Nje nga kushtet qe te pranohet namazi.

ebu derda

Kushtet e namazit

Kushtet e namazit janë ato gjëra nga të cilat varet vlefshmëria e tij. Namazi ka kushte mbi të cilat ngrihet, e nëse mungon një ose më shumë prej tyre, ai nuk vlen. Këto kushte janë:

1- Hyrja e kohës së namazit.

 

Allahu i Madhëruar thotë: “Falja e namazit është detyrë në kohën e caktuar për besimtarët.”, d.m.th. është detyrë të kryhet në kohën që Allahu ia ka caktuar. Të gjithë muslimanët janë dakord njëzëri se pesë namazet ditore kanë kohët e veta të veçanta e të caktuara dhe falja e tyre jashtë këtyre kohëve është e pavlefshme. Umer ibn Hattab, prijësi i besimtarëve ka thënë: “Namazi ka një kohë që Allahu ia ka caktuar si kusht, e pa të, namazi nuk vlen.”

 

Namazi bëhet detyrim me hyrjen e kohës së tij. Allahu i Madhëruar thotë: “Fale namazin me animin e diellit…”[1]

 

Dijetarët pohojnë njëzëri se falja e namazit në fillim të kohës së vet, është optimalja, sepse edhe Kurani famëlartë përmend: “Paraprini të mirat”[2], “Nxitoni për te falja nga Zoti juaj”[3] dhe “Të parët, ata parakaluesit. Ata janë të afruarit (tek Allahu).”[4].

 

Në dy “Sahihët” përcillet se kur Profeti (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) u pyet: “Cila punë është më e dashur tek Allahu?”, u përgjigj: “Namazi në kohën e vet.”[5]

 

Gjithashtu Allahu i Madhëruar thotë: “Ruajini me kujdes faljet (namazet).”[6] dhe falja e tyre në kohën e vet është parësore për kujdesin ndaj tyre.

 

Namazet e detyrueshme janë pesë në një ditënatë dhe çdonjëri prej tyre ka kohën e vet të caktuar që ia ka zgjedhur Allahu në përshtatshmëri me rrethanat e njerëzve, që të mos i pengojë në punët e përditshme, por përkundrazi, t’i ndihmojë ata e t’u falë gjynahet, sikurse Profeti (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) e ka shëmbëllyer faljen me lumin, në të cilin po të lahesh pesë herë në ditë, nuk të mbetet më asnjë papastërti.[7]

 

Këto kohë janë:

 

§  Namazi i drekës (yleja)

 

Fillon me ngritjen e diellit në kupë të qiellit (zeniti), duke u anuar paksa nga perëndimi. Kjo dallohet duke parë hijen që lënë objektet. Nëse hija është zhdukur nga perëndimi dhe ka filluar nga lindja, atëherë kjo është koha e drekës, e cila përfundon me zgjatimin e hijes sa gjatësia e vetë objektit që lëshon hijen. Profeti (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) thotë: “Koha e (faljes së) drekës është me ngritjen e diellit në kupë të qiellit, derisa hija e njeriut të jetë sa gjatësia e tij.”[8]

 

Është e pëlqyeshme që falja e drekës të kryhet në fillim të kohës së saj, me përjashtim të rasteve kur është shumë vapë. Atëherë shtyhet falja derisa vapa të bjerë pak, sepse Profeti (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) thotë: “Nëse vapa shtohet, shtyjeni pak namazin sa të freskojë. Vapa e madhe është nga valët e Xhehenemit.”[9]

 

§  Namazi i zamrës (ikindija)

 

Fillon me mbarimin e kohës së drekës, d.m.th. kur hija e një objekti bëhet sa gjatësia e tij. Mendimi më i saktë është se përfundon kur dielli ka filluar të zbehet (zverdhet). Pëlqehet që të falet sa më shpejt, d.m.th. në fillim të kohës së vet. Ai është namazi i mesit, të cilin Allahu e ka përmendur duke thënë: “Ruajini me kujdes namazet e (sidomos) namazin e mesit.”[10]

 

Në hadithet autentike vërtetohet se namazi i mesit është ai i zamrës (ikindisë).

