Kohët e Namazit

Allahu thotë: “Përkujdesuni për namazet  dhe në mënyrë të veçantë për namazin e mesëm dhe të jeni adhurues të Allahut”. Urdhërimi për faljen e namazit nënkupton kryerjen e tij në kohë dhe hapësirë por pa e përcaktuar specifikisht, kjo sepse koha dhe hapësira janë element të domosdoshëm në kryerjen e veprimit. Kurse për sa i përket kohës specifike në të cilën është i ligjëruar secili namaz apo forma e namazit me kushtet dhe veprimet e tij specifike, nuk gjejmë në këtë ajet asnjë lloj argumentimi, as në mënyrë direket apo indirekte. Detajet e kohëve të namazeve apo forma e secilit namaz gjenden vetëm në Sunetin e saktë në thëniet dhe veprimet e Profetit ndërsa në Kuran mund të gjejmë vetëm ndonjë ajet që përmend ndonjë detaj prej detajeve të namazit si p.sh fjala e Tij: “Kur të doni të ngriheni për tu falur lani fytyrat tuaja…” pra u përmend abdesi i cili është kusht prej kushteve të namazit. Po ashtu mund të gjejmë në Kuran përmendjen e ndonjë pjese të namazit siç është rukuja dhe sexhdeja por përsëri pa i cilësuar më tej në formë apo numër, gjëra të cilat janë të sqaruara në Sunetin e pastër.

Koha e drekës:

Përcaktimi i cakut fillestar dhe i atij përfundimtar për secilin kohë të namazit është vërtetuar në hadithet e sakta, si p.sh në hadithin e Xhibrilit ku tregohet që i mësoi Profetit namazin apo tregimi i namazit që Profeti u bënte atyre që e pyesnin, etj.

Autori tha: Fillimi i kohës së drekës është zeuali.

Shpjeguesi tha: Zeuali është shmangia e diellit nga pika e zenitit. Shenja dalluese e kësaj është hija që objekti lë nga drejtimi i lindjes, gjë e lehtë për tu njohur nga çdokush që ka dy sy.

Autori tha: Ndërsa fundi i kohës së drekës është kur të arrijë hija e objektit gjatësinë e vetë objektit, duke i shtuar dhe fej’u ez-zeual (hija që mbetet e pazhdukur në kohën e zeualit).

Autori tha: Njëkohësisht ky është dhe fillimi i kohës së ikindisë.

Shpjeguesi tha: D.m.th momenti kur hija arrin gjatësinë e vetë objektit. Ibn Kajimi ka thënë: Sahabët e falnin ikindinë me Profetin dhe më pas ndonjëri prej tyre shkonte deri në vendin e quajtur Auali, përafërsisht 4 milje, ndërsa dielli vazhdonte të ishte lart (dukshëm)[1].

Enesi -Allahu qoftë i kënaqur prej tij- ka thënë: Profeti -paqja dhe nderimet e Allahut qofshin mbi të- e fali ikindinë me ne dhe më pas i erdhi një person nga fisi Benu Selemeh dhe i tha: O Resulallah ne duam të therim një deve dhe ne dëshirojmë që të jesh i pranishëm aty. Tha: “Po”. U nis për atje dhe ne u nisëm së bashku me të. Kur arritëm, ata nuk e kishin therur akoma devenë, atëherë u ther, u nda dhe u gatua një pjesë e saj për ne. Hëngrëm prej saj dhe mbaruam para se të perëndojë dielli[2].

Është e pamundur që e gjithë kjo të ketë ndodhur pasi që hija kishte arritur dyfishin e gjatësisë së objektit[3].

Transmeton tek Sahiu i Muslimit se Profeti -paqja dhe nderimet e Allahut qofshin mbi të- ka thënë: “Koha e drekës vazhdon të jetë përderisa nuk arrin ikindia[4].

Këtyre dispozitave profetike nuk mund tu kundërvihet asgjë tjetër më e saktë, më e qartë dhe më e drejtpërdrejtë (për vetë faktin se nuk ekziston diçka e tillë në lidhje me këtë sunet).

