Kosto që ka dashuria për hir të Allahut

Pyetësi: Ai që e don dikë për hir të All-llahut, a e ka për detyrë që t’ia thotë atij që e don për hir të All-llahut?

Shejhu: Po! Mirëpo, dashuria për hir të All-llahut ka kosto të lartë dhe janë të pakët ata që e paguajnë këtë kosto. A e dini cila është kostoja e dashurisë për hir të All-llahut? A e din ndonjëri prej jush koston? Kush e din të na përgjigjet…

Njëri nga të pranishmit: Thotë Pejgamberi (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem): “Shtatë grupe njerëzish do të jenë nën hijen e All-llahut, Ditën kur nuk ka hije përveç hijes së Tij; prej tyre janë dy burra që janë dashur për hir të All-llahut, janë bashkuar dhe ndarë mbi këtë dashuri”.

Shejhu: Në esencë, kjo është një përgjigje e saktë, mirëpo nuk është përgjigja e pyetjes që bëra. Përafërsisht, ky është një përkufizim i dashurisë për hir të All-llahut, por, nuk është përkufizim i plotë. Pyetja ime është rreth kostos që duhet t’ia paguajnë njëri-tjetrit dy persona që duhen për hir të All-llahut. Nuk kam për qëllim shpërblimin në Ahiret, por nga pyetja kam për qëllim, se cili është fakti (me anë të veprave) i dashurisë për hir të All-llahut mes dy personave? Ndoshta dy persona e duan njëri-tjetrin, mirëpo dashuria e tyre është formale. Cila është dashuria reale dhe cili është fakti që tregon se kjo dashuri është reale?

Një nga të pranishmit: “Të duash për vëllaun, atë që e don për veten tënde”.

Shejhu: Kjo është cilësi e dashurisë, apo një nga cilësitë e dashurisë…

Një nga të pranishmit: Thotë All-llahu i Lartësuar: “Thuaj: Nëse ju e doni All-llahun, atëherë më ndiqni mua, që All-llahu do t’ju dojë”. Aal Imran: 31

Shejhu: Kjo është përgjigje e saktë, por për një pyetje tjetër…

Një nga të pranishmit: Përgjigja mund të jetë tek hadithi i saktë: “Tre cilësi nëse gjinden tek një njeri, atëherë ai ka gjetur ëmbëlsirën e imanit” prej tyre janë ata që duhen për hir të All-llahut.

Shejhu: Ky është ndikimi që ka dashuria për hir të All-llahut. Cili është ai ndikim? Ai ndikim është ndjenja e ëmbëlsirës së imanit në zemër.

Një nga të pranishmit: Thotë All-llahu i Lartësuar: “Për kohën! Me të vërtetë, njeriu është në humbje, përveç atyre që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, i këshillojnë njëri-tjetrit të vërtetën e i këshillojnë njëri-tjetrit durimin”. El Asr: 1-3

Shejhu: Të lumtë! Kjo është përgjigja. Komentimi i kësaj është se nqs unë realisht të dua për hir të All-llahut, unë do të vazhdoja në këshillimin tënd, ndërsa ti do të ma ktheje me të njëjtën gjë. Për këtë, vazhdueshmëria në këshillim, është shumë e pakët në mesin e atyre që pretendojnë dashurinë për hir të All-llahut. Kjo dashuri mund të përmbajë sinqeritet, mirëpo nuk është e plotë. Kjo ndodh sepse secili prej nesh i matet tjetrit, frikësohet mos i ngel hatri, mos largohet… etj. Nga kjo kuptojmë se dashuria për hir të All-llahut, ka për kosto që secili të jetë i sinqertë ndaj tjetrit përmes këshillës; e urdhëron për mirë, e ndalon nga e keqja gjithmonë dhe në çdo rast. Me anë të këshillimit që ti i bën, i je ngjeshur më shumë sesa vetë hija që ai ka. Është vërtetuar se prej veprave të sahabëve kur ata ndaheshin nga njëri-tjetri, njëri prej tyre i lexonte tjetrit: “Për kohën! Me të vërtetë, njeriu është në humbje, përveç atyre që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, i këshillojnë njëri-tjetrit të vërtetën e i këshillojnë njëri-tjetrit durimin”. El Asr: 1-3

Nga libri: el Haui min fetaua el Albani fq. 165-166

You may also like...