Fol mirë ose hesht!

Allahu i Lartësuar thotë:
“Thuaju, robërve të Mi, që të flasin atë që është më e mira. Në të vërtetë, djalli mbjell ngatërresa ndërmjet tyre. Vërtet, djalli është armik i hapët i njeriut. “ (El-Isrā, 53)
“O ju që keni besuar! Asnjë burrë prej jush të mos tallet me burra të tjerë, se këta mund të jenë më të mirë se ai. Gjithashtu, asnjë grua të mos tallet me gra të tjera, se këto mund të jenë më të mira se ajo. Mos e nënçmoni dhe mos e qesëndisni njëri-tjetrin me nofka (të këqija)! Sa e shëmtuar është të thirresh me emër të keq pas (pranimit të) besimit! Ata që nuk pendohen, janë vërtet keqbërës. O ju që keni besuar! Mënjanoni shumë dyshime, se, vërtet, disa dyshime janë gjynah. Mos e spiunoni dhe mos e përgojoni njëri-tjetrin! Mos vallë dëshiron ndokush prej jush të hajë mishin e vëllait të vet të vdekur?! Sigurisht që ju do ta urrenit këtë! Kijeni frikë Allahun! Me të vërtetë, Allahu është Pranues i pendimit dhe Mëshirëplotë.” (El-Huxhurāt, 11-12).

Nga një grup prej sahabëve (radijAllahu anhum) përcillet se i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Kush beson Allahun dhe Ditën e Fundit, të mos i bëj dëm fqinjit! Kush beson Allahun dhe Ditën e Fundit le ta nderojë mysafirin! Kush beson Allahun dhe Ditën e Fundit le të flas mirë ose le të heshtë!” (Buhāriu nr. 5673 dhe Muslimi nr. 1468).

Nga ‘Ukbe bin ‘Amir përcillet të ketë thënë: “Thash: “O i Dërguar i Allahut! Si të shpëtoj?” Ai më tha: “Frenoje gjuhën tënde, le të të mjaftojë shtëpia jote dhe qaj për mëkatet e tua!” (Tirmidhiu nr. 2406 dhe tha: “Hadithi është hasen.” Shih “Es-Silsile Es-Sahīha” nr. 888).
Nga një grup prej sahabëve përcillet se i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Ta fyesh myslimanin është mëkat, ndërsa ta luftosh atë është kufër.” (Buhāriu nr. 48 dhe Muslimi nr. 64).

Nga një grup prej sahabëve përcillet se i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Vërtet se në Xhenet ka dhoma, ana e jashtme e të cilave shihet nga brenda dhe ana e brendshme e tyre shihet nga jashtë.” Ebū Mūsā El-Esh’arij tha: “Për kë janë ato, o i Dërguar i Allahut?” Ai tha: “Për atë që flet fjalë të buta, që jep ushqim dhe që e kalon natën duke u falur për Allahun gjersa njerëzit janë në gjumë.”
(Ahmedi, nr. 22956, El-Hejthemij 3/192, ibën Huzejme, nr. 2136 -2137, ibën Hibbāni nr. 509, El-Bejhekij nr. 8262. Shih “Sahīhut-Tergīb” të shejh Albanit 617).

You may also like...