A është fall parashikimi i motit?

Parashikimi i kohës a përfshihet tek çështjet e fallit apo tek pretendimi i njohjes së të fshehtës (gajbit)?

Shejh Ibn Uthejmini (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: “Gjërat që arrihen me anë të përllogaritjeve nuk hyjnë tek gjërat e fallit, siç mund të jetë lajmi se do të ndodhë zënia e diellit apo e hënës (eklipsi); kjo nuk ka të bëj fare me fallin. Apo siç mund të jetë edhe lajmi se dielli në filan ditë do të perëndojë në filan orë. Këto gjëra nuk kanë të bëjnë me dijen e fshehtë sepse janë gjëra që arrihen me anë të përllogaritjeve dhe se lajmërimi për gjëra të tilla edhe pse flitet për të ardhmen nuk kanë të bëjnë me dijen e fshehtë apo fallin.

Tani, a është prej fallit ajo që ndodh kur parashikojnë motin për 24 oret e ardhshme apo gjëra të ngjashme?

Përgjigja është që jo, sepse edhe kjo është e bazuar në gjëra të prekshme që është gjendja e kohës. Koha merr trajta të ndryshme që mësohet me anë të matësve shumë preçize që ata posedojnë dhe kështu është koha e përshtatshme që të bie shi, apo e kundërta. Dhe krahas kësaj është edhe ajo që e di çdo person se kur shikon retë që të mblidhen dhe ka bubullima e shkreptina dhe retë bëhen të dendura ne themi: Pritet që të bie shi.

Ajo që është me rëndësi të dihet është: Cdo gjë që e ka bazën në diçka të prekshme apo të ndjeshme, nuk ka lidhje me dijen e fshehtë, edhe nëse disa prej njerëzve të thjeshtë mendojnë se kjo është prej dijes së fshehtë. Dhe thonë: Ai i cili i beson këta ai ka besuar në fall (që nuk është e vërtetë)!

[Marrë nga libri: Kaulul Mufid sherh Kitab Teuhid].

Përktheu Ylli Rama

You may also like...