Veprat më të mira që duhet ti bëj muslimani

Thotë Allahu i Lartmadhëruar për Profetët: “Ata shpejtonin në vepra të mira” (Enbija: 90) Dhe duke folur për cilësitë e robërve të Tij të devotshëm thotë Zoti ynë: “Ata shpejtojnë në kryerjen e veprave të mira dhe për to garojnë (me njëri-tjetrin, kush kryen më shumë prej tyre)” (Mu’minun: 61)

Veprat e mira që mund të bëjë muslimani janë të shumta dhe të shumëllojshme, por cilat janë më të mirat prej tyre dhe ato që shpërblehen më shumë?

Thotë Ibn Tejmijeh – Allahu e mëshiroftë: “Disa dijetarë thonë: ‘Të shkruash hadithe (të mësosh hadithe, të merresh me dije) është më mirë se sa të falësh namaz nafile (vullnetare).’
Disa të tjerë thonë: ‘Të fal dy rekate natën kur nuk më shikon askush, është më e mirë se sa të shkruaj 100 hadithe.’ Një tjetër imam thotë: ‘Përkundrazi më e mira është të bësh atë edhe këtë’. (T’i ndërthurësh)
Dhe më e mira ndryshon në varësi të rrethanave dhe njerëzve.
Për shembull: Ka nga punët që lloji i saj është më i mirë, por në disa kohë është më pak i mirë, apo i ndaluar (në disa kohë). Si psh: namazi, ai është më i mirë se këndimi i Kuranit, dhe këndimi i Kuranit është më i mirë se sa përmendja e Allahut (dhikri), dhe dhikri është më i mirë se duaja (lutja). Pastaj namazi në disa kohë është i ndaluar, si psh pas sabahut dhe pas ikindisë, dhe gjatë kohës së khutbes (ditën e xhuma) është i ndaluar….”

Për ta ilustruar po përmend disa hadithe që flasin për punët më të dashura tek Allahu i Lartësuar:

  1. Namazi në kohën e vet.
  2. Mirësjellja ndaj prindërve.
  3. Përpjekja në rrugë të Allahut

Të cilat kanë ardhur në hadithin ku Adbullah ibn Mes’udi e pyet Profetin – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të: “Cila punë është më e dashur për Allahun? – (Profeti alejhis selam) tha: Namazi në kohën e tij.- I tha – Po pas saj? – i tha: Mirësjellja ndaj prindërve – Tha: Po pas saj? – tha: Përpjekja në rrugë të Allahut. – Tha (Ibn Mes’udi) : Më tregoi për to, dhe sikur ta kisha pyetur më shumë, do të më kishte shtuar”  Transmeton Bukhari.

  • Po ashtu Allahu i do punët që janë të vazhdueshme edhe nëse ato janë pak. Siç ka ardhur në hadithin vijues:

Transmeton Muslimi nga Aishja – radijallahu anha – se Profeti – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – u pyet: “Cila punë është më e dashur tek Allahu? – Ai tha: Ajo që është e vazhdueshme qoftë edhe pak”

Mësimi i një ajeti çdo ditë, apo i një hadithi, apo leximi i një faqeje nga Kurani, apo leximi i tre faqeve nga një libër i dijes fetare çdo ditë, apo falja çdo ditë e dy rekateve të namazit ‘duha’ (paradites), apo ta bëjë zakon muslimani që çdo ditë të xhuma të japë sadaka diçka prej pasurisë  etj. Të gjitha këto janë punë që Allahu i do dhe kënaqet prej tyre.

  • Fjalët më të dashura tek Allahu:

Ka thënë i Dërguari i Allahut – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të: “Fjalët më të dashura tek Allahu janë katër: Subhanallah (I patëmeta është Allahu), Elhamdu lilah (Falenderimi i përket Allahut), La ilahe il lall llah (Nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë veç Allahut) dhe Allahu Ekber (Allahu është më i Madhi). Nuk ka problem me cilën prej tyre fillon.” (Transmeton Muslimi)

  • Madhështia e shpërblimit të përmendjes së Allahu të Lartësuar:

Ka thënë Profeti – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të: “A tju njoftoj se cila është puna juaj më e mirë, më e pastër tek Mbreti (Zoti) juaj, që ju ngre më shumë në grada, që është më e mirë për ju se sa shpenzimi i (dhënia lëmoshë e)  arit dhe argjendit, që është më e mirë për ju se sa të përballeni me  armikun tuaj dhe ai tjua godasë qafat dhe ju tua godisni qafat atyre? – i thanë – Posi jo! – Tha – Përmendja e Allahut të Lartësuar (dhikri).” Transmeton Ahmedi,  Tirmidhiu, etj dhe e ka saktësuar, el Hafidh el Irakij, Beghauij, Albani, Mukbil, etj.

