Lexoi këto dy sure, sa herë që flë dhe sa herë që ngrihesh.

SURJA EL-FELEK

Mekase – 5 vargje

Bismil-lâhirr Rrahmânirr Rrahîm

  1. Thuaj: “Kërkoj mbështetje te Zoti i agimit, 2. që të më mbrojë nga sherri i gjithçkaje që Ai ka krijuar 3. dhe nga sherri i natës, kur kaplon terri 4. dhe nga sherri i falltarëve, që fryjnë në nyje (duke bërë magji) 5. dhe nga sherri i smirëziut, kur vepron me smirë.”

Vlerat e dy sureve të fundit

1. Ukbe bin Amir, përcjell se i Dërguari i Allahut (alejhi salatu ues selam) ka thënë: A nuk i keni parë ajetet që më kanë zbritur këtë natë, e që njerëzit nuk kanë parë kurrë të ngjashme me to? “Kul eudhu bi Rabil felek” (Thuaj: “Kërkoj mbështetje te Zoti i agimit) dhe “Kul eudhu bi Rabin Nas” (Thuaj: “Kërkoj mbështetje te Zoti i njerëzve). [E përcjell Muslimi etj].

  1. Në një transmetim të Ahmedit thuhet: (Ukbeh thotë): Kur po drejtoja kafshën mbi të cilën kishte hipur Profeti (alejhi selam) në një nga udhëtimet e tij, për një moment ai më tha: O Ukbeh, a nuk po hipën (mbi deve)? Thash: Kam frikë mos quhet mëkat! I Dërguari i Allahut, zbriti dhe unë hipa për një kohë të caktuar, pastaj më tha: O Ukbeh, a ke dëshirë të mësosh dy sure prej më të mirave që mund të lexojnë njerëzit? I thash: Patjetër o i dërguari i Allahut! Ai më lexoi: Kul eudhu bi Rabil felek” (Thuaj: “Kërkoj mbështetje te Zoti i agimit) dhe “Kul eudhu bi Rabin Nas” (Thuaj: “Kërkoj mbështetje te Zoti i njerëzve). Më pas u bë ikameti për namaz, ndërsa i dërguari i Allahut doli dhe lexoi këto dy sure, pastaj kaloi pranë meje dhe më tha: Si mendon o Ukbeh? Lexoi këto dy sure, sa herë që flë dhe sa herë që ngrihesh. [E përcjell Ahmedi 4/144, Ebu Daudi dhe Nesaiu 8/153, shejh Albani ka thënë: Hasen, për më tepër shih Sahih Nesai].
  1. Në një transmetim (nga Ukbeh) thuhet: I Dërguari i Allahut më urdhëroi të lexoj dy suret: Kul eudhu bi Rabil felek” (Thuaj: “Kërkoj mbështetje te Zoti i agimit) dhe “Kul eudhu bi Rabin Nas” (Thuaj: “Kërkoj mbështetje te Zoti i njerëzve) pas përfundimit të çdo namazi. [E përcjell Ahmedi, Ebu Daudi, Tirmidhiu, ky i fundit ka thënë: Hadith i mirë dhe garib, Nesaiu].
  1. Nesaiu përcjell se i Dërguari i Allahut ka thënë: Gjëja më e mirë tek e cila kërkojnë mbështetje njerëzit janë këto dy sure Kul eudhu bi Rabil felek” (Thuaj: “Kërkoj mbështetje te Zoti i agimit) dhe “Kul eudhu bi Rabin Nas” (Thuaj: “Kërkoj mbështetje te Zoti i njerëzve). [E përcjell Nesaiu në sunen el Kubra 4/442].
  1. Tirmidhiu dhe të tjerë përcjellin nga Ebu Seid el Hudri se i Dërguari i Allahut (alejhi salatu ues selam) kërkonte mbrojtje nga syri i keq i xhindëve dhe i njerëzve. Në momentin kur zbritën këto dy sure, ai filloi të praktikonte leximin e tyre dhe la çdo gjë tjetër. [E përcjell Tirmidhiu dhe ka thënë: Hadith i saktë dhe i mirë, Nesaiu, ibn Maxheh etj].

Ibn Kethiri, në tefsirin e tij, pasi përmend këto hadithe dhe transmetimet e ndryshme thotë: Të gjitha këto rrugë të transmetuara nga Ukbeh, ngjajnë si të ishin muteuatirah (të përcjella nga shumë njerëz, ku e bën të pamundur mundësinë e gënjeshtrës) dhe tregojnë prerë se janë fjalë të Profetit, tek shumica e hulumtuesve të hadithit. [Tefsir ibn Kethir fq 5774].

Komentet e fjalëve

  1. Thuaj: “Kërkoj mbështetje te Zoti i agimit,

Hasen el Basri thotë: “El Felek” është për qëllim koha e agimit.

  1. që të më mbrojë nga sherri i gjithçkaje që Ai ka krijuar.

Ibn Kethiri ka thënë: Dmth nga e keqja e të gjitha krijesave.

  1. dhe nga sherri i natës, kur kaplon terri.

Hasen el Basriu thotë: Fillimi i natës atëherë kur fillon dhe errësohet.

  1. dhe nga sherri i falltarëve, që fryjnë në nyje (duke bërë magji)

Haseni ka thënë: Janë për qëllim magjistarët dhe magjistaret.

