займы онлайн

Nëse kërkon lumturinë

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit.

“Lumturia” është synimi kryesor drejt të cilit, për ta fituar, vrapon kushdo që ndodhet në tokë.

Mendimtarët, poetët, filozofët dhe mjekët, janë përpjekur t’i japin një kuptim lumturisë, duke kërkuar shkaqet që e sjellin atë dhe largojnë brengat.

Dhe në të vërtetë, alternativat që ata paraqesin, nuk të çojnë vetëm se në një lumturi të mangët, ose imagjinare. Ajo më tepër ngjason me drogën, ku përdoruesi i saj fillimisht ndihet aktiv dhe plot gjallëri, por me t’i ikur ndikimi i saj, atij menjëherë i kthehen brengat dhe hidhërimet, madje shumë herë më tepër se para përdorimit të saj.

Këto fjalë që lexojmë, të ftojnë drejt lumturisë së vërtetë dhe të udhëheqin drejt suksesit të mirëfilltë.

Para se të vazhdosh leximin e mëtejshëm, dëshiroj prej teje ti kthehesh vetvetes me përpjekje dhe meditim në mendjen dhe zemrën tënde. Po të kujtoj, se i llogjikshëm është ai që kërkon të vërtetën, pa marrë parasysh se kush e thotë atë.

Çdokush, i kthjellët, i zhveshur nga epshi nuk mund të mohojë, se lumturia e plotë dhe e përhershme nuk arrihet vetëm se me besimin dhe ndjekjen e udhëzimit të Allahut, i Cili krijoi krijesat. Kjo, se Ai është Krijuesi dhe Ai është i Gjithëdijshëm për atë që  i lumturon dhe i dëshpëron këto krijesa, i Gjithëdijshëm për atë që u sjell dobi dhe dëm.

Shumë prej psikologëve kanë arritur në përfundimin se njeriu që e përjeton lumturinë dhe qetësinë, është ai që jeton me fenë.

Meqenëse pas besimit fshihet lumturia e vërtetë, atëherë cila është rruga që të çon tek ai?

Të gjithë jemi të vetëdijshëm se fetë dhe ideologjitë janë të shumta. Ka prej tyre ku vihen re mosmarrëveshje thelbësore, ndaj është e pamundur që të jenë të gjitha të vërteta. Atëherë mund të pyesim: Cila mes tyre është feja e saktë? Cili është besimi që Allahu e do dhe duhet të përqafohet? Cila mes tyre na garanton lumturinë në këtë botë dhe në botën tjetër?

Para se t’u përgjigjemi këtyre pyetjeve, duhet të vendosim një pikë referimi, nga e cila do të nisemi për të zgjedhur saktësisht fenë e vërtetë. Unë besoj pa pikë dyshimi, se të gjithë të mençurit janë në një mendje për faktin, se krijimi i njeriut është në një fe të caktuar, por fakti që babai, nëna dhe shoqëria në të cilën jeton, janë në një fe të caktuar, nuk do të thotë se ajo është feja e vërtetë, për aq kohë sa nuk ka fakte bindëse për të dhe përderisa logjika nuk e pranon.

Meqenëse logjika është ajo që dallon njeriun nga kafsha, atëherë duhet që çdokush që zotëron logjikën, ta përdori për ta parë me vëmendje këtë çështje. Kjo është çështja më e rëndësishme dhe më e rrezikshme.

Një udhëtim i shkurtër në botën e feve, si dhe një shëtitje në ideologjitë e tyre, mund të jetë një mënyrë e mirë, për të gjetur përgjigjen e shumëkërkuar.

Për te qenë sa më i drejtpërdrejtë, po të them ty me plot siguri dhe sinqeritet,  se sado që të kërkosh dhe të hulumtosh, nuk ke për të arritur vetëm se në një përfundim: Feja e vërtetë është vetëm Islami dhe se lumturia e vërtetë, arrihet vetëm me Islamin.