Po ashtu ka thënë: “Më i miri prej jush është ai që e mëson Kuranin dhe ua mëson atë të tjerëve”  E transmeton ‘El xhemaah’ përveç Muslimit. (Dmth: Bukhari, Ebu Daudi, Tirmidhi etj)

  • Po ashtu nga veprat që nuk duhen lënë, është edhe një sunet që nuk zbatohet në mesin tonë veçse pak. Dhe ai është dhikri i veçantë që ka ardhur menjëherë pas namazit të sabahut dhe akshamit dhe ka shpërblim të madh.

Nga Abdurrahman ibn Ganm përcillet se Profeti – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – ka thënë: “Kush thotë para se të shtrijë këmbët ashtu siç i kishte prej namazit të akshamit dhe të sabahut: ‘La ilahe il lall llahu uahdehu la sherike leh, lehul mulku ue lehul hamd, juhji ue jumit, ue hue ala kul li shej’in kadiir’ (Askush nuk meriton të adhurohet me të drejtë veç Allahut, i Cili është i Vetëm pa ortak. Atij i takon mbretëria dhe Atij i takon lavdërimi, Ai ngjall dhe vdes dhe Ai është i Plotfuqishëm për gjithçka) dhjetë herë, Allahu do t’i shkruajë me çdonjërën prej tyre dhjetë shpërblime dhe do t’i fshijë prej tij dhjetë të këqija (gjynahe), do ta ngrejë dhjetë grada, ato do ta mbrojnë atë nga çdo gjë e urryer, janë mbrojtje për të nga shejtani i mallkuar dhe asnjë gjynah nuk do ta arrijë atë, përveç shirkut (idhujtarisë) dhe do të jetë nga njerëzit që ka vepruar punën  më të mirë, përveç atij që e thotë më shumë se ai” Transmeton Ahmedi dhe  është ‘hasen li gajrihi’ (i mirë me mbledhjen e rrugëve të transmetimit).[1]

Pra kush e thotë këtë dhikër: i shkruhen 100 sevape, i fshihen 100 gjynahe, do të ngrihet 100 grada, do të jetë i mbrojtur nga çdo gjë e urryer, do të jetë i mbrojtur nga shejtani i mallkuar, do të jetë i mbrojtur nga gjynahet përveç shirkut dhe është njeriu që ka bërë punën më të mirë atë ditë, përveç atij që e thotë atë më shumë se ai.

Siç shihet hadithet në këtë temë janë të shumta dhe ato që s’janë përmendur janë më shumë. Prandaj cili është rregulli që e rregullon këtë çështje? Apo cili është përkufizimi i duhur për punën më të mirë? Kësaj pyetje i është përgjigjur dijetari i madh Ibn Kajjim el Xheuzijeh – Allahu i Lartësuar e mëshiroftë dhe në Xhennetet Firdeus me të na bashkoftë, bashkë me Profetin tonë të dashur alejhis selam dhe sahabët – riduanullahi teala alejhim.

Thotë ibnul Kajjim: “Prandaj më e mira në çdo kohë dhe rrethanë është: t’i japësh përparësi asaj që do Allahu në atë kohë dhe gjendje, dhe të merresh me detyrën e asaj kohe, dhe realizimin e saj.”

Po ju jap disa shembuj:

Cila është puna më e mirë që mund të bëjë muslimani në kohën kur thërritet ezani? Të falë dy rekatet e xhamisë (që janë detyrë para se të ulesh),apo të lexojë Kuran, apo të bisedojë me shokun, apo të përsërisë ezanin?

Ndoshta përmendja e një apo dy haditheve që kanë ardhur në këtë temë do të na e bëjë më të lehtë përgjigjen e kësaj pyetjeje:

Hadithi i parë: Nga Umer ibnul Khattabi – radijallahu anhu – transmetohet se ka thënë: Ka thënë i Dërguari i Allahut – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të: “Kur muezini thotë: ‘Allahu ekber Allahu ekber’ dhe thotë ndonjëri prej jush: ‘Allahu ekber Allahu ekber’…. derisa sa tha: Pastaj thotë muezini: ‘La ilahe il lall llah’ dhe ai thotë: ‘La ilahe il lall llah’ nga zemra e tij, hyn në Xhennet.” Transmeton Muslimi dhe ‘Sahih Sunen Ebi Daud’(527).

