Shiu i meteoreve

Thotë Allahu i Lartësuar: “Thuaj shikoni çfarë ka në qiej dhe në tokë, por argumentet dhe paralajmërimet nuk u bëjnë dobi njerëzve që nuk besojnë. A mos presin ata tjetër veçse si ditët e atyre që kaluan para tyre? Thuaj: Prisni sepse edhe unë po pres.” (Junus: 102).
Allahu i Madhëruar na urdhëron të shikojmë krijimin e Tij madhështor, këta qiej të lartë dhe këta trupa qiellorë gjigandë që lundrojnë në to si anijet në det. Dhe këtë tokë të bukur, të rregulluar dhe të shtruar, të përforcuar me male, e të gjelbëruar me bimë të llojeve nga më të ndryshmet, e të gjallëruar me të gjitha llojet e kafshëve, shpendëve, insekteve, xhinëve dhe njerëve. Këto argumente duhet të na bëjnë të njohim madhështinë e Krijuesit të tyre Madhështor, të Gjithdijshëm e të Plotpushtetshëm. Krijues, Sundues, Mbikqyrës dhe Zot absolut mbi gjithçka që ekziston.

E nëse nuk bëjnë dobi argumentet e qeta, atëherë Allahu i Madhëruar dërgon paralajmërime të forta, përpara dënimit të Tij. Përmbytje, stuhi, tufane, breshër kokërrmadh, tërmete, sëmundje të rënda, luftra, kriza ekonomike… ndoshta ata do të përkujtohen, do të marrin mësim dhe do të përmirësohen, do t’i kthehen rrugës së Allahut. Kush janë më të mjerët? Ata që nuk marrin mësim as prej argumenteve të qeta, të paqta, e as prej paralajmërimeve të forta.

Sot bota pret të ndriçohet nga një shi meteorësh të quajtur Orionid, ‘Shijojeni spektaklin’ thonë të paudhëzuarit. Kurse besimtarët nxjerrin mësime të shumta prej këtij argumenti të madh, tregues të Fuqisë Absolute të Allahut, i Cili ka mundësi t’i dërgojë tokës shi gurësh të zjarrtë. Por kjo tregon edhe Mëshirën e Tij të Madhe kundrejt këtyre krijesave kaq të brishta të quajtura: ‘njerëz’, me krijimin mbi ta të kësaj çatie të fortë mbrojtëse të quajtur: qiell.
Prandaj të mençurit, dijetarët, besimtarët e marrin këtë si një paralajmërim prej Allahut, si një kujtim për mundësinë absolute që ka Allahu i Madhëruar mbi ta, për t’i dënuar nëse ata vazhdojnë të rrinë larg rrugës së Tij! Ashtu siç i mëshiron vazhdimisht duke i ruajtur prej qiellit dhe tokës, ashtu ka mundësi t’i ndëshkojë kur ata e mbushin kupën dhe ajo fillon e derdhet, kur njerëzit kalojnë çdo kufi.
“Prandaj merrni mësim o ju të zotët e mendjeve” (Hashr: 2)

You may also like...