Tefsir disa ajete nga surja Lejl

Thotë Allahu i Lartësuar në fund të sures Lejl:
17.”Dhe do të shmanget prej tij (Xhehennemit) më i devotshmi (më i qëndrueshmi në kufijtë e Allahut).

  1. Ai që e jep pasurinë e vet për tu pastruar. (Ai që jep sadekah, zekat për të pastruar shpirtin prej sëmundjes së koprracisë, dhe për të pastruar pasurinë e vet prej çfarë i është bashkangjitur asaj prej haramit)
  2. Dhe nuk ia jep pasurinë dikujt si shpërblim për një të mirë që i ka bërë. (Jo për t’i kthyer borxhin, apo për t’ia kthyer të mirën me të mirë, por e mirë që ai është nismëtar i saj, pa shkak të mëparshëm, përveç se:
  3. Vetëm për të arritur kënaqësinë e Zotit të Tij më të Lartit. (Kënaqësi e Tij e cila shpërblimin e saj më të madh ka, shikimin në Fytyrën e Allahut, Krijuesit, në Xhennetet e Tij të Larta)
  4. Dhe ai do të kënaqet.”

I tilli do të kënaqet. Do të kënaqet në dynja, duke pasur një jetë të lumtur në të? Apo do të kënaqet në Akhiret kur të shikojë shpërblimin prej Allahut, shpërblyesit më Bujar?

Do të kënaqet! E përgjithshme, e pakufizuar me njërën botë apo tjetrën. Dhe shpërblimi kur vjen i papërcaktuar, tregon për madhështinë e tij! Është më i madh seç mund të përkufizohet! Do të kënaqet prej Allahut të Lartmadhëruar, pasi Ai është kënaqur me veprën e tij, prandaj Ai do ta kënaqë ashtu siç di vetëm Ai ta kënaqë robin e vet. Ai që ia di shumë mirë ndjenjat, kënaqësitë, lumturinë… Do të kënaqet!

Praktikisht si kuptohet ajeti i fundit? Me një shembull të thjeshtë:

Nëse ti i dhuron një muslimani të varfër një shumë parash, një shumë të atillë parash që për ty mund të jetë modeste, por për atë është e atillë që gati mund t’i pushojë zemra nga kënaqësia dhe e bën t’i merret fryma, sepse i zgjidh një hall..! Çfarë ke bërë ti në këtë rast? Ti ke futur kënaqësi në zemrën e një njeriu! Dhe Profeti – sal lall llahu alejhi ue sel lem – na ka njoftuar se vepra më e mirë është të futësh kënaqësi në zemrën e muslimanit.

Dhe të vjen shpërblimi prej Allahut sipas veprës, ti kënaq një rob të Allahut, Allahu të kënaq ty! “A është shpërblimi i të mirës diçka tjetër veçse e mira?!” (Rahman: 60)
Dhe automatikisht, nga thellësia e shpirtit të tij do të dalë një lutje që asgjë nuk e ndal të ngrihet drejt më Bujarit…! Por përsëri nuk është ky shpërblimi më i madh për veprën që ti ke bërë, ky është vetëm një shpërblim shtesë, shpërblim mbi shpërblimin e madh, që është Kënaqësia e Allahut.

“Dhe ai do të kënaqet!”

Allahu na bëftë të këtillë! Amin!

 

You may also like...