Sunetet e namazit të Ylesë

Gjykimi i tyre

Sunetet para farzit të ylesë janë pjesë e suneteve të pëlqyeshme dhe nuk ka ndonjë argument që të tregojë për obligimin e tyre.

Rregullat dhe mirësia e tyre

Këto sunete mund të falen: katër rekate para ylesë dhe katër pas saj, katër rekate para farzit dhe dy pas tij, ose dy rekate para farzit dhe dy pas tij. Çdo mënyrë që vepron muslimani me nijetin e suneteve të ylesë, konsiderohet e saktë dhe ai quhet veprues i tyre.

Argumentet që tregojnë për ligjshmërinë e këtyre llojeve janë si më poshtë:

– Nga Umu Habibe (radijallahu anha) përcillet se e ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut (salallahu alejhi ue selem) të thotë: “Atij që i fal katër rekate para ylesë dhe katër pas saj, ia ka ndaluar Allahu zjarrin.”[1]

Hadithi tregon për pëlqyeshmërinë e faljes së katër rekateve para ylesë, katër pas saj dhe ruajtjen e tyre.

– Nga Abdullah bin Shekiku përcillet se e ka pyetur Aishen (radijallahu anha) rreth namazit nafile të të Dërguarit të Allahut (salallahu alejhi ue selem) dhe ajo i ka thënë: “Falte në shtëpinë time para ylesë katër rekate, pastaj dilte dhe falej me njerëzit (farzin), e më pas kthehej në shtëpi dhe falte dy rekate. E falte akshamin me njerëzit, pastaj hynte në shtëpi dhe falte dy rekate, e falte jacinë me njerëzit, pastaj hynte në shtëpinë time dhe falte dy rekate. Falte natën nëntë rekate ndër të cilat ishte dhe vitri. Ndonjëherë falej natën duke qëndruar gjatë në këmbë dhe netë të tjera falej duke qëndruar gjatë ulur. Kur këndonte Kuran në këmbë, e bënte sexhden dhe rukunë në këmbë. Kur këndonte Kuran ulur, e bënte rukunë dhe sexhden ulur (pa u çuar në këmbë) dhe kur lindte agimi, falte dy rekate.” [2]

Hadithi tregon për ligjshmërinë e katër rekateve para farzit dhe dy pas tyre. Gjithashtu, në pamje të parë hadithi tregon se Profeti (salallahu alejhi ue selem) i falte këto katër rekate sunet me dy teshehude, duke dhënë selam vetëm në rekatin e fundit (e katërt). Një veprim i tillë ndryshon nga kuptimi i përgjithshëm që përfitohet në hadithin e Ibn Umerit: “Namazi i natës dhe i ditës është dy e nga dy.”[3]

Imam Tirmidhiu ka thënë: “Kjo është ajo që kanë vepruar njerëzit e dijes ndër sahabët e Profetit (salallahu alejhi ue selem) dhe ata që erdhën pas tyre. Ata preferonin faljen e katër rekateve përpara farzit të ylesë dhe kjo është ajo që ka thënë Sufjan eth-Theuri, Ibn Mubareku, Ishaku dhe dijetarët e Kufes.” Ndërkaq, disa dijetarë të tjerë si Shafiu dhe Ahmedi, kanë thënë se namazi i natës dhe i ditës është dy e nga dy, duke dhënë selam ndërmjet çdo dy rekateve.

– Hadithi i lartpërmendur nga Umi Habibe, e cila ka thënë: “Dëgjova të Dërguarin (salallahu alejhi ue selem) të thotë: “Çdo robi musliman që fal për Allahun çdo ditë dymbëdhjetë rekate nafile përveç farzeve, Allahu do t’i ndërtojë një shtëpi në Xhenet.”

– Hadithi i lartpërmendur nga Aishja (radijallahu anha): “Profeti (salallahu alejhi ue selem) nuk i linte pa falur katër rekate para farzit…”

– Hadithi i lartpërmendur nga Ibn Umeri (radijallahu anhu): “Mësova nga Profeti (sallahu alejhi ue selem) dymbëdhjetë rekate: dy rekate para ylesë dhe dy rekate pas saj…”

Kush nuk arrin t’i falë katër sunetet para farzit

Ka ardhur nga Aishja (radijallahu anha) se Profeti (salallahu alejhi ue selem), kur nuk mundte t’i falte katër sunetet para farzit të ylesë, i falte ato pas tij.[4]

Hadithi tregon se ai që nuk arrin të falë katër rekate para farzit të ylesë, mund t’i falë ato pas farzit.[5]

