Shkaqet kryesore që të shpien në humbje

Shkaku kryesor është teprimi (ekstremizmi) për të cilin na ka tërhequr vëmendjen Allahu i Madhëruar në shumë ajete. Ekstremizëm do të thotë kalim i kufijve, ndërsa përkufizimi i tij është: Të tejkalosh kufijtë në urdhrat e Allahut, duke bërë shtesa. Ndryshe quhet tug’jan për të cilin ka ndaluar Allahu në librin e Tij duke thënë:

“E mos e tejkaloni  sepse do u godasë hidhërimi Im.”[1]

“O ithtarë të librit, mos e teproni në fenë tuaj.”[2]

Pra, mos i kaloni kufijtë që ka vendosur Allahu. Ithtarët e librit që u përmendën në ajetin e mësipërm, janë çifutët dhe të krishterët. Allahu i ndaloi ata nga ekstremizmi në fe dhe të njëjtën gjë bëri edhe me ne. Allahu i Madhëruar thotë:ر

“Ti (Muhamed) përqendrohu vendosmërisht ashtu siç je i urdhëruar, e bashkë me ty edhe ata që u penduan (prej idhujtarisë), e mos tejkaloni (kufijtë e caktuar) se me të vërtetë Ai është Shikues i asaj që veproni.”[3]

Ekstremizmi është shumë i spikatur tek të krishterët, sepse ata e tepruan me Isain duke e nxjerrë nga rrethi i profetësisë dhe duke e shndërruar në zot që adhurohet, pra e adhurojnë ashtu si adhurojnë Zotin. Madje ata i quajnë pasuesit e Isait njerëz të pagabueshëm dhe i pasojnë në çdo gjë, qoftë e vërtetë apo e kotë.

Në anën tjetër, qëndrojnë çifutët të cilët i tejkaluan kufijtë në lidhje me Isain duke e poshtëruar atë dhe duke e quajtur fëmijë të lindur nga imoraliteti.[4]

Shejhul islam Ibën Tejmije ka thënë: Ai njeri nga ky umet (popull) që vepron si çifutët dhe të krishterët, duke e tepruar në fe, apo duke bërë lëshime, ai u ka përngjarë atyre. P.sh.: Hauarixhët bënë kryengritje gjatë sundimit të Aliut i cili i luftoi ata kur dolën kundër muslimanëve. Lufta ndaj tyre u bë me urdhrin e Profetit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) siç është saktësuar në dhjetë rrugë në librat e sakta të hadithit, musnede[5] etj. Në këtë grup hyjnë edhe Rafidat (Shijat)[6] të cilët e tepruan dhe i kaluan kufijtë, gjithashtu edhe Kaderitë[7], Xhehmitë dhe Mutezilitë[8].

Ibën Tejmija gjithashtu ka thënë: Në kohën e Profetit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), kishte nga ata që pretendonin se ishin në islam, por dolën prej tij edhe pse gëzonin një numër të madh adhurimesh. Duhet të kemi parasysh se edhe në këtë kohë, ai që pretendon se është në islam dhe pason sunetin, mund të dalë nga islami. Kjo mund të ndodhë për shumë arsye, njëra prej tyre është  ekstremizmi të cilin e ka qortuar Allahu në librin e Tij duke thënë:

“O ithtarë të librit, mos e teproni në fenë tuaj.”[9]

Këto fjalë janë argumente të qarta se sprova më e madhe me të cilën është sprovuar njerëzimi, është ekstremizmi për të cilin na është tërhequr vërejtja në shumë ajete dhe hadithe. Ajetet që sqarojnë një gjë të tillë i përmendëm më sipër. Ndërsa nga hadithet po përmendim disa prej tyre:

Transmeton Buhariu nga Omeri se Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: Mos e teproni me madhërim ashtu siç e tepruan të krishterët me madhërimin e Isait, të birit të Merjemes, sepse unë nuk jam vetëm se rob. Thoni: Robi i Allahut dhe i dërguari i Tij.[10]

Transmeton Ebu Daudi, Tirmidhiu dhe Ibën Maxheh në një transmetim të saktë nga Ibën Abasi se Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: Kini kujdes nga ekstremizmi, sepse ajo që i shkatërroi popujt që ishin para jush,  ishte ekstremizmi.[11]

Pra këto ajete dhe hadithe janë argumente të prera dhe të qarta të cilat na tregojnë se shkaku themelor për devijimin nga akideja e saktë, natyra e pastër dhe e shëndoshë është ekstremizmi. Tejkalimi i kufijve, ishte ai që çoi në adhurimin e dikujt tjetër përveç Allahut të Madhëruar.

Shkëputur nga libri “Roli i acides së selefëve në bashkimin e muslimanëve

Autor Dr. Salih bin Sead Es-Suhejmi

Profesor në xhaminë e Profetit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!)

dhe në Universitetin Islamik të Medines

Përktheu Fatjon Isufi


[1] Suretu Taha, 81.

[2] Suretu Nisa, 171.

[3] Suretu Hud, 112.

[4] Për më tepër shiko librin “Tejsijr Elazijil Hamijd”, fq. 265.

[5] Musnedi është libër që përmban hadithe të radhitura sipas emrave të sahabëve. Sh. P.

[6] Shijat janë ata të cilët pretendojnë se janë ndihmësit e Aliut dhe pasardhësve të tij, gjithashtu besojnë se udhëheqja (hilafeti) i takon vetëm Aliut dhe pasardhësve të tij. Ata i quajnë të dalë nga islami shumicën e sahabëve. Sh. P.

[7] Kaderitë janë ata që mendojnë se njerëzit i krijojnë vetë punët që bëjnë dhe se Allahu nuk i ka paracaktuar ato. Kjo do të thotë se punët e njerëzve ndodhin Brenda pushtetit të Allahut, por Ai nuk i ka paracaktuar. Sh. P.

[8] Xhehmitë janë pasuesit e Xhehm bin Safuanit i cili mohon që Allahu të jetë i pajisur me emra dhe cilësi. Ndërsa Mutezilitë janë pasuesit e Uasil bin Atasë i cili u distancua nga vendi ku jepte mësim Hasan el Basriu. Ata janë të mendimit se Allahu është i pajisur me emra, por nuk e pranojnë që Ai të ketë cilësi. Sh. P.

[9] Suretu Nisa, 171.

[10] Transmeton Buhariu, vëll. 6, fq. 478.

[11] Transmeton Nesaiu, vëll. 5, fq. 268-269, Ibën Maxheh, nr. 3029, Ahmedi, vëll. 1, fq. 215-347, Hakimi, vëll. 1, fq. 466 dhe e ka saktësuar sipas kushtit të Buhariut dhe Muslimit, ndërsa imam Dhehebiu është përputhur me mendimin e tij (Hakimit).

You may also like...