshme me nënë, shprehje të bukura dhe ta kërkosh pajtimin e saj me metoda sheriatike, duke kërkuar ndihmë nga babai yt dhe nga vëllezërit e ty, në mënyrë që të zbutet ndaj teje, mos të të shajë dhe mos të të shqetësojë me fjalë të poshtra. All-llahu e udhëzoftë!
E lusim All-llahun të na udhëzojë ne dhe atë.

All-llahu jua shpërbleftë me të mira. Një shprehje ma tërhoqi vëmendjen, o shejh i nderuar, e ajo është: “Nëna ime më përzihet në çështjet e mia!” A u përket fëmijëve ta thonë këtë fjalë për prindërit e tyre?!

Nuk u ka hije dhe nuk duhet të thonë kështu. Babai përzihet dhe nëna përzihet në çështjet që kanë të bëjnë me përmirësimin e djalit dhe vajzës. Ata e kanë obligim t’i edukojnë fëmijët e tyre me edukatë sheriatike. Prandaj, babai përzihet dhe nëna përzihet në gjërat që i përmirësojnë fëmijët dhe u bëjnë dobi në Fe dhe në Dunja.

Kurse, gjërat që i ndalojnë nga e mira dhe e dekurajojnë nga pasimi i të vërtetës, aty prindërit nuk duhet të përzihen. Bindja ndaj njerëzve bëhet vetëm në gjëra të mira. Nëse babai ose nëna të thonë të bësh shirk, ta tradhtosh besueshmërinë, të mashtrosh në raporte me njerëzit, aty nuk duhet t’u bindesh atyre, ngase këto janë mëkate. I Dërguari, sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem, ka thënë:

“Bindja (ndaj krijesave) bëhet vetëm në gjëra të mira.”

“Nuk ka bindje ndaj krijesës në mëkat ndaj Krijuesit.”

Njashtu nëse ata i thonë të mos falet me xhemat, ose të mos sillesh mirë me vëllezërit e tu, të mos i vizitosh dhe të shkëputesh prej tyre në mënyrën që ta ka ndaluar All-llahu, ose të thonë të punosh me kamatë, të bësh tregti me pije dehëse, ose narkotike… në këto gjëra nuk duhet t’u bindesh atyre.

All-llahu jua shpërbleftë me të mira! Pra, prindërit kanë të drejtë të përzihen në çështjet e fëmijëve të tyre?
Po. Përzierja me të cilën përfitohen gjërat e duhura, por pa armiqësi dhe padrejtësi. Me këshillë, me konsultim dhe ndalim i gjërave të dëmshme.

All-llahu jua shpërbleftë me të mira!

Shejh Ibën Baz, All-llahu e mëshiroftë!

You may also like...