A falet namazi vetëm me pantallona pa veshur bluze?

Pyetje: Disa njerëz gjatë stinës së verës dhe të nxehtit të madh, falen duke qenë të veshur vetëm me pantallona, ndërkohë që pjesa e sipërme e trupit të tyre është e zhveshur. A ndikon kjo në vlefshmërinë e namazit të tyre, dhe nëse po, atëherë a duhet t’i përsërisin namazet e falura në atë mënyrë?

Përgjigje: Pa dyshim se prej kushteve të namazit është mbulimi i auretit, për shkak të fjalës së të Lartësuarit: “O bijtë e Ademit, vishuni bukur (me petkun më të mirë) kudo dhe kurdo që të faleni!” (El-A’raf, 31).

Të gjithë dijetarët janë të një mendjeje se, namazi i atij që falet zhveshur, dhe i cili ka mundësi ta mbulojë auretin, është i pavlefshëm. Po ashtu, prej kushteve të petkut i cili e mbulon auretin është që ai të jetë i dendur dhe jo i hollë. E, nëse është i hollë deri në atë masë saqë duket ngjyra e lëkurës prapa tij, atëherë ai nuk konsiderohet si mbulues i auretit. Duke u mbështetur në këtë themi se, myslimani gjatë ditëve të nxehta duhet të ketë kujdes nga rrobat e holla, prapa të cilave duket ngjyra e lëkurës.

Aureti i mashkullit është pjesa midis kërthizës dhe gjurit, andaj, ai patjetër duhet ta mbulojë tërë këtë hapësirë me petk të dendur, prapa të cilit nuk duket ngjyra e lëkurës. Kështu, namazi i falur vetëm me pantallona, pa pasur këmishë apo diçka tjetër që e mbulojnë pjesën e sipërme të trupit, është i saktë, përderisa është e mbuluar pjesa midis kërthizës dhe gjurit. Mirëpo, është më mirë dhe më primare që njeriu të vishet me petkun më të bukur, apo që ta mbulojë tërë trupin e tij. Për këtë arsye, Profeti (alejhis-salatu ues-selam) tha: “Assesi të mos falet ndonjëri nga ju (i veshur) me një rrobë të vetme, pa mbuluar krahët e tij me një pjesë të saj.” Pra, kjo është më e mirë dhe më plotë. Mirëpo, nëse falet me izar i cili ia mbulon pjesën midis kërthizës dhe gjurit, kjo është e mjaftueshme, për shkak të hadithit: “Nëse rroba është e gjerë, atëherë pështille tërë trupin me të, e nëse është e ngushtë, atëherë, mbuloje pjesën e poshtme të trupit.”

Shejh Muhamed bin Salih El-Uthejmin (Allahu e mëshiroftë)

You may also like...