Rrumbullakësia e tokës është përmendur në Kuran 14 shekuj më parë

Rrumbullakësia e tokës në fjalët e Sheikh-ul-Islam Ibn Tejmije (Allahu e mëshiroftë).

Çështja e rrumbullakësisë së tokës është një çështje për të cilën janë përplasur mendimet e njerëzve. Është thënë se është e sheshtë dhe është thënë se është e rrumbullakët.

Mendimi se është e sheshtë është hedhur që herët nga filozofët grekë i cili më vonë u mbrojt shumë nga njerez te tjere.

Kurse mendimi se është e rrumbullakët është hedhur nga disa filozofë grekë si Sokrati dhe Platoni e më pas nga myslimanët si: Ibn Khurdadhbeh, Ibn Hazmi, El-Idrisi, Sheikhul-Islam Ibn Tejmije etj dhe disa shkencëtarë evropianë në fillim të kohës së rilindjes menjëherë pas mesjetës si Nikola Koperniku, Galileo Galilei dhe Xhordano Bruno mendim i cili sot është i padiskutueshëm.

Ajo që e veçon mendimin e sheikh-ul-Islam Ibn Tejmije është mënyra e argumentimit të tij. Ai thotë se çështja e rrumbullakësisë së të gjithë planetëve përfshirë këtu edhe tokën është e argumentuar me Kuran, Sunet, dhe Ixhma të ulemave dhe tani po përmend shkurtimisht argumentet sipas renditjes së tij:

Kurani

Allahu i madhëruar në Kuran thotë: “Allahu është ai i cili ka krijuar natën, ditën, diellin, hënën dhe që të gjitha janë në një rrumbullakësi (felek) dhe notojnë” suretu El-Enbija: 33.

“Nuk i takon diellit të arrijë hënën, as natës të arrijë ditën dhe që të gjitha janë në një rrumbullakësi (felek) dhe notojnë” Suretu Jasin: 40.

Fjala arabe e përdorur në këto ajete për të treguar rrumbullakësinë e tyre është fjala [Felek] dhe Ibn Abasi në komentimin e saj thotë: “Felek si feleku i boshtit të tjerrjes (sepse boshtit në majën e tij i vihet një gjë e rrumbullakët për ta bërë më të lehtë rrotullimin)”.

Sheikhu islam Ibn Tejmije thotë: fjala [Felek] në gjuhën arabe është çdo gjë e rrumbullakët prandaj dhe në gjuhën arabe thuhet: U bë [Felek] gjiri i vajzës kur formohet dhe rrumbullakoset.

Pastaj sheikhu islam Ibn Tejmije kalon te tre ajete të tjera ku thuhet:

* “Allahu është ai i cili e mbështjell (tekuir) natën në ditë dhe mbështjell ditën në natë” suretu Ez-Zumer: 5.

Fjala [tekuir] është bërja e diçkaje rreth siç thuhet: i bëj [tekuir] çallmës kur e mbështjell me të kokën në formë rrethore dhe gjithashtu topit i thuhet [kura] -që ka të njëjtën rrënjë me fjalën tekuir- sepse është i rrumbullakët.
* “Dielli dhe hëna janë në bosht (husban)” suretu Er-Rrahman: 5.

Janë në husban do të thotë husban si husbani i mullirit dhe që është boshti i tij.
* “Allahu është ai i cili krijoi qiejt palë-palë, a sheh në krijimin e Allahut mosbarazim (tefaut)?” suretu El-Mulk: 3. Kjo gjë nuk mund të jetë veçse në format e rrumbullakëta dhe jo te ato që janë me kënde si: trekëndoret, katërkëndoret etj sepse këndet ndryshojnë nga brinjët kurse trupat e rrumbullakëta i kanë anët e barabarta.

Suneti.

Profeti alejhi selam thotë: “Arshi i tij (Allahut) mbi qiej është kështu dhe bëri me shenjë si kupole” e transmeton Ebu Daudi dhe e dobëson sheikh Albani.