  1. dhe nga sherri i smirëziut, kur vepron me smirë.”

Katade ka thënë: Nga e keqja e syrit dhe shpirtit të tij.

Aishja (Allahu qoftë i kënaqur prej saj) thotë: Profetit (alejhi selam i bënë magji, derisa i dukej sikur shkonte me gratë, por në fakt nuk ndodhte diçka e tillë.

Sufjani ka thënë: Magjia më e rëndë është ajo kur njeriu ndjehet në këtë gjendje.

Profeti (alejhi selam) i tha Aishes: O Aishe, a e di se Allahu më ka dhënë përgjigje për atë që e kam pyetur? Më erdhën dy burra, njëri u ul tek koka dhe tjetri u ul tek këmbët e mia. Ai që qëndronte tek koka i tha tjetrit: Cfarë ka ndodhur me këtë burrë? Ai tha: I kanë bërë magji! Kush i ka bërë magji? Ai tha: Lebid bin Easam, (një burrë nga fisi Zurejk e që ishte hipokrit në aleancë me fiset hebreje). Ai pyeti: Me çfarë gjëje i ka bërë magji? Ai tha: Me krëhër dhe fije floku! Ku ndodhet magjia, pyeti përsëri? Në zgavrën e një filizi palme hurmash, e hedhur në pusin Dheruan. Ajo (Aisha) tha: Shkuan tek pusi dhe e nxorrën prej aty dhe tha: Ky është pusi që më kanë terguar, uji i tij ishte si ngjyra e kenas së tretur, ndërsa palmat që e rrethonin ngjanin si të ishin kokë shejtanësh. Ai tha: Nxirreni! Aisha i tha: A nuk po e shpërbën?

Tek versioni i Muslimit thuhet: A nuk po e djeg?

Kurtubiu duke e sqaruar këtë thotë: Kishte për qëllim Lebidin.

Profeti (alejhi selam) tha: Përerisa Allahu më shëroi, nuk më pëlqen të nxis të keqen ndaj kujtdo qoftë. [E përcjell Buhariu dhe Muslimi].

Begaviu përcjell nga Zejd bin Erkam: Profetit (alejhi selam) i bëri magji një burrë prej hebrejve dhe kjo e bëri të vuante disa ditë. Atij i erdhi Xhibrili dhe i tha: Një burrë nga hebrejtë të ka bërë magji dhe të ka lidhur nyje. I Dërguari i Allahut (alejhi selam), dërgoi Aliun i cili e nxorri (magjinë) dhe e solli tek Profeti (alejhi selam). Sa herë që zgjidhej një nyje, Profeti ndihej më lehtë, derisa ai u shërua plotësisht sikur të mos kishte vuajtur më parë. Kjo gjë nuk iu përmend çifutit e as që e pa ndonjëherë ballë përballë.

Mukatil dhe Kelbij kanë thënë: Magjia gjendej në një dru ku ishin lidhur 11 nyje.

Në një version tjetër thuhet se nyjet ishin të shoqëruara me gjilpëra. Allahu zbriti këto dy sure që bashkë numërojnë 11 ajete dhe sa herë që lexonte një ajet, zgjidhej një nyje derisa u zgjidhën të gjitha. Profeti (alejhi selam) u ngrit sikur të mos i kishte ndodhur gjë.

Begaviu përmendi me senedin e tij nga Ebu Seid el Hudrij, se Xhibrili kishte shkuar tek Profeti (alejhi selam) dhe i kishte thënë: O Muhamed, po vuan? Ai tha: Po! Xhibrili filloi lutej duke thënë: Bismilahi erkijke, min kuli shejin ju’dhijke, min sherri kuli nefsin eu ajni hasidin Allahu jeshfijke. Bismilahi erkijke. (Në emër të Allahut po të bëj rukje prej të gjitha gjërave që të lëndojnë, nga e keqja e çdo nefsi apo syri ziliqar Allahu të shëroftë. Në emër të Allahut po të lexoj rukje. [E përcjell Muslimi].

Cfarë mësojmë nga këto ajete?

1- Domososhmërinë e kërkimit të mbrojtjes dhe mbështetjes tek Zoti i Lartësuar nga çdo gjë e frikshme të cilën njeriu nuk mundet ta pengojë për shkak të fshehjes (siç janë shejtanët), apo pamundësisë për ta penguar.

2- Nalimi i fryrjes së nyjeve, sepse kjo konsiderohet magji dhe magjia është mohim ndaj Zotit, ndërsa gjykimi për magjistarin është tehu i shpatës.

3- Ndalimi i prerë nga smira (zilia) sepse është sëmundje e rrezikshme. Hasedi e nxiti vëllanë të vriste vëllanë. Nxiti vëllezërit e Jusufit që ti thurnin kurthe.

4- Lakmia nuk ka lidhje me hasedin, kjo bazuar në hadithin e saktë ku thuhet: Zilia lejohet vetëm në dy gjëra. Këtu është për qëllim lakmia!

Marrë nga Libri “Teufiku Rrahman fi durusi el Kuran”

Autor Fejsal bin Abdul Aziz Al Em Barek (Allahu e mëshiroftë).

Dobitë në fund të komentit janë marrë nga libri “Ejser et Tefasir” me autor Ebu Bekr el Xhezairi (Allahu e ruajtë).

Përktheu Fatjon Isufi

 

 

 

You may also like...