Dobi: Ka ardhur tek shpjegimi i të ‘Saktit të Muslimit’ nga Imam Neueuij: “Dhe në këtë ka shenjë të qartë për atë se muezini i thotë tekbiret bashkë, dyshe dyshe (sh.p.: Allahu ekberull llahu ekber) dhe kështu bën edhe ai që i përsërit pas tij.”[2]

Hadithi i dytë: Transmeton Muslimi nga Abdullah ibn Amr ibnul As – radijallahu anhuma – se e ka dëgjuar Profetin – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – të thotë: “Kur të dëgjoni muezinin, thoni siç thotë ai, pastaj dërgoni salavate mbi mua, sepse ai që më dërgon një salavat mua Allahu do t’i dërgojë atij dhjetë salavate. Pastaj kërkojini Allahut për mua (që të më japë) ‘El Uesileh’, ajo është një gradë në Xhennet që nuk i takon veçse njërit prej robërve të Allahut  dhe unë shpresoj të jem ai rob. Prandaj kush i kërkon Allahut të më japë mua ‘El Uesileh’, do t’i lejohet atij ndërmjetësimi im”  

Pra punët që e kënaqin Allahun gjatë kohës së ezanit janë: Përsëritja e fjalëve të muezinit dhe nëse këto thuhen me besim dhe sinqeritet e fusin robin në Xhennet. Pastaj dërgohet salavat mbi Profetin – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – dhe pastaj bëhet duaja e ezanit. Pastaj jemi udhëzuar që të bëjmë dua, sepse në ato çaste hapen dyert e qiellit dhe duaja ngjitet lartë dhe nuk kthehet mbrapsht. Siç ka ardhur në hadith të saktë.

Dhe shembulli tjetër: Nëse të vjen një mik në shtëpi, cila është puna më e mirë që mund të bësh? Të kthehesh nga ana tjetër dhe të lexosh Kuran? Të ngrihesh dhe të falësh namaz nafile? Apo të nderosh mikun?

S’ka dyshim se në ato çaste puna më e mirë që mund të bëjë robi është të mirëpresë mikun, sepse Profeti – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – ka thënë: “Kush beson Allahun dhe Ditën e Fundit le ta nderojë mikun e tij” Bukhari, Muslim.

Prandaj le ta adhurojmë Allahun me dije, dhe të njohim detyrimin e kohës, dhe shpërblimet që merren në raste dhe rrethana të caktuara e që s’mund t’i marrim në raste të tjera. Dhe që të bëhemi të zgjuar dhe fukaha – që e kuptojnë fenë ashtu siç duhet dhe nga ata që kuptojnë se çfarë do Allahu dhe i Dërguari i Tij prej nesh në kohë të ndryshme -, le të mësojmë fikhun, hadithin, tefsirin, akiden. Pra le t’i jepemi dijes, dhe të marrim prej saj sa të mundemi dhe të zbatojmë ato sunete që mësojmë, në mënyrë që të mos i harrojmë.

Dhe ky është edhe përkufizimi që i ka bërë ‘takuas’ (devotshmërisë) njëri prej dijetarëve duke thënë: “Devotshmëri është ta adhurosh Allahun me dritë nga Allahu, duke shpresuar shpërblimin e Allahut. Dhe të lësh atë që e ka ndaluar Allahu me dritë prej Allahut, duke iu frikësuar dënimit të Allahut”

Dhe që ta adhurosh Allahun me dritë dhe tu largohesh ndalesave të Tij, për të gjitha këto duhet dije nga Allahu, dmth nga Kurani dhe nga Suneti.

Dhe Allahu e di më mirë. Falenderimi i takon Allahut. Paqja dhe lavdërimet e Tij qofshin mbi Profetin, familjen dhe shokët e tij.  

[1] Shiko “Sahih et terghib uet terhib” (472) dhe “Es Sahihah” (114, 2563). “El meusuatul fikhijetul mujesserah”/ vëll. 2/ fq. 99.

[2]  “Sherh En Neueuij li sahih muslim” (3/ 79). Shiko: “El Uexhiz fi fikhis sunneti uel kitabil Aziz”/ fq.77/ Dar Ibn Rexheb, i Abduladhim el Bedeuij – Allahu e ruajtë!

You may also like...