Mos u nxito t’i refuzosh këto fjalë dhe të ndërpresësh leximin e mëtejshëm. Dije mirë se vijimi nuk ka për të të dëmtuar aspak,  ndoshta mund të përfitosh prej tij dobi të caktuara…

Po të kujtoj se ti posedon llogjikën dhe arsyen, me të cilat dallon gjërat dhe ndan midis të saktës dhe të gabuarës.

Përse Islami? Kjo është një pyetje me vend dhe e rëndësishme.

Le të fillojmë t’i përgjigjemi kësaj pyetjeje:

Islami është feja e cila mbart vlera dhe shenja dalluese që nuk gjenden në asnjë fe tjetër. Ato janë fakte bindëse, që tregojnë se Islami është feja e vërtetë e zbritur nga Allahu. Të shohim më parë me vëmendje dhe qetësi faktet në vijim, e pastaj le të gjykojmë nëse duhet besuar apo përgënjeshtruar kjo e vërtetë.

Veçoritë dhe shenjat dalluese të Islamit janë aq shumë, sa është e vështirë gjithpërpërfshirja e tyre në këtë renditje, në të cilën do të cekim disa por ndër më të rëndësishmet prej tyre:

1- Ndër veçoritë kryesore të Islamit, është fakti se ai mbush anën shpirtërore të njeriut. Njeriun që përqafohet me të, e bën të jetë gjithnjë i lidhur me Allahun. E kjo e bën të fitojë prehje dhe qetësi shpirtërore, si dhe e mbron nga paniku , përhumbja, shpërdorimi dhe boshllëku shpirtëror në veten e tij.

2- Gjithashtu, nga veçoritë e tij është fakti se Islami është në përputhje të plotë me llogjikën e shëndoshë. Të gjitha normat dhe ligjet e tij, janë llogjikisht të pranuara, dhe është e pamundur të ketë mospërputhje mes tyre në ndonjë rast. Prandaj, kur një person përqafoi Islamin, e pyetën: Përse u bëre musliman? Ai u përgjigj: Nuk ka urdhëruar ndonjë gjë Islami, e llogjika ta ketë ndaluar, dhe nuk ka ndaluar ndonjë gjë, e llogjika ta ketë pranuar.

Njëkohësisht shohim se tek shumë fe të tjera, është i vështirë pranimi i shumë bazave të tyre, dhe mendja është në mëdyshje përballë shumë parimeve të tyre. Ndërsa Islami e çmon dhe e respekton  llogjikën duke urdhëruar njeriun të mendojë, e njëkohësisht  ka ndaluar injorancën dhe ka nënçmuar pasimin e verbër.

3- Islami ka një ekuilibër midis fesë dhe jetës në këtë botë. Ai kujdeset si për shpirtin ashtu edhe për trupin. Të jetuarit me Islamin nuk nënkupton veçimin dhe asketizmin në forma të caktuara dhe as ndalimin e larmisë së gjërave të këndshme të jetës. Në Islam, njeriu mundet të jetojë me fenë, duke shijuar dhe ushtruar jetën e tij në formën më të mirë, me synimin për të arritur në pozitat më të larta të vlerave të komuntitetit dhe shoqërisë sociale të cilës i përket.

4- Islami është fe gjithëpërfshirëse. Ai afron sistem të veçantë dhe të detajuar  për çdo fushë të jetës, duke dhënë zgjidhje për çdo problem. Kështu që ai mund të praktikohet dhe të përqafohet në çdo vend dhe në çdo kohë.

Si të mos jetë kështu, kur kjo fe depërton edhe në imtësitë më specifike të jetës me rregullat dhe normat e saj. Duke filluar që nga një juridiksion i kompletuar në gjykimin dhe zgjidhjen e çështjeve më modeste,  duke vazhduar me rregullat e shitblerjes dhe marrëdhënieve tregtare. Duke cekur sistemin e lidhjeve shoqërore, trashëgimisë dhe jetës bashkëshortore, e deri tek normat e përshëndetjes, edukatës në rrugë, si dhe sistemimin e veprimeve të njeriut me veten e tij, në gjumin e tij, ngrënien, pirjen dhe veshjen e tij… etj. Të gjtha këto nuk i ka përmendur formalisht, por hollësisht të detajuara me një ndjeshmëri të mahnitshme.

