Muaji Muharrem dhe dita e Ashuras

Me emrin e Allahut të Gjithëmëshirshmit Mëshirplotit
Muaji Muharrem dhe dita e Ashuras
Allahu i Madhëruar disa vende dhe kohë i ka veçuar nga disa vende dhe kohë të tjera, si p.sh: ka veçuar Qaben, xhaminë e Profetit (salAllahu alejhi ue selem) në Medine dhe xhaminë Aksa në Jeruzalem, nga xhamitë e tjera duke i shenjtëruar ato dhe duke e shumfishuar shpërblimin që gjendet në to. Po ashtu, ka veçuar edhe periudha kohore të caktuara, në të cilat Ai përhap mirësitë e Tij dhe Profeti (salAllahu alejhi ue selem) ka nxitur që këto periudha të shfrytëzohen.
Enes ibn Malik dhe Abdullah ibn Umeri (radijAllahu anhuma) transmetojnë se Profeti (alejhi selam) ka thënë: “Zoti juaj ka vënë në kohën tuaj aroma (pjesë) mirësie, prandaj shfaquni para tyre se ndoshta u prek ndonjë prej tyre, që të mos brengoseni kurrë pas tyre.” (Et-Taberani, saktësoi Albani).
Aromat e mirësisë janë ato periudha kohore, të cilat Allahu i Lartësuar i ka veçuar duke u dhënë vlera të veçanta, si p.sh: muaji i Ramazanit, katër muajt e shenjtë, dhjetë ditët e para të muajit Dhul Hixhe, dita e Ashuras etj.
Ne kemi hyrë në një prej muajve të shenjtë, në muajin Muharrem. Muaji Muharrem është një prej muajve madhështorë dhe i begatuar te Allahu i Lartësuar, është muaji i parë i kalendarit Islam (hixhrij), dhe është një prej katër muajve të shenjtë. Allahu i Madhëruar thotë: “Te Allahu numri i muajve është dymbëdhjetë, ashtu siç është në librin e Allahut prej ditës kur krijoi qiejt dhe tokën. Prej tyre katër janë të shenjtë. Kjo është feja e drejtë, dhe mos e dëmtoni veten tuaj (me gjynahe) në ata…” (Teube: 36) Transmetohet nga i Dërguari i Allahut (alejhi selam) se ka thënë: “Viti ka dymbëdhjetë muaj, katër prej tyre janë të shenjtë, tre janë varg (njëri pas tjetrit): Dhul Ka’de, Dhul Hixhe dhe Muharrem, kurse muaji Rexheb ndodhet mes muajit Xhumadej dhe Shaban.” (Buhariu)
Vetë fjala Muharrem, siç quhet edhe ky muaj, në gjuhën arabe d.m.th “e ndaluar”. Në ajetin e mësipërm ku Allahu thotë: “… dhe mos e dëmtoni veten tuaj në ata..”, pra, në muajt e shenjtë (muajt e ndaluar), sepse dënimi për gjynahun është më i madh në këta muaj sesa në muajt e tjerë.
Abdullah ibn Abasi ka thënë për këtë ajet: “Allahu i ka veçuar këta muaj, i ka bërë të ndaluar (të shenjtë) dhe e ka madhëruar shenjtërinë e tyre dhe ka bërë që në këta muaj të shumfishohen shpërblimet për punët e mira dhe dënimet për punët e këqija.”
Prej ngjarjeve më të mëdha që kanë ndodhur ne muajin Muharrem, është edhe hixhreti i Profetit (alejhi selam) nga Meka për në Medine. Emigrimi që ndryshoi rrjedhën e historisë, kjo faqe që i ndryshoi faqen historisë së njerëzimit. Me këtë ngjarje, Allahu i Lartësuar e forcoi Profetin e Tij dhe besimtarët, triumfoi besimi mbi mosbesimin, Teuhidi mbi shirkun (idhujtarinë).
