Mëso dituri.Lexo dhe puno me te.

Buhariu ka thënë: “Dituria duhet t’i paraprijë fjalës dhe punës”. Argument për këtë është fjala e Allahut:

“Dije se nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut.” (Muhamed, 19)

Allahu ka filluar me diturinë para fjalës dhe punës.

Shpjegimi:

Më pas, shejhu (Allahu e mëshiroftë) ka përmendur fjalën e Buhariut të përcjellë në librin e saktë, Sahihun, në kapitullin: “Dituria duhet t’i paraprijë fjalës dhe punës”. Si argument ka sjellë fjalën e Allahut të Lartësuar:

“Dije se nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut.”

Ajeti nis me dijen përpara punës, e cila është “kërkimi i faljes”, dhe fjalën që është “nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut”. Pse e ka përmendur këtë shejhu? Sepse kjo broshurë është broshurë dijeje, shpjegim dhe sqarim i saj. Ai i tërheq vëmendjen nxënësit të dijes se dija është shumë e rëndësishme, ajo është para fjalës dhe veprës. Para se të kërkojë falje njeriu duhet të zotërojë dijen të cilën e ka obligim, dije e cila e shpëton atë ditën kur ai të pyetet për tre pyetjet e varrit.

Pra, dijetari do të sqarojë ty tri parimet dhe çështjet që kanë të bëjnë me to. Ai për të përforcuar rëndësinë e dijes ka sjellë fjalën e Buhariut që e ka renditur në kapitullin “Dituria duhet t’i paraprijë fjalës dhe punës”. S’ka dyshim se dija është më e rëndësishmja.

Për këtë, Ibën Kajimi (Allahu e mëshiroftë) thotë:

“Padituria është sëmundje vrastare, dhe ajo kurohet vetëm me Kuran dhe Traditen Profetike. Por këtë kurë duhet ta japë një dijetar që është dhe edukues i mirë.

Dituria ndahet në tri lloje:

1- Emrat e Allahut, cilësitë dhe veprimet e Tij.

2- Urdhërat dhe ndalesat fetare.

3- Shpërblimi dhe ndëshkimi në Ditën e Ringjalljes.

Të gjitha këto dituri gjenden në Kuran dhe në Sunetin e Profetit.

Kushdo që hiqet si i ditur, dhe bazohet në diçka që bie ndesh me këto dy burime, ai flet kotnasikoti”.

Ibn Kajimi (Allahu e mëshiroftë) ka sqaruar se padituria është sëmundje vrastare. Po me çfarë kurohet injoranca? Ai ka thënë: “Kuran dhe Sunet”. Po kush të orienton dhe të qartëson? Ai ka thënë: “Por këtë kurë duhet të ta japë një dijetar që është dhe edukues i mirë”. Pra, jo  çdokush që i përket dijes, por ai që është dijetar edukator, të cilët Allahu i ka përshkruar në suren Al Imran:

“Bëhuni robër të ditur të Zotit (që i zbatojnë porositë e Tij), sepse ua keni mësuar Librin të tjerëve dhe e mësoni edhe vetë!” (Ali Imran, 79)

Pastaj ka qartësuar se cila është dija për të cilën përpiqesh për arritjen e saj duke thënë:

Dituria ndahet në tri lloje:

1- Emrat e Allahut, cilësitë dhe veprimet e Tij. Ky varg ka përfshirë teuhidin: teuhidin rububije (njësimin e Allahut në veprat e Tij); teuhidin uluhije (njësimin e Allahut në adhurim); dhe El-esma ues-sifat (njësimin e Allahut në emrat dhe cilësitë e Tij).

Pas kësaj është lloji i dytë i dijes të cilën e ka përmendur në fjalën e tij “Urdhërat dhe ndalesat fetare”; që do të thotë fik’hu. Urdhërimi dhe ndalimi. Dispozitat, hallalli dhe harami. Kjo është e urdhëruar, e kjo është e ndaluar. Këtë veproje, e këtë mos e vepro. Ky pra, është lloji i dytë i dijes së dobishme.

Pas kësaj, vjen e treta për të cilën ka thënë: “Shpërblimi dhe ndëshkimi në Ditën e Ringjalljes”. Që është të diturit se çfarë do të ndodhë në Ditën e Gjykimit

Thënia: “Dituria duhet t’i paraprijë fjalës dhe punës”. Pra, kur dija i paraprin fjalës dhe punës, njeriu ka mirësi, edhe nëse dija është e paktë. Ndërsa, kur fjalët dhe punët nuk bazohen në dituri të saktë, edhe në qofshin ato sa malet, atëherë ato nuk e shpëtojnë njeriun.

Imam Ahmedi transmeton në librin e tij Ez-Zuhd, e po kështu edhe Ebu Nuajmi dhe një grup transmetuesish të tjerë, se Ebu Derdaja ka thënë: “Sa mirë bëjnë të mençurit! Flenë gjumë natën dhe hanë ushqim ditën (nuk agjërojnë)! E megjithëkëtë, ata dalin më të fituar sesa mendjelehtët, të cilët lënë gjumin e natës për të falur namaz dhe agjërojnë ditën. Kjo për arsye se kur njeriu ka devotshmëri dhe bindje, një e mirë që peshon sa një grimcë ka më shumë vlerë e peshë për të se ibadeti (adhurimi) sa malet që kryhet nga të vetëmashtruarit”[1]. Kush janë të mençurit që përmenden në këtë thënie? Ata janë njerëzit me zemra të gjalla dhe mendje të shëndosha. Ata janë njerëzit e ditur. Të mençurit flenë gjumë, ndërsa mendjelehtët – sipas fjalës së Ebu Derdasë (Allahu qoftë i kënaqur me të) – e kalojnë natën në namaz. E megjithatë, të mençurit nuk janë njësoj si mendjelehtët. Mendjelehtët e adhurojnë Allahun pa dituri, kurse të mençurit bëjnë pak ibadete për Allahun, por me dituri. Ndaj, të mençurit kanë shpërblim më të madh, siç përmend Ebu Derdaja. Prandaj themi se dija është në kulmin e rëndësisë. Fillohet me dijen para çdo gjëje, veçanërisht në atë pjesë që ka të bëjë me saktësinë e adhurimit, akides dhe përmirësimin e zemrës. Pikërisht kjo e bën njeriun që të hedhë hapat i qartë në jetën e tij, në përputhje me sunetin e Pejgamberit (alejhissalatu uesselam), e të mos jetë në injorancë.

[1] Shënon Imam Ahmedi në Zuhd, Ebu Nuajmi në Hilje, Ibn Asakiri në Tarikh Dimashk në versione të ndryshme që arrijnë te Ebu Seid el-Kindi, e ky nga dikushi që përcjellë nga Ebu Derda thënien e tij. Sikundër vërehet, në zinxhirin e transmetuesve ndodhet një transmetues i panjohur.

Ibn Kajimi ka thënë: “Kjo fjalë është nga xhevahiret që tregojnë për kuptimin e thellë të sahabëve dhe epërsinë e tyre në çdo mirësi ndaj atyre që erdhën pas tyre.” (El-Feuaid).

Titulli i librit:
KOMENTI I TRE PARIMEVE

Autori:
Salih ibn Abdulaziz Al Shejh

You may also like...