Namazi i tesbihve

Nga namazet e ligjshme është edhe ai i tesbihut, siç vjen në hadithin e mëposhtëm, ku Ibn Abasi përcjell se Profeti (salallahu alejhi ue selem) i ka thënë Abasit: “O Abas! O xhaxhai im! A do që të të jap? A do që të të dhuroj ty? A nuk të dua unë ty? A nuk të bëj mirë? (prandaj më dëgjo). Nëse ti vepron dhjetë gjëra të vlefshme, Allahu do të falë gjynahun tend nga i pari tek i fundit, nga i hershmi tek i mëvonshmi, atë që e veprove gabimisht dhe atë që e veprove qëllimisht, të madhin dhe të voglin prej tij, të fshehtin dhe atë që e bën haptas. Ato janë: të falësh katër rekate duke lexuar në çdo rekat Fatihanë dhe një sure tjetër. Pasi mbaron leximin e Kuranit dhe je në qëndrimin tënd në këmbë (para rukusë), në rekatin e parë thuaj: subhanallah, elhamdulilah, la ilahe ilAllah dhe Allahu ekber pesëmbëdhjetë herë, pastaj bëj rukunë duke e thënë të njëjtën gjë dhjetë herë, pastaj ngrihu nga rukuja dhe thuaje atë dhjetë herë, më pas bëj sexhden dhe thuaje atë dhjetë herë, ngrihu nga sexhdja dhe thuaje atë dhjetë herë, bëj sexhden prapë dhe thuaje atë dhjetë herë, ngrihu nga sexhdja (dhe ti je akoma ulur) dhe thuaje atë dhjetë herë, duke e thënë
në këtë mënyrë shtatëdhjetë herë në çdo rekat. Kështu vepro në të katër rekatet. Nëse ke mundësi ta falësh këtë namaz çdo ditë, fale, e nëse jo, atëherë në çdo xhuma, e nëse jo, atëherë në çdo muaj, e nëse jo, atëherë në çdo vit, e nëse jo, fale një herë në jetën tënde.”
Ebu Daudi, Ibn Maxhe. Hadithin e saktësoi një grup dijetarësh.
Them: Këto janë disa nga dobitë në lidhje me këtë namaz:
1- Fjala në këtë hadith i drejtohet Abasit, por gjykimi i saj është për të gjithë umetin, sepse në origjinë, fjala e Profetit (salallahu alejhi ue selem) është e përgjithshme (i drejtohet gjithë umetit) dhe jo e veçantë (për një person të caktuar).
2- Pjesa e hadithit: “…të qëllimshin dhe të paqëllimshmin…”. Nëse thuhet se gabimi që veprohet pa qëllim nuk është mëkat, sepse Allahu thotë:
“O Zoti ynë, mos na merr në përgjegjësi, nëse gabojmë nga harresa apo pa qëllim…” (Bekare, 286), atëherë si mund të konsiderohet gabimi i paqëllimshëm si mëkat?
Përgjigje: Edhe pse gabimi i paqëllimshëm nuk konsiderohet mëkat, në të ka mangësi, prandaj edhe ky namaz ka ndikimin e sipërpërmendur në hadith.
3- Autori i librit “Et-tenkih lima xhae fi salati et-tesbih” thotë: “Dije, Allahu të mëshiroftë, se shembulli i haditheve që të nxisin për kryerjen e adhurimeve të cilat përmbajnë faljen e mëkateve, nuk duhet ta bëjë robin të mashtrohet, duke e lëshuar veten e tij në mëkate dhe pastaj
mendon ky mendjelehtë se mund të bëjë një vepër që përmban faljen e të gjitha mëkateve të tij. Kjo është injorancë, prandaj nga e di ti o I mashtruar, se Allahu e pranoi punën tënde dhe i fali mëkatet e tua? Allahu i Madhëruar thotë:
“Me të vërtetë Allahu pranon prej atyre që janë të devotshëm.”
(Maide, 27)
“Kujdes, sepse hyrjet e shejtanit drejt njeriut janë të shumta dhe mjerë për ty, nëse ai hyn te ti nga kjo portë. “Allahu i Madhëruar i ka përshkruar robërit e tij besimtarë, se ata, edhe pse janë vepërmirë dhe përpiqen në to, prapë zemrat e tyre janë të frikësuara se mos ndoshta punët e tyre të mira nuk do të pranohen:
“Ata të cilët japin dhe zemrat e tyre janë të frikësuara (se ndoshta nuk mund t’u pranohet) dhe se te Zoti i tyre do të kthehen, ata janë që shpejtojnë në vepra të mira dhe përpiqen të jenë të parët në veprimin e tyre.” (Mu’minun, 60-61)”
Shpjegimi i ajetit që përmendëm, është shpjegimi i shumicës së dijetarëve.
Kurtubiu përmend në tefsirin e tij se Hasan el Basriu ka thënë: “Kemi arritur të takojmë njerëz, të cilët frikësoheshin se mos punët e tyre të mira nuk do t’u pranoheshin, më tepër sesa frikësoheni ju nga dënimi për mëkatet tuaja.”
Gjithashtu, duhet të dish se ato mëkate që janë ndërmjet njerëzve me njëri-tjetrin, falja e përmendur në hadith nuk i përmbledh, por është obligim kthimi i së drejtës tek ai që e meriton dhe pendimi I sinqertë.
4- Nuk ka ndonjë argument për leximin e një sureje apo ajeti të caktuar dhe as se në cilën kohë duhet të kryhet.
5- Sipas hadithit, në këtë namaz jepet vetëm një selam, pa marrë parasysh a e fal atë natën apo ditën. Ky është mendimi i El Karijut në librin e tij “El mirkatu” dhe i Mubarekfurit në librin e tij “Et-tuhfe”.
6- Dhikri i përmendur në hadith që bëhet nga dhjetë herë, thuhet pas thënies së çdo dhikri të namazit dhe ka një pozicion të caktuar për kryerjen e tij. Në ruku pas dhikrit të rukusë, e thua atë dhjetë herë, pas fjalës semiallahu limen hamideh, rabena ue lekelhamd dhe pas ngritjes nga rukuja, e thua atë dhjetë herë, duke vepruar në të njëjtën mënyrë në çdo pozicion.
7- Nëse harron diçka në namaz dhe bën sehvi sexhde, nuk thuhet në to dhikri që bëhet nga dhjetë herë, si në sexhdet e tjera të namazit. Tirmidhiu përcjell nga Abulaziz bin ebi Ramze: “E pyeta Abdullah bin Mubarekun nëse dikush harron në këtë namaz dhe bën sehvi sexhde, a e bën dhikrin që veprohet nga dhjetë herë në to dhe më tha që jo, sepse ato janë vetëm treqind tesbihe.” I saktë

You may also like...