Autori tha: Koha e ikindisë është për sa kohë që dielli është i qartë dhe shkëlqyes.

Shpjeguesi tha: Koha e fundit e ikindisë është atëherë kur hija arrin dyfishin e gjatësisë së objektit.

Imam Shafiu ka thënë: Fundi i kohës së ikindisë gjatë së cilës njeriu ka liri (ta vonojë) është të arrijë hija dyfishin e gjatësisë së objektit. Në një mendim tjetër është thënë: Derisa dielli të zverdhet. Ndërsa koha e fundit e domosdoshme (në të cilën lejohet vonimi vetëm për arsye të forta) është perëndimi i diellit.

Në librin el Huxhetul Baligah thuhet: Shumë nga hadithet e sakta tregojnë se koha e fundit e ikindisë është ndryshimi i diellit, gjë për të cilën që të gjithë fukahatë janë dakord. Ndoshta përcaktimi i kohës me gjatësinë e hijes sa dyfishi i gjatësisë së objektit ka për qëllim të sqarojë kohën në të cilin njeriu ka liri ta vonojë namazin dhe që njëkohësisht konsiderohet koha më e preferuar për tu falur ikindia. Ose ndoshta mund të themi se sheriati fillimisht kishte si qëllim dallimin e ikindisë nga dreka ashtu që periudha e secilit namaz të ishte përafërsisht çereku i ditës, ndaj u la si kufi i parë arritja e hijes dyfishin e gjatësisë së objektit dhe më pas duke u marrë në konsideratë nevoja dhe punët e njerëzve u shty kufiri i kohës. Gjithashtu mund të themi që njohja e atij kufiri (hija sa dyfishi i gjatësisë së objektit) ka nevojë për meditim, për vrojtim dhe memorizim të pikës fillestare të zeualit, ndërkohë që ajo që i përshtatet njerëzve është tu flitet me gjëra të qarta, lehtësisht të dallueshme. (siç është perëndimi i diellit)

Nga argumentet e kësaj teme është hadithi i Abdullah bin Amër i cili tha: Profeti salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Koha e drekës vazhdon të jetë përderisa nuk mbërrin ikindia. Koha e ikindisë vazhdon të jetë përderisa dielli nuk zverdhet. Koha e namazit të akshamit vazhdon të jetë përderisa nuk zhduket e kuqërremta nga horizonti. Koha e namazit të jacisë është deri në gjysëm të natës, ndërsa koha e namazit të sabahut vazhdon të jetë përderisa nuk ka lindur dielli[5]. Ky hadith nuk bie ndesh me hadithet e tjera që tregojnë që fundi i kohës së ikindisë është kur hija të arrijë gjatësinë e dyfishit të objektit apo që fundi i kohës së jacisë është një e treta e natës, sepse hadithi që ne përmendëm përmban një dispozitë shtesë në lidhje me përcaktimin e kohës, që nuk bie ndesh me dispozitën bazë. Zverdhja e diellit është kohë më e vonë sesa dyfishi i gjatësisë së objektit, po ashtu dhe gjysma e natës është më e vonë se një e treta. Pra kjo dispozitë shtesë nuk bie ndesh me dispozitën e përmendur në hadithet e mëhershme. Gjithashtu duhet theksuar se transmetimi që tregon për shtesën në kohë është më i saktë se hadithi tjetër me kohë më të kufizuar[6].

Autori tha: Fillimi i kohës së akshamit është perëndimi i diellit.