Mësoje edhe faktin se Islami e drejton muslimanin edhe në veshjen e këpucës dhe heqjen e saj. Ai e ka nxitur atë të përdori dorën e djathtë gjatë ngrënies, pirjes, takimit me dorë, gjatë dhënies dhe marrjes. Ndërsa në gjërat e tjera (si p.sh. kryerja dhe pastrimi nga nevoja) përdoret dora e majtë.

Kur vjen koha e gjumit, Islami ka një orientim të mrekullueshëm për mënyrën e fjetjes dhe zgjuarjes nga gjumi. Për dy muslimanë që takohen në rrugë, Islami ka vendosur formën e selamit (përshëndetjes islame) mes tyre. Ai që është duke ecur me një mjet udhëtimi përshëndet i pari atë që është duke ecur në këmbë. I vogli përshëndet i pari të madhin dhe grupi më i vogël në numër, përshëndet i pari grupin tjetër me numër më të madh.

Ky ishte një pasqyrim i pjesshëm i disa prej normave të shumta të Islamit, të cilat në tërësi përfshijnë në mënyrë të detajuar sistemin shumëplanësh jetësor.

5- Prej vlerave të Islamit, është fakti se gjithë normat e tij,  njeriun e orientojnë drejt çdo të mire dhe e largojnë prej të keqes. Pra, dobia e normave të Islamit i shërben drejtpërdrejtë njeriut.

P.sh. Islami e ndaloi alkolin dhe narkotikën sepse i shkaktojnë njeriut dëm të madh në mendjen dhe shëndetin e tij. Ti je vetë realist për gjendjen e të dehurit, i cili i shpërfytyruar, më tepër ngjason me diçka tjetër se sa me njeriun. Sikur njerëzit të mos i përdornin lëndët narkotike dhe pijet alkolike të cilat shkaktojnë dehjen e tyre, nuk do të ndodhnin shumë prej vrasjeve, grindjeve, aksidenteve rrugore, dhunimeve dhe përdhunimeve.

Ndërsa lidhjet jashtëmartesore…, Islami rreptësisht i ka ndaluar, për ta mbajtur larg shoqërinë nga shthurja dhe degjenerimi, si dhe nga rritja e një brezi të papërfillur, i cili ka humbur ngrohtësinë e nënës dhe edukimin e babait, që do të jetë shkatërrim dhe mjerim për shoqërinë.

Islami e ka urdhëruar gruan të mos i shfaqi pjesët e saj të turpshme para burrave të huaj për të, sepse e sheh atë si një margaritar të mbrojtur mirë, që vlen shumë. Gruaja nuk është një mall i lirë, që të dalë nëpër rrugë përpara çdo njeriu. Islami e mbron atë nga njerëzit  ujqër, që nuk duan gjë tjetër, vetëm se të plotësojnë qejfet e tyre, edhe pse kjo më tepër rëndon mbi nderin e gruas, vlerës dhe pastërtisë së saj.

Në anën tjetër, Islami ka lejuar çdo pije të dobishme dhe jo të dëmshme, siç i lejoi dy gjinitë të kënaqen me njëra-tjetrën, me kusht të aktit martesor dhe brenda shtëpisë familjare të lumtur.

Me pak fjalë, Islami nuk erdhi që të kufizojë lirinë dhe dëshirat, por erdhi për t’i sistemuar dhe renditur ato, në mënyrë që dobia të përfshijë njeriun dhe shoqërinë.

6- Ndër veçoritë rrezatuese në Islam, është kujdesja e tij për virtytet e larta, moralin dhe edukatën e lavdërueshme, si dhe ndalimi i padrejtësisë, zullumit dhe çdo vesi tjetër të keq.

