займы онлайн

Hëna e përgjakur, gënjeshtra e radhës

Ka ditë që në mediat e shkruara, vizive apo edhe ato online qarkullojnë lajme se me rastin e hënës së përgjakur (eklipsit hënor) do të ndodhë diçka shumë e keqe apo do të jetë edhe fundi i botës. Për ne si muslimanë është shumë e qartë se lajme të tilla janë spekullime dhe abuzime me ndjenjat dhe qetësinë shpirtërore të njerëzve. Nuk duam që në këto pak reshta të shpjegojmë se çfarë është hëna e përgjakur, pra eklipsi i saj dhe ngjyra e kuqe që merr për shkak të perëndimit të diellit, sepse shkenca ka folur qartë dhe mjaftueshëm në lidhje me këtë çështje, por duke treguar këndvështrimin fetar ndaj një fenomeni të tillë natyror arrijmë që të dallojmë gënjeshtrën nga e vërteta, të drejtën nga e gabuara dhe të mirën nga e keqja.
Kur Profetit Muhamed alejhi selam i vdiq djali i tij i vogël, Ibrahim, ndodhi eklipsi i diellit dhe disa njerëz thanë se ky fenomen ndodhi për shkak të vdekjes së djalit të të Dërguarit të Zotit. Kur i dëgjoi këto pretendimi profeti Muhamed alejhi selam, doli para njerëzve dhe u tha atyre se fenomene të tilla nuk ndodhin për shkak të vdekjes apo lindjes së dikujt, por janë shenja më të cilat Allahu i tërheq vëmendjen njerëzve drejt madheshtisë së Tij, në mënyrë që ata të përmisojnë raportin e tyre me Zotin.

Kjo ndodhi na tregon qartë se eklipset nuk paralajmërojnë ndonjë fatkeqësi të madhe të përcaktuar me datë, siç është pretendimi rreth hënës së përgjakur, por Zoti i madhëruar i dërgon ato me urtësi prej Tij dhe dobi për ata njerëz që përkujtojnë nga shenjat e Zotit në horizont.
Askush nuk e di se kur do të ndodhë fundi i botës, sepse kjo është një dituri që Zoti e ka fshehur dhe askush nga krijesat nuk ka aftësi ta zbulojë atë.

Vazhdmisht, pothuajse çdo muaj dalin lajme të tilla që janë spekullime dhe krejtësisht të pavërteta, edhe nëse ato “ bazohen” në argumente fetare, por datat e pretenduara se do të ndodhë diçka kalojnë, asgjë nuk ndodh dhe njerëzit qetësohen pas një ngarkese psikologjike. E çuditshmja është se janë pikërisht po këta njerëz që sapo dëgjojnë gënjeshtrën e rradhës përsëri ndjehen të frikësuar, të hutuar dhe të rënduar psikologjikisht, natyrisht kjo gjendje e tyre dhe kjo rënie e tyre në spekullime të njëpasnjëshme ndodh për shkak të mungesë së një informacioni bazë që duhet të ketë çdo njeri për Zotin dhe fenë e Tij, prandaj ne si muslimanë nuk duhet të shqetësohemi e as të dyshojmë rreth lajmeve të tilla, por me bindje dhe siguri deklarojmë se nuk janë të vërteta, nuk i kushtojmë asnjë rëndësi atyre dhe angazhohemi me çështje që na sjellin dobi në këtë botë dhe tjetrën.

You may also like...