Vlera dhe dobitë e besimit

Vlera e diturisë është në varësi të asaj që mësohet dhe dija mbi Allahun e Madhëruar është më e vlefshmja që të mësohet. Pra, dituria e besimit, e tevhidit, është dituria më e vlefshme dhe e meriton më shumë që të kërkohet.

Imam Ibën Rexheb El-Hanbelij thotë: “Dituria e dobishme është ajo që e njeh robin me Zotin e vet, i tregon për Të që ta njohë dhe ta njësojë, ta ndiejë dhe të turpërohet prej Tij si dhe ta adhurojë sikur e sheh Atë, i lartmadhëruar qoftë Allahu.1

Besimi dhe tevhidi janë qëllimi i krijimit të xhinëve dhe njerëzve.

Allahu i madhërishëm thotë: “Nuk i kam krijuar xhinët dhe njerëzit për tjetër vetëm se të më adhurojnë, nuk kërkoj prej tyre furnizim dhe as të më ushqejnë.”

Fraza “…të më adhurojnë”, sipas mendimit të drejtë të komentuesve, është tevhidi, d.m.th. “të më njësojnë”.

Është çelësi i thirrjes së të gjithë të Dërguarve, kurse besimi është qëllimi që janë dërguar Pejgamberët përgëzues e qortues. Allahu i Lartësuar thotë në disa ajete:

“Ne kemi dërguar në çdo popull të Dërguar, që t’ju thotë adhuroni vetëm Allahun e largohuni nga tagutët (adhurimi i dikujt tjetër).”

“Nuk kemi dërguar ndonjë Pejgamber para teje veçse i kemi shpallur atij se nuk meriton të adhurohet askush përveç Allahut, andaj më adhuroni Mua.”

“E ti, pra, pyeti ata të Dërguarit që i dërguam para teje, a kemi lejuar që në vend të Allahut të adhurohen zota të tjerë?”

Ja, pra, i Dërguari i Allahut, mik dhe i zgjedhur i Tij, për trembëdhjetë vite me radhë pas dërgimit të tij qëndroi duke thirrur në përmirësimin e besimit dhe pastrimin e saj nga shirku, idhujtaria e injoranca. Ai e vazhdoi edhe pas emigrimit të tij në Medinë pastrimin e akides dhe qortimin e asaj që e kundërshtonte tevhidin. Para tij të gjithë të Dërguarit e Allahut kanë thënë të njëjtën gjë:

“O populli im, adhuroni vetëm Allahun, ju nuk keni të adhuruar tjetër që meriton adhurimin përveç Tij.”

Jusufi alejhi selam, që ishte sprovuar në burg, ftonte në tevhid dhe ua vonoi përgjigjen dy shokëve të tij, të cilët e kishin pyetur. Edhe pse ata mezi prisnin që Jusufi t’u përgjigjej, ai i ftoi në tevhid dhe u tha:

“Unë kam braktisur fenë e një populli që nuk e beson Allahun as botën tjetër, e ata ishin jobesimtarë. Unë ndoqa fenë e prindërve të mi: Ibrahimit, Is’hakut, Jakubit. Neve nuk na takoi t’i përshkruajmë kurrë një send shok Allahut. Ky (besim i drejtë) është dhuratë e madhe nga Allahu ndaj nesh dhe ndaj njerëzve, por shumica e njerëzve nuk falënderojnë. O ju dy shokët e mi të burgut, a është më mirë të adhurohen zota të ndryshëm apo Allahu, i vetmi ngadhënjimtar?” Ata që ju adhuroni përveç Allahut nuk janë tjetër vetëm se emra që pagëzuat ju dhe prindërit tuaj. Allahu nuk shpalli ndonjë fakt për ta, vendimi (në çështje të adhurimit) nuk i takon askujt pos Allahut, e Ai urdhëroi të mos adhuroni tjetër vetëm Atë. Kjo është feja e drejtë, por shumica e njerëzve nuk e dinë.”

