Si e shkaterrojnë mëkatet njeriun

MËKATET E ZHVESHIN ZEMRËN NGA URREJTJA PËR TO

Mëkatet largojnë nga zemra urrejtjen ndaj tyre dhe vjen një moment kur njeriut i bëhen të zakonshme dhe nuk i bëjnë më përshtypje. Si rrjedhojë, atij nuk i vjen rëndë aspak nëse të gjithë njerëzit e shikojnë dhe i flasin.

Këta janë prijësit e fasikëve dhe ky është kulmi i rrezikut e kënaqësia më e madhe. Madje, ndonjëri prej tyre arrin edhe të mburret me mëkatin e tij para të tjerëve, duke thënë: “O filani! Unë bëra kështu e kështu!”

Këta njerëz nuk falen kurrë dhe rruga e tyre drejt pendimit është e mbyllur. I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “I gjithë umeti im është i falur, përveç atyre që i shfaqin hapur mëkatet e tyre. Allahu ua mbulon ato, por më pas, ata i shfaqin, duke thënë: “O filani! Sot bëra kështu e kështu!.” Mëkatari e cënon veten e tij, edhe pse Allahu ia mbuloi mëkatet kur u ngrys.”[1]

Çdo mëkat nga mëkatet është trashëgimi e një populli nga popujt e zhdukur prej Allahut:

Homoseksualiteti është trashëgimi nga populli Lutit.

Marrja e të drejtës me tepricë dhe kthimi i saj me pakicë është trashëgimi prej popullit të Shuajbit.

Mendjemadhësia në tokë dhe prishja e saj (me vepra të këqija) është trashëgimi nga populli i faraonit.

Mendjemadhësia dhe padrejtësia janë trashëgimi prej popullit të Hudit.

Pra, mëkatet kanë veshur veshjet e disa prej këtyre popujve, të cilët janë prej armiqve të Allahut.

Abdullah Ibn Ahmedi transmeton në librin e tij “Ez-zuhd”[2], nga babai i tij, se Malik Bin Dijari ka thënë: “Allahu i zbriti shpallje një profeti prej profetëve të Izraelit që t’i thoshte popullit të tij “Mos hyni aty ku hyjnë armiqtë e Mi, mos vishni veshjet e armiqve të Mi, mos i hipni kafshëve të armiqve të Mi, mos hani ushqimin e armiqve të Mi, që të mos bëheni edhe ju armiqtë e Mi, sikurse ata.”

Në “El-Musned”[3] transmetohet nga Abdullah Ibn Umeri se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Jam dërguar  derisa të adhurohet Allahu, i vetëm e pa shok. Rrisku është vënë poshtë hijes së shtizës sime dhe për atë që nuk u bindet urdhrave të mi është caktuar poshtërimi dhe përbuzja. Kush i përngjan një populli, ai është prej tyre.”

[1] – Transmetojnë Buhariu (5721) dhe Muslimi (2990).

[2] – (180/2).

[3] – (92, 50/2). Ky hadith është i mirë. Kam ndjekur transmetimet dhe rrugët e tij në fillimet e dorëshkrimit të El-Hafidh Bin Rexhebit dhe komentet e tij.

Titulli në shqip: “Sëmundja dhe Ilaçi”

 
Autori: Ibn Kajjim el Xheuzije (751h)
©xhamiambret.com

You may also like...