Si trajtohet kapsllëku në mjeksinë profetike?

Sëmundja e kapsllëkut

Imam Tirmidhiu në përmbledhjen e vet me hadithe, El Xhamiu, si dhe imam Ibn Maxhe në Sunen e tij, sjellin hadithin e Esma bintu Umejsit, që tregon se Pejgamberi alejhi selam e ka pyetur atë: “Si e trajton ti kapsllëkun?” Ajo u përgjigj: “Përdor bimën e qumështores (arab. shubrum).”[1] Ai ia ktheu: “Ajo është tepër e nxehtë dhe laksativ mjaft i fortë.” “Më pas – thotë ajo – unë fillova të përdor vetëm farat e fshikartës[2] (arab. senna). Ndërsa Pejgamberi alejhi selam tha: “Nëse do të kishte diçka që do të shëronte vdekjen, ajo do të ishte fshikarta.”[i]

Ibn Maxhe sjell në Sunen hadithin e Ibrahim ibn Abletes, që rrëfen se e ka dëgjuar Abdullah ibn Ummu Haramin, i cili është falur me Profetin në të dyja Kiblat, që të tregojë se e ka dëgjuar Profetin alejhi selam të thotë: “Përdorni fshikartën dhe sunuut-in,[3] sepse ato kurojnë çdo sëmundjeje, përveç saam-it.” E pyetën: “O Pejgamber! Çfarë është saam-i?” Ai tha: “Vdekja”.[ii]

Pejgamberi alejhi selam pyeti se si trajtohej kapsllëku, duke nënkuptuar se ç’kurë përdorej për të zbutur jashtëqitjen, në mënyrë që trupi ta nxjerrë atë lëndë të keqe me lehtësi.

***

Esmaja u pyet se si e trajtonte kapsllëkun, dhe ajo i tregoi Profetit alejhi selam se përdorte qumështoren[4] ose, më saktë, lëvoren e rrënjës së kësaj bime, e cila është e nxehtë dhe e thatë në shkallë të katërt. Qumështorja më e mirë është ajo që vjen në ngjyrë disi të kuqe dhe e butë në prekje.

Mjekët nuk e këshillojnë qumështoren, sepse ajo është laksativ tepër i fortë. Vetë Pejgamberi (s.a.u.s.) e ka përshkruar atë si bimë të nxehtë dhe lakstativ të fortë.

***

Ndërsa fshikarta është një bimë që rritet në Hixhaz (Arabinë Perëndimore), por lloji më i mirë i saj rritet në Mekë. Ajo konsiderohet si një bimë e nxehtë dhe e thatë në shkallë të parë. Fshikarta vepron si laksativ i lehtë, pa dhënë efektet anësore. Ajo ndihmon gjithashtu kundra sëmundjeve që vijnë prej vrerit të verdhë e vrerit të zi dhe forcon zemrën, një veti tjetër kjo e kësaj bime. Ajo është e dobishme kundra fiksimeve melankolike dhe prerjeve në trup, çliron muskujt dhe forcon flokët. Përveç këtyre, ajo shërben për të luftuar morrat, dhembjen e kokës, zgjeben, puçrrat dhe epilepsinë.

Fshikarta e butë është më mirë të zihet ashtu siç është, e plotë, dhe të pihet si çaj, sesa të zihet e shtypur apo e bluar. Si tretësirë, mund të merren deri në 3 darahime (rreth 10 gramë).[5] Fshikarta mund të përzihet gjithashtu me lulet e manushaqes dhe me rrush të kuq, të thatë e pa fara.

Imam El Razi thoshte: “Fshikarta dhe fomi mjekësor[6] ndihmojnë për të nxjerrë jashtë kalbëzimet nga lëngjet primare të trupit, si edhe kundra puçrrave e zgjebes, nëse merren katër deri shtatë darahime nga secila bimë.”

Për sa i përket sunuut-it, që përmendet në hadithin e mësipërm, ka mendime të ndryshme. Omer ibn Bekër El Saksaki, për shembull, thotë se ai është ekstrakt mjalti ose gjalpi. Sipas një mendimi tjetër, sunuut është një lloj fare që ngjan me qimnonin, siç ka pohuar Ibn El Arabi. Mendimi i katërt dhe i pestë thotë që sunuut quhet qimnoni ose maraqi persian, siç shprehet Ebu Hanife El Dejnuri. Për mendimin e gjashtë, sunuut është vetë kopra, ndërsa për të shtatin ajo është hurma arabe, mendim ky i shprehur nga Ebu Bekër ibn El Suni. Në fund, mendimi i tetë thotë që sunuut quhet mjalti që rri në një shakull me gjalpë.

Disa doktorë përkrahin mendimin e fundit si më të mundshmin. Kështu, sunuut-i përgatitet duke përzier pluhur fshikarte me gjalpë të tretur dhe mjaltë bashkë. Ky lloj kremi, i cili më pas lëpihet nga i sëmuri, është më i mirë sesa thjesht fshikarta. Në këtë mënyrë, zbutet edhe shija e fshikartës, për shkak të mjaltit dhe gjalpit, të cilët përforcojnë gjithashtu efektin laksativ të fshikartës. Allahu e di më mirë.

[1] Arab. shubrum. Emri shkencor: Euphorbae pitysae.

[2] Fshikarta (familja Fabaceae). Shkurre e viseve mesdhetare me gjethe të vogla, me lule të verdha në trajtë vileje që lidhin bishtaja të gjata e të fryra (shën. i përkth.).

[3] Sunuut – quhet bima e qimnonit, por për këtë fjalë autori sjell në vijim edhe shpjegime të tjera (shën. i përkth.).

[4] Qumështore (euphorbia). Bimë barishtore me gjethe të këmbyera, me lule të vogla, të verdha, të mbledhura tufë në formë çadre, kërcelli i së cilës nxjerr një lëng të bardhë si qumësht; rryell (shën. i përkth.).

[5] Masë farmaceutike: 1 darahim është rreth 3 gramë.

[6] Fomi (fumaria officianalis). Bimë barishtore njëvjeçare e livadheve, me kërcell të zbrazët, me shumë gjethe, me lule të vogla e të kuqërreme në vile, që e bën frytin si kapsulë të mbushur me farëza dhe që përdoret si ushqim për bagëtinë e në mjekësi (shën. i përkth.)

[i] Tirmidhiu me numër 2082; Ibn Maxhe me numër 3461; Ahmedi 6, 369; Hakimi 4, 200-201. Në sened-in e tij ka transmetues të panjohur, por së bashku me hadithin më pas, ai përforcohet.

[ii] Ibn Maxhe, me numër 3457; Hakimi 4, 201. Por në sened-in e këtij hadithi ndodhet Amr ibn Bekr El Sekseki, i cili është konstatuar si i dobët. Në Tehdhib thuhet: “Këtë hadith e ka përcjellë prej tij edhe Sheddad ibn Abdurrahman El Ensari.” Për saktësinë e tij dëshmon edhe hadithi i përmendur pak më lart.

 

Ibn Kajim El Xheuzije
Zead el Mead
facebook

You may also like...