Hoxha i Islamit, Ibën Tejmijje, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Kjo në Kur’an përmendet në shumë vende. Allahu qartëson se të gjithë Pejgamberët kanë urdhëruar në tevhid, njësimin e Allahut, që të adhurohet vetëm Allahu, i Cli nuk ka shok, dhe kanë ndaluar nga adhurimi i dikujt tjetër prej krijesave apo marrjen për zot. Gjithashtu, Allahu tregon se fatmirët janë besimtarët, ata që e njësojnë Allahun, ndërsa ata që i bëjnë shirk (shok) Allahut, ata janë më fatkëqijtë. Këtë Allahu e ka përmendur përmes të gjithë të Dërguarve dhe ka qartësuar se ata të cilat nuk i besojnë Pejgamberët, janë mushrikë (idhujtarë).”2

4- Për shkak të saj Allahu ka zbritur librat. Allahu i madhërishëm thotë:

“Me urdhrin e Tij ia zbret engjëjt me shpallje atij që Ai dëshiron nga robërit e Vet, (duke u thënë) t’ua tërhiqni vërejtjen se nuk ka të adhuruar tjetër vetëm Unë, pra të më keni frikën.”

5- Allahu krijoi xhennetin dhe zjarrin për shkak të akides.

Kush e kundërshton besimin, tevhidin, do ta kapë zjarri sipas kundërshtimit të tij, ndërsa kush e mohon esencën e saj, do të jetë në zjarr përgjithmonë, Allahu na ruajttë!

6- Për shkak të saj Allahu e krijoi këtë botë dhe e zbriti Ademin dhe gruan e tij nga xhenneti në këtë botë, që ai dhe pasardhësit e tij të jetojnë e ta ndërtojnë këtë botë duke e njësuar Allahun dhe duke iu nënshtruar Atij.

7- Për shkak të saj është bërë e ligjshme lufta në rrugën e Allahut.

Allahu i madhërishëm thotë: “Luftoni ata (idhujtarët) derisa të zhduket sprova e tyre dhe derisa të aplikohet feja vetëm për Allahun…”

Imami i njohur dhe komentuesi i Kuranit, Muhamed ibën Xherir Et-Taberij, Allahu e mëshiroftë, kur komenton frazën “të zhduket sprova”, thotë: “Të zhduket shirku, idhujtaria, e të mos adhurohet askush tjetër përveç Allahut, i Cili nuk ka shok, e kështu tërhiqet nga robërit e Allahut sprova e tyre.” Ndërsa për frazën “e të aplikohet feja për Allahun”, thotë: “Derisa të jetë nënshtrimi dhe adhurimi i sinqertë për Allahun, jo për dikë tjetër.”3

Ndërsa imami Ibën Kajjim El-Xhevzijeh thotë: “Për shkak të tevhidit janë ngritur shpatat e luftës.”4

8- Besimi, tevhidi, është obligimi i parë ndaj robërve:

Allahu i Lartësuar thotë: “…dhe dije se nuk ka të adhuruar tjetër me meritë përveç Allahut.”

Imam Buhariu, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Ka filluar me diturinë para fjalës dhe veprës.”5

Transmetohet nga Ibën Abbasi, Allahu qoftë i kënaqur me të, se i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ve sel-lem, kur e dërgoi Muadhin në Jemen, i tha: “Ti me të vërtetë po shkon te një popull prej ithtarëve të librit (të krishterë e hebrenj). Gjëja e parë që do t’u kumtosh le të jetë dëshmia se nuk ka të adhuruar tjetër me meritë përveç Allahut. Nëse të përgjigjen…”6

Në një transmetim: “Thirri ata derisa ta njësojnë Allahun e Lartësuar.”

9- Besimi, tevhidi, është natyrshmëria në të cilën Allahu i ka krijuar njerëzit.

Allahu i Lartësuar thotë: “Përqendro vetveten tënde sinqerisht në fenë, e i larguar prej çdo të kote, (e ajo fe), feja e Allahut në të cilën i krijoi njerëzit, s’ka ndryshim të asaj natyrshmërie të krijuar nga Allahu, ajo është feja e drejtë, por shumica e njerëzve nuk e dinë.”

I Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Çdo i lindur lind në natyrshmëri (Islam), e prindërit e tij e bëjnë çifut, të krishterë ose zjarrputist.”7

Më poshtë do të jepet edhe sqarimi i natyrshmërisë.

10- Veprat pranohen vetëm me besim të pastër.

Allahu i madhërishëm në disa ajete thotë: “Kush bën vepër të mirë, qoftë mashkull ose femër, e duke qenë besimtar, Ne do t’i japim atij një jetë të mirë (në këtë botë), e (në botën tjetër) do t’u japim shpërblimin më të mirë për veprat e tyre.”

“Me të vërtetë ty të është shpallur, e edhe atyre para teje, nëse i bën shok (Allahut), veprat e tua janë të asgjësuara dhe ti do të jesh prej të humburve.”

