Mëkati sjell mëkatin

Mëkatet sjellin njëra–tjetrën dhe njeriu e ka të vështirë të largohet prej tyre. Disa dijetarë kanë thënë se kur e keqja pasohet nga një e keqe tjetër, atëherë kjo tregon se është dënim. Kurse, kur e mira pasohet nga një e mirë tjetër, atëherë kjo tregon se është prej shpërblimit, sepse kur njeriu bën një punë të mirë, ajo punë që qëndron në krah të saj, i thotë: “Më bëj edhe mua!” Nëse njeriu e bën edhe punën e dytë, atëherë e treta thotë të njëjtën gjë e kështu me radhë, derisa shumëfishohen të mirat. Një gjë e tillë ndodh edhe me veprat e këqija. Nëse besimtari nuk kryen vepra të mira, ai ngushtohet shpirtërisht dhe e ndien veten si peshku që braktis ujin, derisa të kthehet përsëri në të, për të qenë i qetë dhe i kënaqur. Ndërsa, kur krimineli e braktis mëkatin dhe kthehet tek adhurimi, atij i ngushtohet gjoksi e i këputen krahët, derisa t’i kthehet përsëri. Shumë njerëz që kryejnë mëkate të mëdha, e bëjnë këtë gjë pa ndjerë asnjë kënaqësi, përkundrazi ndiejnë dhimbje kur ndahen prej këtyre mëkateve. Këtë të vërtetë e ka pranuar edhe vetë Hasan Bin Hani’i[1] (prijësi i popullit të tij), i cili ka thënë:

E piva me ëndje të madhe gjer në fund një gotë[2]

Me tjetrën prej saj u shërova nëpër afsh të ngrohtë

Kurse një tjetër thotë:

Sëmundje qe ajo, por dhe ilaç për mua

Siç pijanecin e shëron një gotë verë në duar

Kështu, njeriu vuan për adhurimin, e bën zakon dhe e do mbi gjithçka tjetër. Për këtë, Allahu me mëshirën e Tij, i dërgon engjëjt që e nxisin me forcë drejt këtij adhurimi. Në të kundërt, njeriu vazhdon t’i bëjë zakon mëkatet, t’i dojë dhe t’i preferojë ato mbi gjithçka tjetër, saqë Allahu i dërgon Shejtanët për ta nxitur drejt tyre.

I pari forcon ushtarët e adhurimit të tij, derisa ata i bëhen ndihmës të ngushtë, kurse i dyti forcon ushtarët e mëkateve, derisa ata i bëhen ndihmës në kryerjen e mëtejshme të këtyre mëkateve.

[1] – Ai quhet Ebu Nu’uas dhe ka vdekur në vitin (198H). Biografia tij gjendet në “Historiku e Bagdatit” (436/7) dhe një nga poezitë e tij më të njohura, është:

Mos më qorto, se qortimi është vetëm mashtrim

Shëromë me atë që sëmundje ishte që në fillim.

[2] – (sh.p): Një gotë verë.

Titulli në shqip: “Sëmundja dhe Ilaçi”
Autori: Ibn Kajjim el Xheuzije (751h)
©xhamiambret.com

You may also like...