Rëndësia e njohjes së emrave të bukur të Allahut dhe cilësive të Tij të larta

Kreu 1. Rëndësia e njohjes së emrave të bukur të Allahut dhe cilësive të Tij të larta

 

Si mundet të nxjerrë në pah pena e robit të dobët e të paaftë, dobitë e mëdha që përfiton njeriu me anë të studimit të kësaj teme!?

Ata që e njohin Allahun dhe janë të vetëdijshëm për Madhërinë dhe Përsosmërinë e Tij, kanë diskutuar rreth mirësisë së madhe që kanë arritur duke njohur Allahun, cilësitë dhe emrat e Tij. E megjithëse me retorikën e tyre në këtë fushë, i kanë mahnitur njerwzit, dituria e tyre që ka ndriçuar zemrat dhe ka udhëzuar mendjet, është si një pikë uji në oqeanin e pamatë të dijes.

Tekstet e Kur’anit dhe Sunetit mbartin sekrete dhe një dritë të tillë që i shushat mendjet dhe i ndriçon zemrat e njerëzve.

Mjafton për të kuptuar këtë që po sqarojmë, fakti se njeriu më i ditur rreth Zotit të Tij, Muhamedi =, i cili i trembej më tepër se kushdo tjetër Atij, ka theksuar se nuk mund t’i llogarisë lavditë që meriton Zoti i robërve. Ai ka thënë duke iu drejtuar Zotit të tij: “Nuk i llogaris dot lavditë e Tua.”

Në rreshtat që vijojnë, do të përmendim disa pika, ku do të sqarojmë frytet dhe dobitë që arrijnë robërit me anë të njohjes së emrave dhe cilësive të Allahut.

 

Rruga për njohjen e Allahut, është njohja e emrave dhe cilësive të Tij

 

Në qoftë se robërit dëshirojnë ta njohin Zotin e tyre dhe të shtojnë dijen e tyre rreth Tij, nuk kanë rrugë tjetër, veçse ta njohin Atë me anë të argumenteve të Sheriatit që e përshkruajnë dhe deklarojnë emrat dhe veprat e Tij, sepse Allahu nuk mund të shihet në këtë botë.

Shikoni fjalën e Allahut ku na bën të njohur veten e Tij:

“Allahu është Ai që nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Tij. Ai është El Haj-ju, El Kaj-jum (i Përjetshmi, i Pafillim dhe i Pambarim, Mbajtësi dhe Mbrojtësi i gjithçkaje që ekziston). As kotje as gjumë nuk e kap Atë, e Atij është çdo gjë në qiej dhe në tokë. Kush është ai që mund të ndërmjetësojë tek Ai përveçse me lejen e Tij? Ai e di se çfarë u ndodh krijesave të Tij në këtë botë dhe çfarë do t’u ndodhë atyre në botën tjetër. Ata kurrë nuk do të përfshijnë ndonjë gjë nga dija e Tij, përveç asaj që Ai dëshiron. El Kursij-ja e Tij përfshin qiejt dhe tokën. Ai nuk ndjen aspak lodhje në ruajtjen dhe në mbrojtjen e tyre. Ai është më i Larti, më Madhështori.” (El Bekare: 255)

Ky ajet njihet me emrin “Ajetul Kursijj”. Ai është ajeti më madhështor i Kur’anit, siç ka ardhur në një hadith të saktë. Mbi madhështinë e këtij ajeti, dijetarët kanë thënë: “Ai përmban besimin e drejtë në adhurimin e Allahut dhe në emrat e cilësitë e Tij.” Për më gjerë, shiko hadithet që ka përmendur ibnu Kethiri në komentimin e këtij ajeti, si dhe shpjegimin që u ka bërë atyre.

