A shpërblehet ai që e lexon Kuranin edhe nëse nuk e kupton atë?

Pergjigje: Kurani fisnik është i begatë siç thotë Allahu i Madhëruar: “(Ky është) Libër i begatshëm, Ne ta shpallëm ty që t’i studiojnë argumentet e tij dhe që të marrin mësim prej tij ata që kanë mend.”

Njeriu shpërblehet kur e lexon, sidoqoftë e kuptoi apo jo atë (Kuranin). Por nuk është e udhës që njeriu të lexojë Kuranin për të cilin është urdhëruar të punojë me të pa e ditur kuptimin e tij. Kur një njeri mëson mjeksinë dhe studion librat e kësaj fushe ai nuk mund të përfitojë prej tyre pa e ditur kuptimin dhe pa ia shpjeguar dikush. Për këtë arsye ai kujdeset që ti kuptojë ato e ti hedhë në praktikë, përderisa kjo funksionon për njohuri të tjera atëherë si qëndron çështja e librit të Allahut që është shërimi i kraharorëve dhe këshillë për njerëzit, si mundet që një njeri ta lexojë pa medituar e pa i ditur kuptimin?? Për këtë arsye shokët e Profetit alejhi selam nuk i kalonin dhjetë ajete derisa i mësonin dijen dhe punën bashkë, pra mësonin Kuranin, dijen dhe punën së bashku.

Njeriu shpërblehet për leximin e Kuranit, sidoqoftë e kuptoi apo jo atë por duhet të tregoj kujdes në kuptimin e ajeteve dhe këtë kuptim ta përfitojë nga dijetarët e sigurtë në dijen dhe amanetin e tyre. Nëse nuk gjen një dijetar që ti shpjegojë kuptimin e tij, atëherë le tu kthehet librave të sigurtë të tefsirit si psh Tefsirin e ibn Xherirt (Taberiut) Tefsirin e ibn Kethirit e shumë libra të tjerë që sjellin komente autentike nga Sahabët dhe Tabiinët.

Fetaua Nur Ala Derb kaseta nr 85 pjesa e parë.

Përktheu Fatjon Isufi

You may also like...