Këtë muaj Allahu i Lartësuar e ka veçuar me vlera të veçanta nga muajt e tjerë. Prej veçorive të këtij muaji është se i Dërguari i Allahut (alejhi selam) i ka nxitur besimtarët që të shtojnë në të agjërimin vullnetar (nafile). Ebu Hurejra (radijAllahu anhu) transmeton se Profeti ka thënë: “Agjërimi më i mirë pas muajit të Ramazanit është agjërimi në muajin e Allahut, Muharrem, dhe namazi më i mirë pas namazeve të detyruara është namazi i natës.” (Muslimi)
Prandaj, ky muaj duhet të jetë për besimtarin muaji i shtimit të agjërimit, për vlerën e madhe që ka agjërimi në të. Gjithashtu, ky muaj veçohet në vlera dhe mirësi, sepse në këtë muaj ndodhet ajo që njerëzit e quajnë dita e Ashuras, pra dita e dhjetë, ditë në të cilën është i pëlqyer agjërimi, për shkak se në këtë ditë ka ndodhur një ngajrje e madhe me një nga Profetët e Allahut. Allahu i Lartësuar në këtë ditë e ka shpëtuar pejgamberin e Tij, Musain (alejhi selam) dhe popullin e tij nga Faraoni. Muaji Muharrem dhe dita e Ashuras në veçanti nuk mund te ndahen nga Musai dhe historia e tij. Historia e Musait (alejhi selam) eshte historia më e gjatë dhe më e përmendur ne Kur’an. Musai (alejhi selam) ishte profeti më i madh i bijve të Israilit (Jehudëve) dhe më i ndjekuri prej tyre, i cili qëndroi i palëkundur në rrugën e Allahut, jetoi në kohë të vështira dhe diti t’i bënte ballë me sukses vështirësive dhe peripecive. Allahu i Lartësuar thotë ne Kur’an: “Faraoni dhe ushtria e tij u sollën me arrogancë dhe padrejtësisht në tokë , duke menduar se nuk do te ktheheshin tek Ne. Por Ne e kapem atë dhe ushtrinë e tij dhe i hodhem ne det. Shiko se cili eshte fundi i keqberesve!” (Kasas: 39-40)
Po ashtu, Allahu i Madhëruar, duke i përshkruar momentet e shpëtimit të Musait nga Faraoni, thotë: “Ne i shpallem Musait qe ti gjuash me shkopin tend detit dhe ai u nda, dhe secila ane ishte si mal i lartë. Atje Ne i afruam ata të tjerët (Faraonin dhe pasuesit e tij). E shpetuam Musain bashkë me të gjithë ata që ishin me të. Pastaj i mbyteëm te tjeret. Ne kete ngjarje kishte mrekulli, por shumica nuk ishin besimtarë. Dhe dije se Zoti yt është Fitimtar dhe i Mëshirshem.” (Shuara: 63:68)
I gjithë muaji Muharrem ka qenë një muaj që Profeti i kushtonte një rëndësi të veçantë në drejtim te
e adhurimit. Ky ishte muaji te cilin ai parapëlqente ta agjëronte pothuajse të gjithin, veç Ramazanit që e kishte detyrë. Por, më shumë rëndësi i kushtonte agjërimit të ditës së dhjetë, pra ditës Ashura.
Ibn Abasi (radijAllahu anhu) thotë: “Kur mbërriti Profeti (alejhi selam) në Medine, i gjeti hebrenjtë duke agjëruar ditën e Ashuras dhe pyeti: “Ç’është kjo ditë? Ata i thanë: “Kjo është ditë e madhe. Allahu në këtë ditë e ka shpëtuar Musain bashkë me popullin e tij. Musai (alejhi selam) e ka agjëruar këtë ditë si falenderim për Allahun, prandaj edhe ne e agjërojmë atë. Profeti (alejhi selam) u tha: “Ne kemi më shumë përparësi se ju në ndjekjen e Musait.” Profeti e agjëroi atë ditë dhe urdhëroi muslimanët ta agjërojnë.” (Buhariu, Muslimi)
Vlera e agjërimit të kësaj dite është e madhe. Ajo i fshin gjynahet e një viti. Është pyetur i Dërguari i Allahut (alejhi selam) për agjërimin e ditës së Ashuras dhe ka thënë: “I shlyen mëkatet e një viti.” (Muslimi nga Ebu Katade (radijAllahu anhu))
Prandaj, i Dërguari i Allahut (alejhi selam) kujdesej për agjërimin e kësaj dite, ashtu siç kujdesej për agjërimin e muajit të Ramazanit. Abdullah ibn Abasi (radijAllahu anhu) ka thënë: “Nuk e kam parë pejgamberin (alejhi selam) të ruante mirësinë e agjërimit të ndonjë dite, siç bënte me diten e Ashuras, dhe as te ndonjë muaji, siç bënte me muajin e Ramazanit. Prej sunetit të profetit (alejhi selam) në agjërimin e kësaj dite është që kjo të shoqërohet bashkë me një ditë tjetër, para ose pas, dhe më e mira është që të agjërohet dita para saj, pra dita e nëntë dhe e dhjetë. Nga Ibn Abasi transmetohet se ka thënë: “Kur i Dërguari i Allahut agjëroi ditën e Ashuras dhe urdhëroi që ta agjeronin dhe të tjerët atë ditë, i thanë atij: “O i Dërguari i Allahut! Kjo është një ditë që Jehudët dhe të krishterët e madhërojne!” Profeti (alejhi selam) tha: ” Kur të vijë viti tjetër, me lejen e Allahut, do ta agjërojmë edhe ditën e nëntë.” Thotë Ibn Abasi: “Kur erdhi viti tjetër, Profeti kishte nderruar jete.”
Dijetarët kanë thënë se: “Qellimi i agjërimit të ditës së nëntë dhe të dhjetë është që ne të dallohemi nga Jehudët dhe të Krishterët dhe të mos përngjasojmë me ta.
Dita e Ashuras këtë vit është të shtunën, në 30 shtator. Ju nxis ta agjëroni atë ditë dhe një ditë para ose pas saj. Allahu ua pranoftë punët e mira.
Në përfundim, do të përmend edhe diçka tjetër: Njerëzit kanë shpikur disa veprime dhe zakone për këtë ditë që nuk kanë lidhje me festën e “Ashuras”, asaj ëmbëlsirës që është përhapur në vendin tonë. Kjo ditë është emëruar Ashura sepse është dita e dhjetë e muajit Muharrem dhe vjen nga numri 10, që në gjuhën arabe i thuhet “ashratun” (ndërsa “ashura” d.m.th e dhjeta.) Prandaj, kjo ditë nuk ka aspak lidhje me festimin që i bëhet asaj duke gatuar ëmbëlsirën e ashures.

You may also like...