Shikoni gjithashtu tri ajetet e fundit të sures “Hashër”:

“Allahu është Ai, veç të Cilit  nuk ka të adhuruar tjetër me meritë, por vetëm Ai, i Gjithëdituri i gajbit (i çdo të fshehte dhe të panjohure) dhe i së shfaqurës (i çdo të njohure). Ai është i Gjithmëshirëshmi, Mëshirëploti. Allahu është Ai përveç të Cilit  nuk ka të adhuruar tjetër të merituar, por vetëm Ai, Mbizotëruesi, i Shenjti, i Gjthëpërsosuri pa asnjë të metë, Gjithëdhuruesi i sigurisë (besimit), Gjithëvëzhguesi mbi krijesat e Tij, i Gjithëfuqishmi, Urdhëruesi i Papërballueshëm, më i Larti Suprem. Lavdi i qoftë Atij. I Lartë është Ai nga gjithë çfarë i mveshin dhe i bashkojnë Atij. Ai është Allahu, Gjithëkrijuesi, Shpikësi i pashembullt i çdo gjëje, Formësuesi i gjithçkaje. Të Tij janë emrat më të bukur dhe më të lartë. Gjithë ç’është në qiej dhe në tokë lavdërojnë vetëm Atë. Dhe Ai është i Gjithëfuqishmi, më i Urti Gjithëgjykues.” (Hashër: 22-24)

Shikoni çfarë thotë Allahu për veprat e Tij në Univers:

“A nuk e kanë ditur ata që mohojnë se qielli dhe Toka ishin të bashkuar, pastaj Ne i ndamë ata dhe kemi bërë çdo gjë të gjallë, çdo lloj gjallese prej ujit!? A nuk do të besojnë atëherë, pra!? Ne kemi vendosur në tokë male të qëndrueshëm, se përndryshe ajo do të dridhej me gjithë ato. Ne vendosëm në të edhe vendkalime të gjera (qafa malesh) për të kaluar, që të mund të udhëzohen. Ne e kemi bërë qiellin çati të sigurtë dhe të mbrojtur më së miri, megjithatë ata u kthejnë shpinën shenjave të tij (dielli, hëna, yjet erërat, retë e tj.).” (El Enbija: 30-33)

Kur e pyeti Faraoni për Zotin e Tij që e ka dërguar tek njerëzit, Musai ia bëri të njohur Atë me anë të emrave, cilësive dhe veprave të Tij:

“Faraoni tha: ‘E çfarë është Zoti i botëve?’ Musai tha: ‘Zoti i qiejve dhe i Tokës dhe i gjithçkaje që ndodhet ndërmjet tyre, nëse kërkoni të bindeni plotësisht.’ Faraoni u tha njerëzve përreth tij: ‘A nuk e dëgjoni se çfarë thotë?’ Musai u tha: ‘Zoti juaj dhe Zoti i baballarëve tuaj të parë!’ Faraoni tha: ‘Vërtet i Dërguari që është sjellë tek ju është i  çmendur!’ Musai u tha: ‘Zoti i lindjes e i perëndimit dhe i gjithçkaje që ndodhet ndërmjet tyre, veç sikur ta kuptoni!’” (Esh-Shuara: 23-28)

Tekstet e Sheriatit që kanë ardhur në lidhje me këtë temë janë të shumta. Madje i gjithë Kur’ani bën fjalë për Allahun. Thelbin e mesazheve të larta qiellore, Allahu e ka përmbledhur në një ajet të vetëm të Kur’anit:

“Ne nuk dërguam asnjë të dërguar para teje e të mos i kemi shpallur atij se nuk ka Zot tjetër përveç Meje, pra më adhuroni vetëm Mua.” (El Enbija: 25)

Allahu i Lartësuar ka thënë, duke përmbledhur thelbin e asaj që ia shpalli të Dërguarit Tij, Muhamedit (salallahu alejhi ue selam):

“Thuaju: ‘Mua më është shpallur se i adhuruari juaj është Një i adhuruar i Vetëm. A do t’i nënshtroheni Atij pra?” (El Enbija: 108)

Robërit nuk munden ta konceptojnë realitetin e adhurimit e ta zbatojnë atë në fjalët dhe punët e tyre, në qoftë se nuk do të njohin cilësitë e Krijuesit të Lartësuar.

Nga kjo që sqaruam, arrrijmë të kuptojmë krimin e madh që kanë bërë ata të cilët mohojnë cilësitë e Allahut, emrat dhe veprat e Tij, ose një pjesë të tyre. Në këtë mënyrë ata bllokojnë rrugën e njohjes së Tij.

 

You may also like...