“…e sikur t’i përshkruajnë shok Zotit, kishte për t’ju shkuar huq ajo që kanë vepruar.”

11- Bindja, besimi, nëse vërtetohet te një person, do ta ruajë gjakun dhe pasurinë e tij. Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ve sel-lem thotë: “Jam urdhëruar t’i luftoj njerëzit derisa të dëshmojnë se nuk meriton të adhurohet askush përveç Allahut dhe se Muhamedi është i Dërguar i Tij. Nëse e dëshmojnë këtë, janë të mbrojtur gjaku dhe pasuria e tyre, përveç me të drejtë të Islamit, e llogaria e tyre është tek Allahu.”8

Gjithashtu ka thënë: “Kush thotë La ilahe il-laAllah (s’ka të adhuruar tjetër me meritë përveç Allahut) dhe ka mohuar ato që adhurohen pos Zotit, është e ndaluar pasuria dhe gjaku i tij, e llogaria e tij është tek Allahu.”9

12- Vendi i pasuesve të besimit të pastër është xhenneti. Allahu i madhërishëm thotë:

“…ai që i përshkruan Zotit shok, Allahu ia ka ndaluar atij xhennetin dhe vendi i tij është zjarri. Për mizorët nuk ka ndihmës.”

Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ve sel-lem thotë: “Kush e takon Allahun duke mos i bërë shok Atij askënd, do të hyjë në xhenet. Ndërsa kush e takon Atë duke i bërë shok, do të hyjë në zjarr.”10

I Dërguari i Allahut gjithashtu thotë: “Kush dëshmon se nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut, i Cili nuk ka shok, se Muhamedi është rob dhe i Dërguar i Tij, se Isai është rob i Allahut dhe i Dërguar i Tij dhe është si rezultat i fjalës së Allahut “bëhu”, që i është drejtuar Merjemes, e është frymë (shpirt) nga Allahu, se xhenneti është i vërtetë e zjarri i vërtetë, do ta fusë Allahu në xhennet prej cilësdo derë prej tetë dyerve të tij.”11

Në një transmetim të Muslimit thotë: “Do ta fusë Allahu atë në xhennet, edhe nëse ka pak vepra.”

Gjithashtu thotë: “Allahu ia ka ndaluar zjarrin atij që thotë la ilahe ilallah duke e bërë këtë vetëm për hir të Allahut.” 12

13- Besimi është shkak i faljes së të gjitha mëkateve. Allahu i madhërishëm thotë:

“Allahu me të vërtetë nuk e fal (mëkatin) t’i përshkruhet Atij shok (idhujtarinë), e përpos këtij (mëkati) i fal kujt do.”

Muhamedi sal-lAllahu alejhi ve sel-lem thotë: “Allahu i Madhëruar ka thënë: “O biri Ademit, sikur të më vish sa Toka me mëkate e pastaj më takon Mua pa më shoqëruar askënd, do të vij me po aq falje.”13

14- Allahu e ka bërë tevhidin, njësimin e Tij, prej të drejtave më të mëdha, ndërsa shirkun, idhujtarinë, prej mëkateve më të mëdha. Allahu i madhërishëm thotë: “Zoti yt ka dhënë urdhër të prerë që të mos adhuroni tjetër pos Tij…”

Gjithashtu thotë: “Nëse largoheni prej mëkateve të mëdha, të cilat u janë të ndaluara, Ne ju shlyejmë mëkatet e vogla dhe ju fusim në një vend të ndershëm.”

Transmetohet nga Muadh ibën Xhebeli, Allahu qoftë i kënaqur me të, të ketë thënë: “Isha mbrapa Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ve sel-lem i hipur në gomar, kur ai më tha: “O Muadh, a e di cila është e drejta e Allahut për robërit dhe e drejta e robërve për Allahun?” Thashë: “Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë më së miri.” Më tha: “E drejta e Allahut për robërit është që ta adhurojnë Atë dhe mos t’i bëjnë shok, ndërsa e drejta e robërve për Allahun është të mos i dënojë ata që nuk i bëjnë shok Atij.”14

15- Besimi është shkaku më i madh në largimin e sprovave të kësaj bote dhe të botës tjetër. Allahu i madhërishëm thotë: “E atyre të cilëve u priu e mbara nga ana Jonë, do të jenë larg tij (xhehennemit). Ata nuk do të dëgjojnë as zhurmën e tij dhe ata do të jenë përgjithmonë të kënaqur me atë që e dëshirojnë vetë. Ata nuk do t’i shqetësojë ajo frika e madhe (e fryrjes së surit) dhe do t’i presin engjëjt (duke u uruar): “Kjo është dita juaj, që ju premtohej.”

