Thënie të arta nga Ibn Tejmije

Shejhul Islam Ibn Tejmijeh ka thënë:

Kur dynden dy detyrime (vaxhibe) duke mos qenë e mundur kryerja e të dyve, atëherë do t’i jepet përparësi më të rëndësishmit prej tyre, dhe në fakt nuk do konsiderohet që e ka lënë detyrimin tjetër (atë më pak të rëndësishmin). E njëjta gjë thuhet edhe kur njeriu përballet me dy ndalesa dhe nuk është e mundur që të shmanget më e rënda prej tyre veçse duke e vepruar më të lehtën prej tyre, atëherë në këtë rast kryerja e ndalesës më të vogël nuk përbën realisht diçka të gabuar. Ndaj në të dy situatat e mësipërme nuk konsiderohet të ketë vepruar gabim, pavarësisht se parimisht veprimi quhet lënie e vaxhibit apo kryerje e ndalesës, në të vërtetë cilësohet lënie e vaxhibit për shkak të një arsyeje të konsiderueshme, si dhe kryerje e ndalesës për shkak të diçkaje të domosdoshme, apo të një dobie shumë të madhe, apo për të shmangur diçka akoma më të rëndë.

Shembull i kësaj është kur dikë e ka zënë gjumi në kohën e namazit apo e ka harruar, atëherë e fal kaza sapo të zgjohet, apo kujtohet, në çfarëdo kohe, pa përcaktime dhe kufizime, siç ka thënë Profeti – salallahu alejhi ue selem: “Kush fle nga namazi i tij apo e harron, le ta falë atë kur ta kujtojë, nuk ka shlyerje tjetër përveç kësaj”.

Kjo çështje – përplasja dhe rivaliteti ndërmjet dy gjërave – është shumë e gjerë, veçanërisht kur zgjerohemi në kohë dhe hapësirë, në kohëra dhe vende të ndryshme, të largëta nga gjurmët profetike dhe sundimi i khalifëve, atëherë shtohen çështjet e kësaj natyre, sepse sa më shumë shtohet mangësia e gjurmëve profetike dhe e largësisë me atë kohë, aq më shumë shtohen këto lloj çështjesh.

Kjo largësi nga ajo kohë është dhe një nga shkaqet e fitneve që ndodhin në umet, sepse sa më shumë që përzihen të mirat me të këqijat aq më të paqarta dhe të ndërthurura bëhen situatat. Disa njerëz mund të shohin vetëm anët e mira dhe u japin përparësi arritjes së tyre – pavarësisht nëse kjo shkakton dëme të mëdha -, ndërsa disa të tjerë shohin vetëm anët negative dhe i japin përparësi shmangies së tyre – pavarësisht nëse kjo shkakton humbjen e shumë të mirave të mëdha.

Ndërsa të mesmit janë ata që i marrin në konsideratë të dy anët, dhe ndodh që ndoshta atyre – apo shumicës së tyre – nuk u bëhet e mundur të dallojnë qartë baraspeshimin ndërmjet të mirave dhe të këqijave, apo edhe nëse e e bëjnë këtë baraspeshim, nuk gjejnë njerëzit e duhur që t’i ndihmojnë në kryerjen e këtyre të mirave dhe në shmangien prej të këqijave, sepse tekat e njerëzve janë bashkëshoqëruese të mendimeve dhe ideve, ndaj duhet që dijetari t’i meditojë dhe kuptojë këto çështje dhe dallime.

Nganjëherë është e detyrueshme në disa çështje të caktuara që të ketë falje në vend të përmbushjes së urdhëresës apo ndëshkimit të ndalesës – kuptohet jo duke e konsideruar haramin hallall apo duke e shfuqizuar ndalesën. P.sh: në qoftë se porosia e tij për një lloj adhurimi bëhet shkak për të rënë në një gabim më të madh se dobia e shpresuar nga ai adhurim, atëherë në këtë rast lihet porosia për atë adhurim specifik në mënyrë që të shmangim ndodhinë e atij gabimi më të madh.

Si shembull të kësaj mund të përmendim: Denoncimi i një mëkatari tek një sundimtar zullumqar, i cili i dënon njerëzit më shume se sa ndëshkimet e përcaktuara në tekstet e sheriatit, duke i shkaktuar atij një dëm shumë herë më të madh se sa gabimi (mëkati) që ai ka kryer. Shembull tjetër është rasti kur qortimi dhe ndalimi nga një e keqe mund të shkaktojë pengimin e arritjes së një të mire, dobia e së e cilës është shumë herë më e madhe se sa shuarja e asaj të keqeje specifike, ndaj hesht nga ai qortim në mënyrë që të mos shkaktojë humbjen e diçkaje më madhore që është e urdhëruar nga Allahu dhe i Dërguari i Tij, se sa dëmi i heshtjes kundrejt asaj të keqeje.

Dijetari nganjëherë porosit, nganjëherë qorton, nganjëherë e cilëson diçka si të lejuar, nganjëherë hesht nga porosia apo kritikimi, ndaj dhe në rastin kur ndodh një lloj dyndjeje apo përplasjeje ndërmjet dy koncepteve përpiqet të zgjedhë më të mirën e mundshme.

Në rastet kur urdhëresa apo ndalesa nuk është e kushtëzuar me mundësinë, qoftë për shkak të injorancës së individit apo zullumit të tij, dhe është e pamundur në atë çast largimi i asaj injorance prej tij, apo largimi i padrejtësisë që po bën, atëherë ndoshta më e përshtatshmja është frenimi nga urdhërimi apo qortimi.

