A lejohet mbyllja e syve gjatë namazit?

A lejohet mbyllja e syve gjatë namazit?

Përgjigjja: Profeti alejhi selam gjatë namazit i mbante sytë hapur dhe shihte te vendi i sexhdes siç ka ardhur në disa hadithe:

“Profeti kur falej e ngrente shikimin nga qielli dhe i zbriti fjala e Allahut “Kanë shpëtuar besimtarët * Ata të cilët në namazin e tyre janë të përulur” (suretu El-Muminun 1-2) atëherë ai e uli poshtë kokën” e transmeton Hakimi dhe e saktëson sheikh Albani.
“Profeti -alejhi selam- kur ka hyrë në Qabe shikimi i tij nuk e ka kaluar vendin e sexhdes derisa sa ka dalë prej saj” e transmeton Hakimi dhe e saktëson sheikh Albani.

Faktin që profeti -alejhi selam- nuk i ka pas mbyllur sytë e tregon edhe hadithi I Aishes -radiallahu anha- se: “Profeti -alejhi selam- është falur në një në një rrobe me ngjyra dhe kur mbaroi namazin tha: çojani këtë rrobe Ebu Xhehmit dhe më sillni rrobën e tij pa ngjyra sepse ajo më ka larguar përqendrimin në namaz” E transmeton Buhariu dhe Muslimi.
Pra, fakti se ngjyrat e rrobës e kanë shpërqendruar profetin -alejhi selam- në namaz do të thotë se ai nuk i mbyllte sytë.

Disa dijetarë e kanë lejuar mbylljen e syve në rast se është më e mirë për të falur namaz me përkushtim sepse përkushtimi është i kërkuar në namaz, mirëpo njeriu duhet ta mësojë vetën të bëjë ashtu siç ka bërë profeti -alejhi selam-.

Dr Abdullah Nabolli

You may also like...