Mes’hi mbi fasho gjatë abdesit

Mes’hi mbi fasho gjatë abdesit
Të katër medhhebet e lejojnë mes’hin mbi fashon e plagës apo mbi allçirin në gjymtyrën e thyer gjatë abdesit.
Nga argumentet e tyre janë:
Veprimi i Ibn Umerit, i cili mori një herë abdes dhe i dha mes’h mbi fashon në dorën e thyer.
(Përcjell Bejhakiu dhe e saktëson).
Ka thënë Ibn El Mundhir: Shumica e dijetarëve e lejojnë mes’hin mbi fasho…dhe kjo çështje është pothuajse me konsensus të plotë të dijetarëve.
Kujdes: Nuk i jepet mes’h pjesës së fashos që është jashtë nevojës për tu fashuar plaga apo për të qëndruar e lidhur. Nëse është e tepërt, pra është fashuar më shumë se ç’është nevoja, atëherë hiqet kjo pjesë e tepërt dhe lahet me ujë, por nëse nuk mundet ta heqë, atëherë i jep mes’h mbi të.
Mënyra se si bëhet mes’hi mbi fasho:
Lahen të gjitha gjymtyrët e shëndetshme, pra të padëmtuara, ndërsa plaga apo thyerja e fashur i jepet mes’h të tërës.
Çështje:
Gjymtyra e plagosur ka dy gjendje:
1. Të jetë e mbuluar dhe në këtë rast mjafton mes’hi mbi të.
2. Të jetë e zbuluar dhe kjo ka tre nëngjendje:
a. Nuk e dëmton larja dhe në këtë rast është obligim që të lahet, nëse është nga gjymtyrët e abdesit.
b. E dëmton larja dhe në këtë rast i jep mes’h.
c. E dëmton larja dhe mes’hi, e në këtë rast merr tejemum për pjesën e plagosur.
Çështje:
Ndryshimet ndërmjet mes’hit mbi çorape dhe mes’hit mbi plagën e fashuar:
1. Mes’hi mbi plagën e fashuar është detyrë, kurse mes’hi mbi çorape është lehtësi.
2. Mes’hi mbi plagën e fashur nuk është i kufizuar me kohë, por veprohet për aq kohë sa nuk mund të lahet gjymtyra e dëmtuar, ndërsa mes’hi mbi çorape është i kufizuar në kohë.
3. Mes’hi mbi plagën e fashuar veprohet për të dyja llojet e pastrimit: gusli dhe abdesi, ndërsa mes’hi mbi çorape veprohet vetëm me abdesin.
4. Plagës së fashuar i jepet të tërës mes’h, ndërsa çorapit i jepet mes’h vetëm mbi pjesën e sipërme të këmbës.
5. Për mes’hin mbi plagën e fashuar nuk është kusht që fashoja të jetë vendosur me abdes, ndërsa për mes’hin mbi çorape është kusht që ato të jenë veshur fillimisht me abdes.
6. Mes’hi mbi çorape është i kufizuar vetëm me këmbët, ndërsa mes’hi mbi plagën e fashuar veprohet në çdo gjymtyrë të dëmtuar të abdesit.

You may also like...