A është e ndaluar të mendosh rreth kryerjes së aktit të imoralitetit?

A është e ndaluar të mendosh rreth kryerjes së aktit të imoralitetit?

Përgjigje: Falenderimi i takon vetëm Allahut, Sunduesit të Ditës së Gjykimit, kurse paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të Dërguarin e Tij, alejhi selam.

Allahu i Lartësuar u ka ndaluar njerëzve çdo gjë, e cila është e keqe si në këtë botë ashtu edhe në botën tjetër. Sa i përket të menduarit në kryerjen e imoralitetit, personi nuk do të dënohet derisa ta kryejë atë akt apo derisa të flasë për të. I Dërguari i Allahut, alejhi selam, ka thënë: “Allahu ia ka falur umetit tim atë që i vjen njeriut në mendime, derisa ai ta bëjë atë apo derisa të flasë për të.”

Mirëpo, të menduarit e shpeshtë për diçka mund ta çojë njeriun deri tek ajo vepër, ose e bën të angazhohet me të e mos të merret me gjëra të dobishme. Ibn Kajim (Allahu e mëshiroftë!) – mjeku i gjendjes së zemrave – ka thënë: “Largoje atë të keqe që të vjen nëpër mend, sepse nëse nuk e bën, ajo do të kthehet në mendim; atëherë largoje atë mendim, sepse nëse nuk e bën, ajo do të të kthehet një dëshirë; atëherë luftoje atë, sepse nëse nuk e bën, ajo do të të shndërrohet në një qëllim dhe pasion. Lufto kundër epshit tënd, sepse nëse nuk e bën këtë, ai do të kthehet në veprim; nëse nuk i kundërvihesh me një veprim të kundërt, pra vepër të mirë, atëherë ajo do të të bëhet zakon dhe do ta kesh të vështirë të largohesh prej saj.” (Ibn Kajim el Xheuzije; El-Feuaid, fq.33)

Kurse sa i përket mënyrës së pendimit: ndaloje menjëherë mëkatin, pendohu për atë që ke bërë, vendos se nuk do të kthehesh më kurrë në mëkatin e njëjtë dhe kryej shpesh vepra të mira, sepse e të vërtetë që veprat e mira i fshijnë të këqijat.

Fetvatë – Muhamed Salih el Munexhid

You may also like...