 

§  Namazi i mbrëmjes (akshami)

 

Fillon me perëndimin e diellit, d.m.th. me zhdukjen e diskut diellor nga horizonti, duke mos u parë as në ndonjë fushë, as nga ndonjë mal. Perëndimi i diellit dallohet gjithashtu me ardhjen e errësirës së natës nga lindja. Profeti (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) thotë: “Nëse nata vjen nga këtej (nga lindja) dhe dita shkon andej (nga perëndimi), atëherë i ka ardhur koha agjëruesit të çelë iftarin.”

 

Është e pëlqyeshme që mbrëmja të falet sa më parë në kohë, sepse përcillet që Profeti ynë (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) e falte namazin e mbrëmjes kur dielli perëndonte e zhdukej nga sytë.[11]    

 

Tirmidhiu në përcjelljen e këtij hadithi, komenton: “Ky është mendimi i shumicës së dijetarëve nga sahabët dhe ndjekësit e tyre më pas.”

 

§  Namazi i darkës (jacia)

 

Fillon me mbarimin e kohës së mbrëmjes e zgjat deri para agimit të diellit. Koha e darkës ndahet në dy pjesë: a) kohë ku falja ka hapësirë për ta vonuar dhe b) kohë ku falja detyrimisht duhet kryer. 

 

Koha e parë është nga caku fillestar i darkës, deri në një të tretën e parë të natës, ndërsa koha e dytë është nga caku i së parës, deri para agimit të diellit.

 

Pëlqehet që ky namaz të kryhet në fund të kohës së parë, d.m.th. diku rreth përfundimit të një të tretës së parë të natës, nëse është e mundur. Nëse kjo përbën vështirësi për falësin, më e mira është të kryhet në fillim të kohës së vet të parë.

 

Gjumi para këtij namazi është i papëlqyer, për shkak se njeriun mund të mos zgjohet deri në përfundimin e kohës së tij. Pas faljes së këtij namazi, ndalohen bashkëbisedimet, sepse kjo të pengon të flesh në kohë e të zgjohesh herët. Prandaj duhet të flesh menjëherë pas namazit të jacisë që të ngrihesh në fundin e natës për ta falur namazin e agimit (sabahut) në kohë e me gjallëri, jo i përgjumur. Profeti (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) e urrente fjetjen para darkës dhe bisedat pas saj.[12]

 

§  Namazi i agimit (sabahu)

 

Fillon me agimin e ndërmjetëm e zgjat deri në lindjen e diellit. Është e pëlqyeshme të falet në kohën fillestare.

 

Këto janë kohët e pesë namazeve të detyrueshme nga Allahu, prandaj duhet t’u përmbahemi këtyre kufijve, duke mos i falur namazet para kohe e duke mos i shtyrë jashtë kohës së tyre.

 

Allahu i Madhëruar thotë: “Mjerë për ata që falen, e ndaj faljes së tyre janë neglizhentë.”[13] d.m.th. që i vonojnë namazet nga koha e vet. Në një ajet tjetër Ai thotë: “Erdhi pas tyre një brez tjetër i cili e humbi (respektin për) faljen dhe ndoqi epshet. Ata do të gjejnë mjerimin, përveç atij që pendohet …”[14] Kuptimi i thënies “e humbi (respektin për) faljen” është që e shtynin namazin jashtë kohës së tij.

 

Kush harron ose e mund gjumi, duhet ta kryejë faljen menjëherë pasi të përmendet, sepse Profeti (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) thotë: “Kush e harron faljen apo e zë gjumi pa e falur, le ta falë kur ta kujtojë. Nuk ka kompensim tjetër për të.” Prandaj namazi i humbur duhet kryer menjëherë, pa pritur derisa të vijë koha e tij të nesërmen për ta kompensuar, siç mendojnë disa njerëz.

 

 


[1] Isra’, 78.

[2] Bekare, 148.

[3] Ali Imran, 133

[4] Uakiah, 10-11

[5] Buhariu, Muslimi.

[6] Mutefekun alejhi.

[7] Mutefekun alejhi.

[8] Muslimi.

[9] Mutefekun alejhi.

[10] Bekare, 238.

[11] Buhariu.

[12] Mutefekun alejhi.

[13] Ma’un, 4,5.

[14] Merjem, 59,60.

Përmbledhje e Fikhut
Pjesa e Parë
Fikhu i adhurimeve
Autor: Dr. Salih Ibn Feuzan Ibn Abdilah El Feuzan