Hixhreti i Muhamedit alejhi selam nga Meka në Medine

Në këto ditë bota islame priti ndërrimin e viteve, i cili na përkujton ne një ngjarje të madhe. Një ngjarje e cila e bëri tërë botën të kthejë vështrimin e saj drejt Islamit, të njihet me parimet hyjnore me të cilat erdhi profeti Muhamed alejhi selam nga Zoti i tij dhe gjithashtu të njihet me dritën dhe udhëzimin që ai solli për njerëzimin. Kjo ngjarje është hixhreti i Muhamedit alejhi selam nga Meka në Medine. Një ngjarje e madhe dhe shumë e rëndësishme për historinë islame, e mbushur me durim dhe sakrificë për Allahun.
Hixhreti i Muhamedit alejhi selam nuk ishte nga frika për vetveten e tij, por për të ngritur lart flamurin islam, për të ngritur një shtet islam mbi parimet dhe ligjet hyjnore, në të cilin njerëzit do të adhuronin vetëm Allahun dhe do të çliroheshin nga robëria e adhurimit të idhujve. Një shtet ku njeriu i rëndomtë nuk do të frikësohej nga padrejtësia e njeriut të pushtetshëm, gruaja dhe fëmija si dy krijesat më të brishta, do të gëzonin të drejtat e tyre dhe do të ndjeheshin të respektuar dhe të vlerësuar.
Hixhreti përmban fragmente që janë mrekulli nga Zoti, përvoja dhe mësime që i nevojiten çdo besimtari në momente të ndryshme të jetës së tij.
Allahu i lartësuar e begatoi njerëzimin me dërgesën e Muhamedit alejhi selam, por jo të gjithë i besuan atij. Ata që e mohuan do ta përbuznin, persekutonin, luftonin thirrjen e tij dhe në fund do të përpiqeshin edhe për eleminimin fizik të tij alejhi selam. Këtë fakt na e kujton Allahu i lartësuar në Kuran kur thotë: “Kujto kur mohuesit komplotonin kundër teje: për të të burgosur, vrarë ose dëbuar. Ata bënin kurthe, por edhe Allahu ngrinte kurthe (kundër tyre). Allahu është planifikuesi më i mirë.” (El-Enfal: 30). Allahu e ruajti të Dërguarin e Tij nga dredhitë dhe intrigat e idhujtarëve duke e urdhëruar atë që të emigrojë për në qytetin e Medines. Në këtë udhëtim Profeti alejhi selam u shoqërua nga njeriu më i mirë i këtij umeti pas tij, Ebu Bekri – Allahu qoftë i kënaqur me të. Të dy së bashku për ti shpëtuar ndjekjes së idhujtarëve u strehuan në një shpellë të vogël dhe të ngushtë. Ata, idhujtarët do të afroheshin në hyrje të shpellës aq pranë Profetit alejhi selam dhe Ebu Bekrit saqë nëse do të shtrinin duart e tyre do të preknin këmbët e tyre, por Allahu i lartësuar ua turbulloi shikimet dhe ata nuk mund ti shihnin të strehuarit në shpellë. Në ato momente Ebu Bekri do të ndjehej shumë i frikësuar jo për vetveten, por për jetën e Profetit alejhi selam, i cili do ta qetësonte atë duke i dhënë kurajë dhe frymëzuar për mendim të mirë për Allahun me fjalët e tij madhështore: “ O Ebu Bekër, si do të jetë gjendja e dy personave, nëse Allahu është i treti i tyre! Mos u mërzit, sepse Allahu është me ne!”. Pa dyshim që fjalë të tilla në momentet ku armiku është përballë teje nuk mund ti thotë askush përveçse një njeri zemra e të cilit është e mbushur me besim dhe mbështetje të plotë tek Allahu dhe ndjehet plotësisht i sigurtë dhe i bindur që Allahu do ta mbajë premtimin e Tij duke e ruajtur të Dërguarin e Tij alejhi selam.
Pas tre ditësh do të dilnin nga shpella të rrethuar nga përkujdesja dhe mëshira e Allahut, derisa do të arrinin në Medine, banorët e së cilës i pritën me brohori tekbirash dhe madhërimesh për Allahun duke shfaqur në këtë mënyrë gëzimin dhe lumturinë e tyre të madhe për mbërritjen e Profetit alejhi selam në qytetin e tyre.
Në vitet e qëndrimit të tij në Medine Muahmedi alejhi selam do të ndërtonte një bashkësi islame të shëndoshë me vlera dhe parime të larta hyjnore, një shtet që funksiononte plotësiht mbi ligjet e Allahut të Gjithdijshëm.
Pas rreth dhjetë vitesh kishte ardhur momenti që Profeti alejhi selam të kthehej në Meke, por me një ushtri të madhe pasi që më parë kishte dalë i vetëm prej saj, fshehurazi dhe i nënçmuar e përbuzur nga banorët e saj. I kthyer plot lavdi dhe madhështi ai do të hynte në Meke plot modesti, me kokë të përulur dhe duke i garantuar paprekshmëri çdokujt që nuk gren shpatën kundra muslimanëve. Do të afrohej në Kabe dhe do të thyente e nxirrte prej saj të gjithë idhjt që ndodheshin në të duke lexuar fjalën e Allahut të lartësuar: “Thuaj: “E vërteta erdhi, ndërsa e pavërteta u shkatërrua. Sigurisht, e pavërteta është e paracaktuar të zhduket”! ” (El-Isra: 81). Më pas bëri tavaf rreth Kabes fali namaz në brendësi të saj dhe qëndroi në derën e Kabes për ti mbajtur mekasve një ligjëratë në të cilën i këshilloi për barazi ndërmjet tyre dhe luftë kundra rracizmit, siç thotë Allahu i lartësuar: “O njerëz! Në të vërtetë, Ne ju krijuam ju prej një mashkulli dhe një femre dhe ju bëmë popuj e fise, për ta njohur njëri-tjetrin. Më i nderuari prej jush tek Allahu është ai që i frikësohet më shumë Atij. Vërtet, Allahu është i Gjithëdijshëm dhe për Atë asgjë nuk është e fshehtë.” (El-Huxhurat: 13), pastaj iu tha armiqve të cilët qëndronin të dorëzuar përpara tij: “ Çfarë mendoni se mund të bëj unë më ju?” Ata i thanë se ti je vëlla i nderuar dhe bir i një njeriu të nderuar! Ai u tha: Unë ju them juve siç i tha Jusufi vëllezërve të tij: “ Sot s’ka qortim për ju; Allahu do t’ju falë. Ai është më i mëshirshmi i mëshiruesve!” (Jusuf: 92), shkoni, ju jeni të lirë!”
I fali ata të cilët për vite më rradhë i kishin vrarë të afërmit dhe shokët, e kishin persekutuar dhe ofenduar. I fali në momentet ku ai ndjehej plotësisht i fuqishëm për tu hakmarrë ndaj tyre pa vështirësinë më të vogël, por ai e dinte shumë mirë se misioni i tij ishte udhëzimi i njerëzve dhe jo vrasja e tyre dhe se Allahu e dërgoi si mëshirë për njerëzimin dhe jo si persekutues të tyre. Ky qëndrim i lavdishëm i Muhamedit alejhi selam tregon qartë personalitetin e tij të madh dhe të përkryer.

You may also like...