Kush nuk arrin t’i falë dy rekatet pas farzit

Nga Kurejb meula ibn Abasi, përcillet se Abdullah Ibn Abasi, Abdurrahman bin Ezheri dhe Misuer bin Mahrameh, e dërguan tek Aishja (radijallahu anha) dhe i thanë: “Jepi asaj selam prej nesh dhe pyete për dy rekatet pas namazit të ikindisë, sepse na ka ardhur lajmi që ti i fal ato, ndërkohë që ne dimë nga Profeti (salallahu alejhi ue selem), se ai i ka ndaluar ato (Ibn Abasi thotë se ai dhe Umer bin Hatabi e rrihnin çdokënd që i falte ato).” Kurejbi vazhdon: “Hyra tek Aishja, i tregova asaj për çka më dërguan dhe ajo tha: ‘Pyet Umi Selemen.’ U ktheva tek ata, i njoftova për fjalën e saj dhe ata më dërguan tek Umi Seleme për të njëjtën pyetje. Umi Seleme tha: ‘Kam dëgjuar Profetin (salallahu alejhi ue selem) t’i ndalojë ato, pastaj e pashë atë t’i falte ato. Pasi fali një herë ikindinë, hyri dhe tek unë, ndërkohë që aty ishin disa gra nga fisi Beni Haram prej ensarëve dhe i fali ato dy rekate. Thirra një vajzë pranë vetes e i thashë asaj: ‘Shko te Profeti (salallahu alejhi ue selem) dhe thuaji atij që Umi Seleme të ka dëgjuar ta ndalosh faljen e këtyre dy rekateve, ndërkohë që të sheh ty t’i falësh ato, e nëse të bën shenjë me dorë, prapësohu prej tij.’ Shkoi vajza dhe Profeti (salallahu alejhi ue selem) i bëri shenjë me dorë dhe ajo u prapësua. Kur ai mbaroi tha: ‘O vajza e Ebi Umejes, a pyet për dy rekatet pas ikindisë? Mua më erdhën disa njerëz nga Abdulkajsi që kishin pranuar Islamin dhe angazhimi me ta më pengoi nga falja e dy rekateve pas ylesë. Këto janë ato dy rekate.’[6]

Ky hadith tregon për lejimin e faljes kaza të suneteve të pasme të ylesë, për atë që nuk arrin t’i falë ato në kohë.

Nëse dikush thotë se në këtë hadith Umi Seleme tha se e ka dëgjuar Profetin (salallahu alejhi ue selem) t’i ndalojë këto dy rekate dhe më pas e pa t’i falte, ky ndalim tregon për moslejimin e faljes së tyre.

I përgjigjemi: Nga hadithi kuptohet se ndalimi është për atë që i fal ato vazhdimisht pas ikindisë, duke menduar se kjo është sunet. A nuk e sheh në këtë hadith se Aishja (radijallahu anha) i falte ato, e nëse ndalimi i tyre do të ishte i përgjithshëm pa përjashtim, atëherë ajo nuk do t’i falte ato.

Ndërsa vazhdimësia e Profetit (salallahu alejhi ue selem) në faljen e tyre pas farzit është prej çështjeve të veçanta të tij. Ka thënë Aishja (radijallahu anha): “…e nëse e falte një namaz, e falte atë të njëjtë (në kohë).” (Muslimi)

Gjithashtu, mund të themi se ndalimi nga falja e dy rekateve pas namazit të ikindisë, është për atë që i fal këto dy rekate kur dielli nuk është i shndritshëm (por është duke perënduar), dhe Profeti (salallahu alejhi ue selem) e ka ndaluar faljen pas namazit të ikindisë, përveçse kur dielli është akoma i ngritur (dhe i shndritshëm), prandaj gjatë përgjigjes i tregoi asaj (Aishes radijallahu anha) shkakun e faljes së këtyre dy rekateve në këtë kohë dhe se ato janë dy rekatet e pasme të ylesë.

Hadithi tregon për lejimin e faljes së suneteve të pasme të ylesë kaza, në kohën e ndalimit.

Ibn Abasi në këtë hadith, thotë se ai dhe Umer bin Hatabi e rrihnin çdokënd që i falte ato. Pra, Ibn Abasi e ndalonte faljen pas namazit të ikindisë, pa përjashtim, dhe kur u lajmërua Aishja për këtë, tha: “E kuptoi gabim Umeri, sepse Profeti (salallahu alejhi ue selem) ndaloi faljen gjatë lindjes dhe perëndimit të diellit.” dhe në një përcjellje tjetër ajo ka thënë: “Nuk i linte Profeti (salallahu alejhi ue selem) këto dy rekate pas ikindisë.” Gjithashtu, përcjell se Profeti (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Mos kërkoni kohën e lindjes dhe perëndimit të diellit për t’u falur në të.” [7]

Kjo tregon për ndalimin e namazit gjatë perëndimit të diellit, ndërsa namazi pas ikindisë, kur dielli ka bardhësi të pastër (pra, është akoma i shndritshëm), nuk hyn në këtë ndalim dhe ky kuptim që përmendëm ka ardhur i shqiptuar në hadithin e Ali bin ebi Talibit: “E ndaloi namazin pas ikindisë, përveçse kur dielli është i ngritur (d.m.th. para perëndimit).”[8] Në përcjelljen e Ahmedit vjen: “Mos u falni pas ikindisë, por nëse dielli është i ngritur (pa perënduar), faluni.”[9]

 

[1] Tirmidhiu, Ibn Maxhe, Ebu Daudi, Nesaiu, e saktësoi Albani.

[2] Muslimi.

[3] Nesaiu, Ibn Maxhe, e saktësoi Albani.

[4] Tirmidhiu, Ibn Maxhe. E saktësoi Albani përcjelljen e Tirmidhiut dhe dobësoi atë të Ibn Maxhes.

[5] Nëse saktësohet përcjellja “…i fali ato pas dy rekateve, pas farzit të ylesë”, atëherë e ligjëruar është falja e tyre pas faljes së suneteve të mbrapme, por kjo përcjellje nuk është e saktë, prandaj – siç thotë edhe Albani në “Tamamu el-mina” – falja e tyre ligjësohet pas farzit të ylesë.

[6] Buhari, Muslimi.

[7] Muslimi.

[8] Ebu Daudi, Nesaiu.

[9] E saktësoi Albani.

You may also like...