A shërbejnë si kriter vlerësimi, në Islam, bukuria dhe ngjyra e njeriut?

A shërbejnë si kriter vlerësimi, në Islam, bukuria dhe ngjyra e njeriut për t’i dhënë përparësi dikujt, qoftë ky dallim edhe mes fëmijëve?

Përgjigje: Falenderimi i takon Allahut, Atë e falenderon çdo gjë që gjendet në qiej e në tokë, kurse paqja dhe mëshira e tij qofshin mbi Muhamedin, vulën e profetëve..

Bukuria në Islam nuk konsiderohet masë dhe kriter për përparësi në mesin e njerëzve. I vetmi kriter bazë, i cili bën dallimin mes njerëzve është devotshmëria. Allahu i Lartësuar thotë: “O njerëz! Në të vërtetë, Ne ju krijuam ju prej një mashkulli dhe një femre dhe ju bëmë popuj e fise, për ta njohur njëri-tjetrin. Më i nderuari prej jush tek Allahu është ai që i frikësohet më shumë Atij. Vërtet, Allahu është i Gjithdijshëm dhe për atë asgjë nuk është e fshehtë.” (Huxhurat: 13)

Transmetohet nga Ebu Hurejra se i Dërguari i Allahut, alejhi selam, ka thënë: “Me të vërtetë, Allahu nuk shikon në pamjen dhe në pasurinë tuaj, por Ai shikon në zemrat dhe në veprat tuaja.” (Muslimi)

Për sa u përket raporteve të prindit me fëmijët e tij, është e detyruar mbajtja e një raporti të drejtë mes tyre, edhe në rastin kur njëri nga fëmijët i bën më shumë të mira prindit të tij, sesa të tjerët. Dhe përderisa nuk bëhen veçime në këtë rast, as nuk mund të mendohet të bëhen veçime mes fëmijëve për shkak të bukurisë së tyre. Të bërit dallime mes fëmijëve vetëm se e shton zilinë dhe urrejtjen ndërmjet tyre. Transmetohet nga Nu’man ibn Beshir (radijAllahu anhu) se profeti, alejhi selam, ka thënë: “Kijeni frikë Allahun dhe bëhuni të drejtë ndaj fëmjëve tuaj.” (Buhariu, Muslimi)

Fetvatë – Muhamed Salih el Munexhid

You may also like...