Ai gjithashtu thotë: “Kur ti luteni Allahut për xhenet lutjuni për xhenetin Firdeus sepse ai është xheneti më i lartë, dhe mesi i tij dhe për çati ka arshin e Allahut” e transmeton Buhariu dhe Muslimi.

Pra, Allahu i Madhëruar njofton se Firdeusi është xheneti më i lartë dhe mesi i tij dhe kjo gjë nuk mund të jetë veçse në gjërat me formë rrethore sepse në format katrore nuk mund të jetë mesi i tij pjesa më e lartë por janë të barabarta.

Ixhmaja (MENDIMI UNANIM I DIJETARËVE)

Përsa i përket ixhmasë së dijetarëve, Ijas bin Muavije (gjykatësi i Basrës në kohën e tabiinëve) ka thënë: “Qielli në lidhje me tokën është si kupole”.

Imami Ebul-Husein Ahmed bi Xhafer bin El-Munadi (dijetar i njohur prej shokëve të imam Ahmedit) thotë: “Dijetarët janë dakord se toka me të gjitha lëvizjet dhe pjesët përbërëse të saj tokë e det, është si top dhe për këtë tregon fakti se dielli, hëna dhe yjet nuk kanë të njëjtën lindje dhe perëndim në të gjitha anët e tokës por ana e lindjes është para perëndimit”.

Një çështje problematike.
Sheikh-ul-islam Ibn Tejmije më pas shpjegon një çështje që e ngrenë gjithmonë ata të cilët mendojnë se rrumbullakësia e planetëve bie ndesh me faktin se arshi i Allahut është çatia e xhenetit dhe Allahu është mbi arsh dhe kështu i bie që Allahu të jetë poshtë disa prej krijesave të tij.

Përgjigjja: Kjo gjë është gabim në parafytyrim sepse ai që e di se planetët janë të rrumbullakëta dhe perimetri i cili është çatia është pika më e lartë dhe qendra është pika më e ulët atëherë kuptohet se qielli në të gjitha anët është mbi tokë dhe nuk mund të jetë asnjëherë poshtë saj dhe sa më shumë të ngjitesh është më e lartë dhe më përfshirës.

Pastaj duhet të dimë se anët e trupave janë dy llojesh: të pavarura që kanë vetëm një anë lart dhe një anë poshtë (sheikhu islam këtu ka për qëllim universin ku toka është poshtë dhe çdo gjë rreth saj është lart derisa vijmë te arshi i cili është më i larti dhe këtu nuk kemi veçse dy anë: lart dhe poshtë). Kurse lloji tjetër është i varur sepse varet nga trupi i cili i referohesh (sheikhu islam Ibn Tejmije këtu do të thotë se anët sipas këtij lloji ndryshojnë sipas objektit që i referohesh ku çdo objekt ka anën e tij të sipërme dhe anën e tij të poshtme dhe kështu kemi disa anë të sipërme dhe disa anë të poshtme sipas objektit që i referohesh).

Njeriu duke parafytyruar vetëm llojin e varur të anëve bie në dilemë dhe mendon se Allahu mund të jetë poshtë disa prej krijesave të tij dhe ky ka qenë shkaku se pse disa grupe të humbura si xhehmitë e mohoni lartësimin e Allahut mbi arsh që të mos rezultojë se Allahu është poshtë disa prej krijesave të tij dhe po ashtu është edhe shkaku se pse disa prej dijetarëve me famë të islamit si El-Kahtani kanë thënë se toka është e sheshtë duke menduar se po të thoshin e rrumbullakët kanë mohuar lartësimin e Allahut mbi arsh.

Shënim: Ky artikull bazohet në fjalët e sheikh-ul-islam Ibn Tejmije -Allahu e mëshiroftë- të cilat i ka përmendur në librin “Mexhmu’ El-fetaua vell. 25 : 193-198”.

 

Përgatiti: Teuta XEKA & Abdullah NABOLLI.

You may also like...