Mujai Shaban dhe mirësia e agjërimit dhe adhurimit të Allahut në të

Përcillet nga Usame bin Zejd se ka thënë: E pyeta një herë të Dërguarin e Allahut alejhi selam dhe i thashë: O i Dërguari i Allahut asnjëherë nuk të kam parë të agjërosh kaq shumë në ndonjë muaj tjetër se sa në Shaban? Ai tha: Ky është një muaj ndaj të cilit njerëzit janë të shkujdesur dhe është midis (muajit) rexheb dhe ramazan. Ai është një muaj në të cilin ngrihen lart tek Zoti i botëve veprat e mira dhe unë dua që kur të ngrihet vepra ime të jem agjërueshëm.”
Nesaiu dhe e saktësoi Albani

Përcillet nga Aishja se ka thënë: “…Asnjëherë se kam parë të Dërguarin e Allahut të agjërojë plotësisht një muaj përveç ramazanit dhe asnjëherë se kam parë të agjërojë më shumë nga ditët e një muaji se sa nga shabani.”
Buhariu dhe Muslimi

Urtësia e agjërimit të ditëve të këtij muaji
Dijetarët përmendin disa urtësi, ndër to:
Adhurimi nafile më i mirë është ai adhurim që është pranë një adhurimi tjetër farz, para ose pas tij. Edhe agjërimi nafile i shabanit është si sunetet e namazeve farz të cilat plotësojnë ato gabime që mund të kryhen gjatë namazit farz, prandaj edhe agjërimi para dhe pas ramazanit plotëson mangësitë që mund të ndodhin gjatë agjërimit farz.
Ky është një muaj ndaj vlerës së të cilit njerëzit janë të shkujdesur dhe adhurimi i Zotit në ato periudha kohore të shkujdesjes së njerëzve ka një vlerë të veçantë
Në këtë muaj ngrihen lart tek Allahu veprat e mira.

Gjithashtu muslimanët e hershëm përveç agjërimit në këtë muaj angazhoheshin edhe me adhurime të tjera siç është leximi i Kuranit.
Ka thënë Seleme bin Kuhejl: “ Muaji i Shabanit njihej si muaji i lexuesave të Kuranit.”
Ka thënë Ebu Bekër El-Belhij: “ Muaji rexheb është muaji i mbjelljes ( së veprave të mira), muaji shaban është muaji i vaditjes dhe muaji ramazanit është muaji i korrjes.”

Sqarojmë se nuk lejohet agjërimi i të gjitha ditëve të këtij muaji siç bëhet më ramazanin, por ditë nga ky muaj.

You may also like...