Shpjeguesi tha: D.m.th: Zhdukja e diskut të tij. Kjo është koha e preferuar në të cilën lejohet falja e akshamit. Ky gjykim bazohet në dy hadithe: Hadithi i parë është hadithi i Xhibrilit i cili u fal me Profetin -paqja dhe nderimet e Allahut qofshin mbi të- dy ditë radhazi (në ditën e parë i fali të gjitha namazet në cakun fillestar të kohës ndërsa në ditën e dytë në cakun përfundimtar të tyre)., ndërsa hadithi i dytë është hadithi i Burejdes[7], ku një person e pyeti Profetin për kohët e namazit dhe ai i tha që të falej me të dy ditë rradhazi. Në parim, hadithi që jep më shumë detaje rreth diçkaje është më parësor se një hadith tjetër që flet në mënyrë të përgjithëshme, ndërsa në rastin konkret n.q.s këto dy hadithe kanë mospërputhje në ndonjë detaj atëherë do i jepet përparësi hadithit të Burejdes sepse është i mëvonshëm, i thënë në Medine, ndërsa hadithi i Xhibrilit është më i hershëm, i thënë në Meke, ndaj duhet të pasohet thënia e fundit.

Autori tha: Ndërsa koha e tij e fundit është zhdukja e të kuqërremtës nga horizonti.

Shpjeguesi tha: Këtë përkufizim e gjejmë të shprehur në të gjitha librat e gjuhës dhe në të gjitha poezitë e arabëve, ndaj nëse dikush pretendon se fjala esh-shefek në gjuhën arabe ose në terminologjinë e sheriatit ka për qëllim bardhësinë që pason në horizont, atëherë le të sjellë argument për këtë, por nuk ka se ku ta gjejë atë[8].

Ibnul Kajimi ka thënë: Koha e namazit të akshamit zgjat deri në zhdukjen e kuqërremes në horizont, siç tregohet në sahihun e Muslimit. Po ashtu tek Muslimi transmetohet nga Ebu Musa se një pyetës e pyeti Profetin për kohët e namazit. Ndër të tjera aty thuhet: Profeti e urdhëroi këtë person të falë akshamin me të ditën e parë kur perëndoi dielli, ndërsa ditën e dytë e vonoi akshamin deri në zhdukjen e kuqërremes në horizont dhe më pas: “Koha është ndërmjet këtyre dy kufinjve”. Ky hadith është më i vonë se hadithi i Xhibrilit, ky hadith është thënie ndërsa ai i Xhibrilit është vetëm veprim, ky tregon për kufinjtë e lejuar ndërsa i pari tregon për kohën e preferuar, ky hadith gjendet në sahihun e Muslimin ndërsa i pari në Sunene. E gjithë kjo është në përputhje me fjalën e Profetit -paqja dhe nderimet e Allahut qofshin mbi të-: “Koha e secilit namaz vazhdon të jetë derisa të hyjë koha e namazit pasardhës[9], përveç kohës së sabahut i cili është i veçantë nga kohët e tjera (në faktin që mbaron koha e tij para se të hyjë namazi vijues), gjë kjo e vendosur me unanimitet.

Autori tha: Ky është dhe fillimi i kohës së jacisë, ndërsa koha e fundit e saj është gjysma e natës.

Shpjeguesi tha: D.m.th: Zhdukja e kuqërremes nga horizonti. Në origjinë preferohet vonimi i jacisë duke u bazuar në thënien e Profetit salallahu alejhi ue selem “Nëse nuk do ia vështirësoja umetit tim do i urdhëroja që ta vononin jacinë”. Kjo për arsyen se është më e dobishme për kthjelltësinë e shpirtit nga çështjet e dynjasë që pengojnë përkujtimin e Allahut si dhe nuk lë vend për biseda pas jacie, por një vonim i tillë mund të shkaktonte pakësimin e xhematit dhe largimin e njerëzve që do të thotë humbje e qëllimit të namazit me xhemat, ndaj dhe Profeti salallahu alejhi ue selem e falte jacinë herët kur njerëzit ishin të shumtë ndërsa e vononte atë kur njerëzit ishin të paktë.

Autori tha: Fillimi i kohës së sabahut është shpërthimi i agimit.