Siç është parimi tek dijetarët: Ka disa çështje përgjigjja e të cilave është heshtja, ashtu siç ka heshtur Ligjvënësi në fillim të Islamit nga disa çështje – qoftë urdhëresa apo ndalesa – derisa u përhap dhe u lartësua Islami. Të njëjtën praktikë ndjek edhe dijetari në rolin e përcjellësit komunikues, mund ta vonojë sqarimin e diçkaje deri në kohën e përshtatshme, siç vonoi Allahu shpalljen e disa ajeteve dhe vendosjen e disa dispozitave, derisa iu bë e mundur Profetit – salallahu alejhi ue selem – komunikimi dhe sqarimi i tyre tek populli.

Këtë e vërteton më së miri ajeti kuranor ku Allahu thotë: “Ne nuk e dënojmë një popull para se t’u dërgojmë atyre të Dërguar”. Kjo sepse argumenti u arrin njerëzve dhe u ndërpritet justifikimi vetëm nëpërmjet dy elementëve:

  1. Pasja e njohurisë rreth asaj që Allahu ka zbritur. (Dija)
  2. Aftësia dhe mundësia për ta praktikuar atë dituri. (Mundësia)

Ai që nuk ka mundësi ta njohë diturinë rreth dispozitave të kërkuara nga Allahu, është në të njëjtën pozitë me të çmendurin i cili nuk logjikon. Ai që është i pafuqishëm për diçka, as nuk mund të urdhërohet për të apo të qortohet për moskryerjen e tij. E njëjta gjë thuhet në mënyrë të pjesshme për dikë i cili nuk e njeh diçka të fesë, apo nuk i ka mundësitë për praktikimin e asaj gjëje, njësoj siç thamë për atë që nuk e njeh fenë në tërësi, duke e përngjasuar me të çmendurin.

Këto janë ato kohët e mungesës së diturisë dhe argumentit në mesin e njerëzve . Në qoftë se ekzistojnë njerëz të përkushtuar që e marrin përsipër përhapjen e fesë dhe diturisë, sundimtarë dhe dijetarë, apo të dyja palët së bashku – duke sqaruar atë me të cilën u dërgua Muhamedi salallahu alejhi ue selem, duhet ta bëjnë këtë hap pas hapi, në mënyrë graduale, njësoj siç bëri Profeti – salallahu alejhi ue selem – në kohën e tij, hap pas hapi, në mënyrë të përshkallëzuar.

Siç dihet Profeti – salallahu alejhi ue selem – përcillte te njerëzit vetëm ato gjëra që mund të njiheshin dhe kuptoheshin prej tyre, dhe që ishte në aftësinë dhe mundësinë e tyre që ta praktikonin. Gjithashtu dimë që feja nuk erdhi e tëra njëherësh. Ndaj ekziston dhe proverbi i cili thotë: “Nëse do që dikush të të bindet, urdhëroje për diçka që ai mundet ta bëjë.” Të njëjtën metodë duhet të ndjekë ripërtëritësi i fesë dhe Sunetit në kohë dhe vende të ndryshme, komunikon vetëm aq sa është e mundshme të njihet dhe të praktikohet.

Ai që sapo hyn në Islam nuk mund t’i thuhen të gjitha dispozitat dhe as të urdhërohet me të gjitha ato. E njëjta gjë thuhet në lidhje me atë që pendohet nga mëkatet, apo që ka ardhur dhe do të mësojë, apo dikush që vjen dhe kërkon këshillë, pra nuk mund t’ia thuash të gjitha njëherësh. Nuk e urdhëron për të gjithë fenë dhe as nuk ia bën dot të njohur të gjithë diturinë, sepse ai nuk e përballon dot diçka të tillë, dhe duke qenë se nuk e përballon dot as nuk e ka detyrë në atë gjendje.

Për këtë arsye nuk i takon dijetarit apo sundimtarit që t’ia ngarkojë të gjitha gjërat njëherazi, përderisa nuk i ka të gjitha detyrë njëkohësisht në atë gjendje që është. Përkundrazi e anashkalon atë urdhëresë apo ndalesë – të cilën ai as nuk e njeh dhe as nuk e përballon dot – deri në kohën kur të jetë e mundur për të, siç veproi Profeti – salallahu alejhi ue selem – i cili i fali disa njerëz deri në kohën që iu sqarua dhe iu mundësua praktikimi i dispozitës.

Kjo sjellje dhe ky trajtim nuk konsiderohet aprovim i të ndaluarave dhe as heqje dorë nga urdhërimi për kryerjen e obligimeve, sepse siç e thamë: obligueshmëria e diçkaje, apo ndalimi i diçkaje tjetër është gjithmonë e kushtëzuar me mundësinë e njohjes dhe të zbatimit të saj.

Meditoje këtë parim sepse është shumë i dobishëm.

Nga këtu kuptojmë që në disa raste lihen mënjanë ca çështje – pavarësisht se në parim janë obligime apo ndalesa -, për shkak se pamundësia e arritjes së diturisë me të cilën i ngrihet argumenti, apo paaftësia për zbatimin e një urdhërese, e bën jo të detyrueshëm atë urdhër, si dhe nuk e ngarkon me mëkat për mos shmangien nga ajo ndalesë.

Nën këtë parim, përfshihet dhe rasti kur dijetari apo sundimtari, vepron diçka sipas ixhtihadit (hulumtimit shkencor) apo taklidit (pasimit të një dijetari), ndërkohë që një dijetar apo sundimtar tjetër nuk ka të njëjtin mendim me atë të parin, atëherë nuk i lejohet që ta urdhërojë të dytin për të pasuar mendimin e tij, sepse nuk i takon atij që ta pengojë tjetrin nga pasimi i ixhtihadit personal dhe as t’ia imponojë atij mendimin e vet.
Meditoje këtë sepse është një kapitull shumë i gjerë.

Zgjodhi dhe përktheu Shuajb Rexha

You may also like...