Islami është feja e dashurisë, bashkimit dhe mëshirës. Ai ka saktësuar dhe qartësuar lidhjen e njeriut me prindërit e tij, të afërmit, fqinjët, shokët dhe me të gjithë njerëzit. Ai ka mbjellë në vetet e atyre që e kanë përqafuar, moralin më të lartë dhe edukatën më të mirë.

Islami e ka ndaluar njeriun të jetojë vetëm me veten e tij. Ai e edukon njeriun t’i ndihmojë të tjerët dhe të respektojë ndjenjat e tyre. P.sh., i varfëri, jetimi, i moshuari, i vobekti, etj., në Islam kanë të drejtat e tyre, të cilat muslimani nuk i trajton si çështje dytësore dhe nuk ndien epërsi dhe përparësi kur i kryen, sepse ato të drejta janë prej detyrave dhe obligimeve të tij.

Në Islam, konsiderohet prej gjynaheve të mëdha, që njeriu të flejë i ngopur kur e di se fqinji i tij është i uritur. Ashtu siç ka ndaluar që dy veta të flasin mënjanë, kur një tjetër ndodhet i ulur bashkë me ta,  por nuk i dëgjon. E gjithë kjo për të respektuar prosperitetin dhe ndjenjat e tij.

Dhe Islami e tejkaloi të gjithë këtë, kur e urdhëroi muslimanin të jetë i butë edhe me kafshën, duke ndaluar mundimin dhe dëmtimin e saj. Prej hollësive të Islamit rreth kësaj çështjeje, është fakti se e ndaloi kasapin ta therrë delen kur një dele tjetër është duke e parë, ose të mprehë thikën përpara saj, që të mos e vrasë dy herë.

Sinqeriteti, besnikëria, trimëria, bujaria, turpi dhe mbajtja e premtimit, janë morale të cilat Islami i ka nxitur në mjaft tekste. Njëkohësisht fton dhe urdhëron për morale të larta, si vizita e të sëmurit, përcjellja e xhenazes, respektimi i prindërve, vizita e të afërmve, fqinjëve dhe rendja për kryerjen e nevojave të të tjerëve.

Në anën tjetër Islami e ka ndaluar rreptësisht muslimanin nga padrejtësia, gënjeshtra, mëndjemadhësia, smira, tallja me të tjerët, sharja, ose tradhëtia ndaj tyre.

Në Islam nuk lejohet të përmendësh një person që nuk është i pranishëm, edhe nëse je duke thënë të vërtetën. Islami e fton muslimanin që kur shpenzon të jetë mesatar, midis harxhimit pa masë dhe kopracisë ekstreme.

Në kohën kur shumë prej shoqërive ankohen nga cënimi dhe shpërfillja e ndjenjave, padrejtësia në fushat ekonomike dhe lakmia vetjake, shohim që Islami ka afruar ilaçin shërues për të gjitha këto probleme.

Me fjalët e lartëpërmendura dhamë një pasqyrim të shkurtër të Islamit dhe disa prej vlerave të tij. Është e përshtatëshme të përmendim gjithashtu, se Islami është fe e qartë dhe rruga e tij është e lehtë për këdo. Islami i ka portat të hapura gjithnjë dhe nuk ia mbyll atij që dëshiron ta përqafojë atë.

Meqenëse, gjithëpërfshirja e normave dhe rregullave të Islamit në pak fjalë është e pamundur, atëherë rrëfimi i shkurtuar i bazave më kryesore të tija, ndoshta e përqëndron më tepër përshkrimin e tij, për atë që dëshiron ta njohë atë.

Të gjitha rregullat dhe mësimet e Islamit janë të rëndësishme, vetëm se mes tyre ka nje rend hierarkik.

Mes këtyre rregullave (më të rëndësishmet), gjashtë prej tyre duhet të besohen me zemër dhe pesë të tjera duhen vepruar.

vazhdon . . .

Përshtati në shqip  Bledar Ali

You may also like...