займы онлайн

Si ta njohim të Dërguarin e Allahut (Paqja qoftë mbi të!)

Pyetje – përgjigje që na njohin me të Dërguarin e Allahut (Paqja qoftë mbi të!)

  1. Pyetja e gjashtëmbëdhjetë: Cili është Profeti ynë?

Përgjigjja: Muhamedi (Paqja qoftë mbi të!), i Dërguari i Allahut.

  1. Pyetja e shtatëmbëdhjetë: Çfarë kuptojmë me fjalët ‘Muhamedi i Dërguari i Allahut’? Çfarë na obligon kjo fjalë?

Përgjigjja: Kjo do të thotë se: Allahu i Madhëruar e dërgoi Muhamedin si mëshirë për mbarë njerëzimin, e njëkohësisht si përgëzues për punëmirët dhe qortues për keqbërësit.

Duke e pohuar këtë, ne obligohemi që: 

– Të besojmë çdo gjë për të cilën ai na ka lajmëruar.

– Të jemi të dëgjueshëm në lidhje me çfarë ai na ka urdhëruar.

– Të distancohemi nga çfarë ai na ka ndaluar dhe ka tërhequr vërejtje.

– Ta adhurojmë Allahun vetëm sipas mënyrës që ai na ka mësuar.

  1. Pyetja e tetëmbëdhjetë: A e di emrin e plotë të Profetit tonë, duke përmendur emrin e babait dhe gjyshit të tij?

Përgjigjja: Ai është Muhamed bin Abdilah bin Abdilmutalib

  1. Pyetja e nëntëmbëdhjetë: Kush është njeriu të cilin duhet ta duam më tepër se çdokënd tjetër? Cili është argumenti?

Përgjigjja: Ai është i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të!). Argument për këtë është fjala e tij: “Asnjëri prej jush nuk do ta ketë besimin të plotë derisa unë të jem për të më i dashur sesa prindi i tij, fëmija i tij apo mbarë njerëzimi.”[1]

  1. Pyetja e njëzetë: Kur lindi Profeti (Paqja qoftë mbi të!) dhe në cilin vend?

Përgjigjja: Lindi në qytetin e Mekës, në vitin 570, i cili njihet si ‘Viti i Elefantit’[2].

  1. Pyetja e njëzetenjëtë: Në çfarë moshe i erdhi Profetit shpallja hyjnore?

Përgjigjja: Kur ai ishte dyzet vjeç

  1. Pyetja e njëzetedytë: Sa vite qëndroi Profeti (Paqja qoftë mbi të!) në Mekë, që nga momenti i fillimit të shpalljes e deri kur u detyrua të emigronte?

Përgjigjja: Trembëdhjetë vite.

  1. Pyetja e njëzetetretë: Në cilin vend emigroi Profeti (Paqja qoftë mbi të!)?

Përgjigjja: Në Medine.

  1. Pyetja e njëzetekatërt: Sa vite jetoi Profeti (Paqja qoftë mbi të!) në Medine, pas hixhretit (emigrimit)?

Përgjigjja: Dhjetë vite.

  1. Pyetja e njëzetepestë: Cilat kemi për qëllim kur themi ‘nënat e besimtarëve’?

Përgjigjja: Bashkëshortet e profetit Muhamed (Paqja qoftë mbi të!).

  1. Pyetja e njëzetegjashtë: Kur ndërroi jetë Profeti (Paqja qoftë mbi të!), në cilin vend dhe në çfarë moshe?

Përgjigjja: Ndërroi jetë në Medine, dhjetë vjet pas hixhretit në moshën 63 vjeçare.

  1. Pyetja e njëzeteshtatë: Plotëso hadithin: I Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Kush dërgon salavat për mua një herë… Përgjigjja: … Allahu do të dërgojë për të dhjetë herë.”[3]

[1] E transmeton Buhariu me nr 15, nga Enes bin Maliku (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!).

[2] Njihet me këtë emërtim, për shkak se në atë vit një sundimtar etiopias i cili quhej Abraha formoi një ushtri me të cilën u nis për të shembur Qaben dhe në krye të saj kishte vënë një elefant gjigand. Allahu i Madhëruar e mori në mbrojtje faltoren e lashtë (Qaben) duke e shkatërruar ushtrinë e Abrahas, ashtu siç përmendet në Kuran, në suren Fil.

[3] E transmeton Muslimi me nr 408, nga Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!).

You may also like...