Lutja pas përfundimit të abdesit

Transmetohet nga Umeri radijAllahu anhu se ka thënë: I Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Nëse ndonjëri prej jush merr abdes në formën më të mirë dha pastaj thotë: “Esh-hedu en la ilahe il-lAllahu uahdehu la sherike leh, ue esh-hedu enne Muhameden abduhu ue rasuluh – Dëshmoj se nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut, Një, i Vetëm e i pa shok dhe dëshmoj se Muhammedi është rob dhe i dërguar i Tij”, do të hapen për të tetë dyert e xhenetit dhe ai mund të hyjë në të nga cila derë të dëshirojë.” Muslimi (552), Ebu Daudi (169), (906), Tirmidhiu (55), Nesaiu (148), Ibën Maxheh (419) dhe Ahmedi (116).

Tirmidhiu shton:  “O Zoti im! Më bëj mua prej atyre që pendohen dhe prej atyre që pastrohen!

Shejh Salih el-Feuzani (Allahu e ruajttë!): Në hadith tregohet ligjshmëria e pasimit të abdesit me këtë dhikër madhështor “Esh-hedu en la ilahe il-lAllahu uahdehu la sherike leh, ue esh-hedu enne Muhameden abduhu ue rasuluh – Dëshmoj se nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut, Një, i Vetëm e i pa shok dhe dëshmoj se Muhammedi është rob dhe i dërguar i Tij. O Zoti im! Më bëj mua prej atyre që pendohen dhe prej atyre që pastrohen!” Më herët përmendëm se ai fillon me përmendjen e Allahut (thënien Bismil-lah).

Nuk legjitimohet që personi në abdesin e tij të përmendi dhikër tjetër nga ai që transmetohet e që thuhet në fillim dhe mbarim të tij (abdesit). Kush thotë diçka tjetër përveç këtyre dy lutjeve që përmenden në hadith, ai ka ardhur me diçka për të cilën nuk ka argument.

Në hadith tregohet për ligjshmërinë e bashkimit mes dy pastrimeve: pastrimi nga urina dhe nevoja dhe pastrimi nga shirku dhe të gjitha risitë. Dëshmia “Esh-hedu en la ilahe il-lAllahu” përmban pastrimin nga shirku. Ndërsa dëshmia “enne Muhameden rasulullah” përmban pastrimin nga risitë. Ngase Allahu nuk adhurohet veçse me atë që ka ardhur i Dërguari i Tij sal-lAllahu alejhi ue sel-lem. Prandaj çdo gjë me të cilën nuk ka ardhur i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem konsiderohet risi (bidat).

Në hadith tregohet për dyert e xhenetit dhe se ato janë tetë.

Me disa shkurtime nga “Tes’hilul ilmam bifik’hil ehadith min bulug el-meram” vëll. 1

Përktheu: Unejs Shem

You may also like...