4 urtesitë e dhënies se mestit

Pyetje: Cila është urtësia e mes’hut mbi meste?

Përgjigje: Urtësia e mes’hut mbi meste qëndron tek fakti se ky mes’h e zëvendëson larjen e këmbëve. Kjo sepse është detyrë mbi njeriun që gjatë abdesit t’i pastrojë katër gjymtyrë: fytyrën, dy duart, kokën dhe dy këmbët. Andaj, prej mëshirës së Allahut ndaj robërve të Tij është që kur njeriu t’i ketë të veshura çorapet apo mestet, ai nuk ngarkohet t’i heq ato e t’i lajë këmbët, ngaqë në heqjen dhe mbathjen e tyre të sërishme ka vështirësi.
Gjithashtu, sepse këmba do të jetë e lagësht nga uji dhe si pasojë do të laget edhe çorapja apo mesteja, dhe kështu do të shtohet shqetësimi/dëmtimi prej kësaj lagështie. Andaj, Allahu i Patëmetë e i Lartësuar, prej mëshirës së Tij, ua përligji robërve që në vend se t’i lajnë këmbët, t’u japin mes’h mesteve apo çorapeve, mirëpo gjatë një kohe të caktuar: një ditë e një natë për vendasin dhe tri ditë e tri net për udhëtarin. Kjo periudhë kohore fillon nga hera e parë e mes’hut, ndërsa koha para kësaj nuk llogaritet. Për shembull, nëse një njeri i ka mbathur çorapet për namazin e sabahut dhe e ka mbajtur abdesin deri në namazin e akshamit, pastaj e ka prishur abdesin dhe u ka dhënë mes’h çorapeve për namazin e akshamit, atëherë, koha para namazit të akshamit nuk llogaritet. Andaj, ai mundet t’u jap mes’h çorapeve deri në akshamin e së nesërmes, nëse është vendas dhe, deri në tri ditë, nëse është udhëtar.
Në këtë rast, duhet të dimë se për mes’hun mbi meste, patjetër duhet të plotësohen disa kushte:

1 Të mbathen në gjendje abdesi.

2 Të jenë të pastra. Dëshmi për këtë është fjala e Profetit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) drejtuar Mugire bin Shu’bes, kur ky i fundit deshi t’ia zbathte mestet: “Lëri, sepse i kam futur në gjendje abdesi!”

3 Që mes’hu mbi to të jetë pas papastërtisë së vogël dhe jo pas asaj të madhes (xhunubllëkut). E, nëse njeriu është xhunub, atëherë ai e ka për detyrë t’i heq çorapet apo mestet dhe t’i lajë këmbët. Dëshmi për këtë është hadithi i Safuan bin ‘Asal (radijAllahu anhu) i cili thotë: “I Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) na ka urdhëruar që kur të jemi në udhëtim, të mos i zbathim mestet tona për shkak të urinës, jashtëqitjes apo gjumit tri ditë e tri net, përveç nëse ndodh xhunubllëku.”

4 Që mes’hu të jetë brenda kohës së caktuar nga Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem), pra: një ditë e një natë për vendasin dhe tri ditë e tri net për udhëtarin. Kështu, nëse njeriu u jep mes’h pas përfundimit të kohës së caktuar, atëherë, abdesi i tij nuk është i saktë, dhe ai duhet të marrë edhe njëherë abdes të tërësishëm, ku përfshihet edhe larja e këmbëve. Këto janë kushtet për të cilat ka aluduar suneti i të Dërguarit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem).

Muhamed bin Salih El-Uthejmin (Allahu e mëshiroftë)

You may also like...