Shpjeguesi tha: D.m.th: Shfaqja e dritës së përhapur në mënyrë horizontale, gjë të cilën e sqaroi Profeti në mënyrën më të qartë duke thënë: “Agimi shfaqet i shtrirë në horizont” dhe ka thënë: “Nuk bëhet fjalë për bardhësinë që shfaqet si bishti i ujkut” d.m.th lart vertikalisht, gjë kjo e dallueshme me sy.

Allahu ka thënë: “Derisa të dalloni qartë në agim perin e bardhë nga peri i zi”. Folja e përdorur në këtë ajet nënkupton qartësinë e dukshme pa asnjë dyshim, dmth vjen duke u shfaqur pak e nga pak derisa qartësohet dukshëm. Ibnul Kajimi ka thënë: “Profeti salallahu alejhi ue selem lexonte në namazin e sabahut 60 deri në 100 ajete, e më pas gratë largoheshin dhe nuk njiheshin për shkak të errësirës”[10], ai e falte namazin e tij gjithmonë në këtë kohë derisa vdiq, përveç një rasti që e ka falur kur vendi ishte ndriçuar i tëri (para lindjes së diellit), ndërsa ndërmjet syfyrit dhe namazit të tij kishte një distancë sa për të lexuar 50 ajete. Kurse në lidhje me hadithin “Faleni sabahun me shkëlqimin e dritës sepse ka më shumë shpërblim[11], ka për qëllim që të fillohet namazi në errësirë dhe të dalë prej saj me dritë, siç vepronte vetë në shumë raste, pra thënia e tij qenka në përputhje të plotë me veprimin e tij, sepse si mund të paramendohet që ai t’i jetë përmbajtur një veprimi në mënyrë të vazhdueshme përderisa diçka tjetër shpërblehej më shumë?!

Autori tha: Koha e fundit e tij është lindja e diellit.

Shpjeguesi tha: Ajo që duhet të kemi parasysh në lidhje me njohjen e kohëve të namazit është se Allahu nuk i ka ngarkuar robërit e Tij me gjëra të vështira sepse kjo fe është lehtësim dhe sheriati është i lehtë tolerant, ndaj dhe Profeti tregoi se kohët e namazeve kanë shenja të dukshme, të dallueshme qartë për çdokënd.

Marrë nga libri er-Raudah en-Nedijeh të Sidik Hasan Khan dhe me shënimet e shejh Albanit.

Përktheu Shuajb Rexha

[1] Transmeton Buhariu, Muslimi etj.

[2] Transmeton Muslimi

[3] Sh.p: Me këtë shprehje shejhu hedh poshtë pretendimin e atyre që thonë se fillimi i kohës së drekës është kur hija arrin dyfishin e gjatësisë së objektit.

[4] Transmeton Muslimi, Ahmedi, Nesaiu, etj.

[5] Transmeton Muslimi, Ahmedi, Nesaiu, Ebu Daudi.

[6] Shejh Ahmed Shakiri ka thënë: Autori dhe shpjeguesi zgjodhën mendimin se koha e ikindisë është për sa kohë që dielli është i qartë dhe i shndritshëm, por është vërtetuar nga Profeti -paqja dhe nderimet e Allahut qofshin mbi të- se ka thënë: “Kush arrin të falë një rekat nga ikindia para se të perëndojë dielli, e ka arritur ikindinë (brenda kohës)”, e ka transmetuar këtë hadith Buhariu, Muslimi etj. Ky është tekst i qartë që tregon se koha e fundit e ikindisë është perëndimi i diellit. Mund të themi që është mekruh vonimi deri në kohën e fundit pa pasur arsye, por që gjithsesi kufiri i fundit i daljes së kohës mbetet perëndimi i diellit.

[7] Transmeton Muslimi.

[8] Sh.p: Shpjeguesi me këtë thënie hedh poshtë mendimin e medh’hebit hanefij.

[9] Ky është kuptimi i hadithit që transmeton Muslimi nr. 311.

[10] Transmeton Buhariu nr. 1921 dhe Muslimi 1097.

[11] Hadithi është i saktë e gjen në Iruaul Galil nr. 258.

You may also like...