Kuptimi sekret i numrit shtatë

ibn kajim
Kuptimi shpirtëror i numrit ‘shtatë’
Përdorimi i shtatë hurmave që përmendet në hadith, ka një kuptim shpirtëror (ezoterik) dhe material. Kështu, Allahu ka krijuar shtatë qiej, shtatë toka, shtatë ditë në javë, e bëri krijimin e njeriut në shtatë etapa, ka përcaktuar shtatë rrotullime rreth Qabes, shtatë xhiro ndërmjet Safasë dhe Mervasë, shtatë guralecë për t’u hedhur në Mina, shtatë tekbire gjatë faljes së Bajramit.

Përveç këtyre, Pejgamberi alejhi selam ka thënë se fëmijët duhet ta kryejnë namazin kur të arrijnë moshën shtatë vjeç. Pejgamberi alejhi selam ka saktësuar se fëmija mund të zgjedhë ndërmjet nënës dhe babait (në rast të divorcit të prindërve), pasi të ketë mbushur shtatë vjeç. Gjatë kohës së sëmundjes së tij të fundit, Pejgamberi alejhi selam kërkoi nga sahabët që t’i derdhnin mbi kokë ujë të freskët me shtatë shakuj të ndryshëm. Allahu i Gjithëfuqishëm e urdhëroi erën shkatërruese që të sulmonte shtatë net pa ndërprerë e pa mëshirë popullin jobesimtar të Adit, si ndëshkim për të. Pejgamberi alejhi selam e ka lutur Allahun e Gjithëfuqishëm që ta ndihmonte atë kundër popullit të Mekës, duke dërguar mbi ta shtatë vite të vështira dhe thatësire, si shtatë vitet e Jusufit. Në Kuran, Allahu i Lartësuar na tregon që do ta shumëfishojë shpërblimin e bamirësisë, sikurse shumon farën nga e cila dalin shtatë kallinj. Ai thotë: “Pasuria e atyre që e shpenzojnë atë në rrugën e Allahut është si një kokërr prej së cilës mbijnë shtatë kallinj…” [Bekare, 261] Gjatë kohës së profetit Jusuf, mbreti i Egjiptit pa në ëndërr shtatë kallinj gruri dhe, me shpjegimin e Jusufit, që ishte asokohe i burgosur, egjiptianët mbollën për shtatë vite rresht. Gjithashtu, Pejgamberi alejhi selam ka lajmëruar se shtatëdhjetë mijë pasues të tij do të hyjnë në Xhenet pa dhënë llogari.

Siç shihet, nuk ka asnjë dyshim se numri shtatë ka rëndësi të veçantë, të cilin nuk e kanë numrat e tjerë, dhe vetëm Allahu e di më mirë kuptimin e vërtetë dhe urtësinë që fshihet në zgjedhjen e numrit shtatë mbi numrat e tjerë.
Hadithi i mësipërm thotë se ngrënia e shtatë hurmave të një zone të caktuar të Medinës është mbrojtëse nga helmimet dhe magjitë, gjë që dëshmon për cilësitë e veçanta që ka ky lloj hurme. Po të kishin qenë Hipokrati apo Galeni ata që do ta kishin deklaruar këtë, atëherë mjekët do ta pranonin menjëherë, pa pyetur, edhe sikur ata ta kishin bërë pohimin me hamendje dhe jo të mbështetur në fakte. Por thëniet që vijnë nga Pejgamberi alejhi selam, fjalët e të cilit janë të vërteta dhe zbulesë e sigurt hyjnore, meritojnë të besohen dhe respektohen më shumë, pa patur asnjë mëdyshje a ngurrim.

Hurmat që përmenden në hadith janë efikase kundra helmimeve vetëm në disa zona të caktuara. Megjithatë, ne duhet të pohojmë këtu se ka edhe një kusht tjetër: i sëmuri duhet të besojë se ilaçi do ta ndihmojë atë, në mënyrë që trupi ta pranojë dhe të përfitojë prej tij. Është fakt, se ndonjëherë, vetëm duke besuar se ilaçi do ta japë efektin e tij, kjo ndihmon për kurimin e sëmundjes, dhe këtë e kanë dëshmuar një mori njerëzish. Kur zemra e pranon se ilaçi është efikas, trupi fillon e ndien një rritje të fuqive dhe të nxehtësisë instiktive të tij, faktorë këto që e ndihmojnë të nxjerrë jashtë substancat e jashtme. Nga ana tjetër, ndodh që një ilaç i mirë të mos japë rezultate, pasi pacienti nuk beson se ai do të ketë rezultat; rrjedhimisht, trupi nuk e pranon ilaçin dhe as nuk përfiton prej tij.

Madje edhe Kurani, i cili është ilaçi më i mirë, kura më efikase si për këtë botë, edhe për tjetrën, ai i cili është shërim për çdo sëmundje, nuk i bën dobi asaj zemre që nuk beson në të, që nuk beson se ai është ilaç dhe shërim; përkundrazi, Kurani ua shton më tepër sëmundjet zemrave të këqija.
Nuk ka kurë më të mirë për sëmundjet e zemrës sesa Kurani, pasi ai e zhduk tërësisht sëmundjen nga zemra, mbron shëndetin dhe mirëqenien e saj dhe lufton gjithçka që mund t’i sjellë asaj dëm.

Megjithatë, shumica e zemrave përsëri e shpërfillin Kuranin dhe nuk e besojnë atë, e kështu i shmangen përdorimit të tij. Njerëz të tillë mbështeten vetëm tek ilaçet materiale, duke u privuar nga të mirat e Kuranit. Rrjedhimisht, simptomat që prekin zemrat e tyre theksohen më tepër, madje ato shfaqen të pambrojtura ndaj shumë sëmundjeve të tjera. Me kalimin e kohës, mjekët bashkë me pacientët mësohen me barnat e përgatitura po nga soji i tyre, nga krerët apo nga ata të cilët i respektojnë. Në këtë mënyrë, shkatërrimi rëndohet dhe sëmundja bëhet më e vështirë për t’u kuruar. Sa më shumë ata përdorin ilaçet e tyre, aq më tepër e rëndojnë sëmundjen që kanë!

IBN KAJIM EL XHEUZIJE
ZEAD EL MEAD

You may also like...