Gjithashtu Allahu thotë: “Kush bën vepër të mirë, qoftë mashkull ose femër, e duke qenë besimtar, Ne do t’i japim atij një jetë të mirë (në këtë botë) e (në botën tjetër) do t’u japim shpërblimin më të mirë për veprat e tyre.”

16- Besimi, tevhidi, është prej shkaqeve më të mëdha që të fitohet ndërmjetësimi i pronarit të mekamu el-mahmud,15 sal-lAllahu alejhi ve sel-lem. Transmetohet nga Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur me të, se ka thënë: “I kam thënë të Dërguarit të Allahut: “Kush e meriton më shumë shefatin (ndërmjetësimin) tënd?” Më ka thënë: “Kush thotë la ilahe ilallah (nuk ka të adhuruar me meritë përveç Allahut) i sinqertë, nga thellësia e zemrës.”16

17- Atyre që kanë besim të pastër Allahu u ka garantuar ndihmën, udhëzimin, sigurinë dhe sundimin në këtë botë. Allahu i madhërishëm thotë: “Atyre nga mesi juaj, të cilët besuan dhe bënë vepra të mira, Allahu u premtoi se do t’i bëjë zotërues në atë tokë ashtu siç i bëri zotërues ata që ishin para tyre dhe fenë të cilën Ai e pëlqeu për ta, do ta forcojë e në vend të frikës Ai do t’u dhurojë siguri. Ata më adhurojnë Mua e nuk më shoqërojnë asgjë. E kush edhe pas kësaj mohon, të tillët janë ata (fasikunët) më të prishurit.”

Gjithashtu Allahu thotë: “Ata që besuan dhe besimin e tyre nuk e ngatërruan me idhujtari (shirk), atyre u takon të jenë të sigurt dhe ata janë në rrugë të drejtë.”

18- Besimi mbjell te pronari i saj forcë dhe qëndrueshmëri para sprovave, vështirësive, mundimeve e problemeve duke qenë kështu pasues i Pejgamberëve, të cilët e sollën këtë akide, besim, nga Allahu dhe ishin të durueshëm në rrugën e Allahut.

19- I pastron zemrat e besimtarëve nga shkaqet e ndarjes dhe përçarjes, me të cilat janë sprovuar pasuesit e epsheve dhe risive (bidateve).

20- Besimi, tevhidi, bën që robi të jetë i pavarur dhe i lirë e të mos i nënshtrohet dhe përulet askujt nga krijesat.

Kjo na u mundësua të shkruajmë rreth vlerave të besimit, e ato ishin disa shenja të cilat i kupton i mençuri. E, Allahu e di qëllimin!

Referencat:

1 Vlera e diturisë së selefit ndaj halofit, Ibën Rexheb El-Hanbelij.

2 Mexhmul-fetava.

3 Xhamiu el-bejan (9\162).

4 Zadu el-mead (1\34).

5 Fet’hu el-barij (1\34).

6 Buhariu (1458), Muslimi (19), (31).

7 Buhariu (1292) dhe Muslimi (2658).

8 Buhariu (1399), Muslimi (21), Ebu Davudi (640), Tirmidhiu (606), Nesaiu (3986), nga Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur me të.

9 Muslimi (23).

10 Muslimi ((93), (153), Ahmedi (3\325), nga Xhabiri, Allahu qoftë i kënaqur me të.

11 Buhariu (3435), Muslimi (28), nga Ubadete ibën Samiti, Allahu qoftë i kënaqur me të.

12 Buhariu (425), (6938), dhe kjo frazë është prej tij; Muslimi (33) nga Utban ibën Maliku, Allahu qoftë i kënaqur me të.

13 Tirmidhiu (3534), Ahmedi (5\154). Dijetari ynë, Imam Albani, Allahu e mëshiroftë, e ka saktësuar në “es-Silsiletus-sahiha” (128).

14 Buhariu (2856), (7373), Muslimi ((30), (49).

15 Mekamu el-mahmud është vendi i lavdëruar që i është premtuar Resulullahut sal-lAllahu alejhi ve sel-lem.

16 Buhariu (99), (6570).

Shkëputur nga libri “El-Mukaddimeh er-Reshideh” të dr.Muhammed Alu Nasër

You may also like...