Njerëzit e moralshëm do jenë me Profetet Ditën e Gjykmit

Sa herë që njeriu përmirëson moralin, gjithmonë e më shumë do të afrohet tek Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) Ditën e Gjykimit, kjo për vetë faktin se Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) i do ata që kanë moral të mirë. Nga Xhabiri transmetohet se Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Njerëzit që dua më shumë prej jush dhe që do të jenë më afër meje Ditën e Gjykimit janë ata më të moralshmit. Ndërsa, njerëzit më të urryer tek unë dhe më larg meje Ditën e Gjykimit janë llafazanët, kryeneçët dhe mutefejhikunët.” Të pranishmit i thanë: “O i Dërguari i Allahut, ne i njohim llafazanët dhe kryeneçët, por nuk i njohim këta të fundit, mutefejhikunët.” Ai u përgjigj: Ata janë mendjemëdhenjtë.” [1] Imam Tirmidhiu i sqaron këto cilësi kështu: Llafazan quhet ai që flet shumë, kryeneç është ai që stërmundohet të dalë sipër njerëzve me fjalët e tij, duke i sharë ata.

Sikur të përmendnim mbi moralin e lartë vetëm këtë hadith, do të mjaftonte për të na treguar se arritja e dashurisë nga ana e Profetit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe afrimi tek ai është një gjë shumë e madhe, e cila mund të arrihet me moralin e mirë.

Tashmë ju kujtohet hadithi që përmendëm disa faqe më parë, se si Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ishte ulur me Ebu Bekrin kur morali i lartë i tij njihej. Por kur ai bëri një gjë jo të hijshme, Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) u largua nga ai, edhe pse vepra që bëri nuk ishte mëkat. Nga kjo ndodhi, çdo lexues mendjemprehtë e kupton fshehtësinë e afërsisë së njerëzve të moralshëm tek Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), e s’ka dyshim se suksesi vjen vetëm nga Allahu!

Të flasësh për moralin dhe vlerat e tij është një temë e gjerë, por mua më mjafton qëllimi që kisha për t’i kujtuar ithtarët e besimit me disa nga këto çështje, në mënyrë që të kujtohet ai që ka harruar dhe të zgjohet ai që është hutuar.
Çdokush duhet të pyesë veten:
A është i butë me njerëzit?
A u buzëqesh atyre?
Le ta pyesë veten: A janë njerëzit të sigurt prej tij?
A janë të qetë në fqinjësinë e tij?
A ndiejnë kënaqësi kur diskutojnë me të?
Dhe a bëjnë garë për ta shoqëruar në udhëtimet e tij?
A janë të sigurt ndaj intrigave që mund të thuren ndaj tyre, apo pasurive dhe ndereve të tyre?
Një njeri i tillë duhet të jetë tolerant kur shet dhe falës kur blen, t’i ketë fjalët të vërteta dhe të përmbushë premtimin. Të thotë fjalë të mira dhe duart t’i ruajë nga harami, sytë t’i ruajë nga dredhitë, përshëndetjen me selam t’ia japë shërbëtorit, ashtu siç ia jep eprorit, buzëqeshjen në fytyrë t’ua dhurojë të panjohurve, ashtu sikurse ua dhuron atyre prej të cilëve ka interes. Smirën e zemrës ta hedhë tutje, mendimin për vëllezërit ta përmirësojë dhe vëllazërinë me ta, ta bëjë edhe më të sinqertë.

Allahu i Lartësuar thotë:

“Besimtarët dhe besimtaret janë të dashur për njëri-tjetrin, urdhërojnë për të mirë dhe ndalojnë nga e keqja, falin namazin dhe japin zekatin, respektojnë Allahun dhe të dërguarin. Të tillët do t’i mëshirojë Allahu, Ai është Ngadhënjyes, i Urtë.”[2]

Prandaj pajisuni me këtë moral lartë në mënyrë që të bëheni të denjë për të hyrë në mëshirën e Allahut të Madhëruar: “Të tillët do t’i mëshirojë Allahu.” Sepse ai që mëshiron të tjerët, do të mëshirohet nga Allahu. Abdullah bin Amër transmton se Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Të mëshirshmit do t’i mëshirojë Mëshirëploti. Mëshironi ata që janë në tokë, në mënyrë që t’iu mëshirojë Ai që është në qiell (Allahu).” [3]

[1]Transmeton Tirmidhiu me nr. 2 017 dhe e saktësoi shejh Albani.

[2]Suretu Teube, 71.

[3]Transmeton Ebu Daudi nr. 4 941 dhe Tirmidhiu nr. 1 926. Saktësoi Shejh Albani në librin “Vargu i haditheve të sakta”, me nr. 925.

 

Këshilla të arta për moralin e lartë

Autor Abdulmalik Ramadani

You may also like...