Nga risite në fe që kanë shpikur njerëzit në shekujt e mëvonshem

Saktësia e festimit të Mevludit në këndvështrimin historik të tij

Nga risitë në fe që kanë shpikur njerëzit në shekujt e mëvonshëm, pas tre shekujve më të mirë,  është festimi i ditëlindjes së profetit Muhamed alejhi selam. Ndërkohë që sahabët, tabi’inët dhe brezat pas tyre nuk e festonin këtë datë, as dijetarët e mëdhenj të pasuar nga muslimanët nuk e festonin këtë datë, siç ishin dijetarët e katër medhhebeve; Ebu Hanife, Malik, Shafi dhe Ahmed. Gjithashtu edhe dijetarët e mëdhenj të hadithit nuk e festonin këtë datë, si; Buhariu, Muslimi dhe të tjerë, por këto festime bidati (risi në fe) do të shfaqeshin për herë të parë në fund të shekullit të katërt, nga rafidat el-ubejdijun (të cilët e quajtën vetveten si fatimiijn, për të mashtruar njerëzit), ashtu siç shpikën bidate të tjera -në të njëjtin vit- në ditën e Ashurasë, si: goditjen e gjoksit, faqeve, çarjes së kokës etj., me pretendimin e mërzitjes për vrasjen e Husejn bin Alij – radijallahu anhuma -. Këto bidate të tyre janë një realitet historik të cilin nuk e mohon dot askush, të përmendura në librin El Hitat të autorit El Mekrizij, i vdekur në vitin 845h., në këtë libër autori përmend se ubejdijunët shpikën dhe plot festime të tjera ditëlindjesh dhe bidate, ndër to: festimi i ditëlindjes së Profetit alejhi selam, ditëlindjes së Aliut, ditëlindjes së Fatimes, ditëlindjes së Hasanit, ditëlindjes së Husejnit dhe të tjera ditëlindje, rreth 27. Të gjitha këto ditëlindje të shpikura dhe bidate do të zhdukeshin me rënien e pushtetit të tyre nga Salahudin El Ejubi-Allahu e mëshiroftë-, në vitin 567h.

Më pas do të ishin sufistët ata që do ta ringjallnin këtë bidat, festimin e ditëlindjes së Profetit alejhi selam, ndërsa rafidat do të ringjallnin bidatet e ditës së Ashurasë, bidate të cilat vazhdojnë edhe sot e kësaj dite.

Pra siç të bëhet e qartë lexues\e i nderuar, festimi i mevludit nuk ka asnjë bazë fetare, por është një festim i shpikur për herë të parë pikërisht nga sekti më i devijuar dhe që janë rafidat, Zoti na ruajt prej tyre!

 

You may also like...