Shtylla e pare e Islamit dhe kuptimi i drejte i saj

Shtylla e pare e Islamit dhe kuptimi i drejte i saj

Eshtë transmetuar në dy librat e sakta të hadithit (Buhariu dhe Muslimi) nga Ibn Umeri (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) se Pejgamberi (Paqja dhe nderimi i Allahut qoftë mbi të!) ka thënë: “Islami është ngritur mbi pesë shtylla: Dëshmia se nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut dhe se Muhamedi është rob dhe i Dërguari i Tij, falja e namazit, dhënia e zekatit, agjërimi i Ramazanit dhe kryerja e Haxhit”.
Dy dëshmitë janë shtylla e parë e Islamit dhe më e rëndësishmja prej tyre. Kjo fjali madhështore nuk është vetëm adhurim që thjesht thuhet me gojë, pavarësisht se ai që e citon hyn në Islam, por obligimi në të është që të veprohet sipas domethënies që kjo fjali mbart. Kjo fjali përmban sinqeritet ndaj adhurimit të Allahut të vetëm, besimin se vetëm Ai e meriton adhurimin e përkushtuar me çiltërsi dhe se adhurimet që u kushtohen idhujve të tjerë veç Tij janë të kota.
Gjithashtu, kjo fjali përmban në vetveten e saj, dashuri ndaj Allahut të Lartësuar, dhe dashuri ndaj të Dërguarit të Tij (Paqja dhe nderimi i Allahut qoftë mbi të!). Kjo dashuri e çon robin në adhurimin e Allahut, Një të vetëm dhe në madhërimin e Tij, si dhe e orienton në pasimin e Sunetit të Pejgamberit (Paqja dhe nderimi i
Allahut qoftë mbi të!); sikurse ka thënë Allahu i Lartësuar: “Thuaj: “Nëse e doni Allahun, atëherë ejani pas meje që Allahu t’u dojë, t’u falë mëkatet tuaja, vërtet Allahu është që fal shumë, mëshiron shumë”
[Ali Imran: 31].
Nga domethënia e shehadetit është edhe bindja ndaj Pejgamberit (Paqja dhe nderimi i Allahut qoftë mbi të!) në atë që ai urdhëron siç thotë Allahu i Lartësuar:
“Çfarë t’u japë Pejgamberi, atë merreni (zbatojeni), e çfarë t’u ndalojë, përmbajuni” [Hashër: 7].
Prej hadithit të saktë është transmetuar se Pejgamberi (Paqja dhe nderimi i Allahut qoftë mbi të!) ka thënë:
“Tre gjëra nëse gjenden tek personi, ai e ka ndjerë ëmbëlsinë e besimit: Të jetë Allahu dhe i Dërguari i Tij më të dashur tek ai se çdo gjë tjetër …”.
Po ashtu edhe fjala e Pejgamberit (Paqja dhe nderimi i Allahut qoftë mbi të!) ku thotë: “Nuk ka besuar ndonjëri prej jush, derisa të jem unë më i dashur për të se sa prindërit e tij, fëmijët e tij dhe se të gjithë njerëzit”.

Shejh Abdulaziz bin Baz
Allahu e meshirofte

You may also like...