Engjëjt rrinë pranë të moralshmëve, ndërsa shejtanët larg tyre

Ky është një virtyt i madh që u jepet atyre që kanë moral të mirë sepse kur shejtanët qëndrojnë larg tyre, ata në këtë mënyrë qëndrojnë larg punëve të këqija. Në anën tjetër, kur engjëjt qëndrojnë pranë tyre, rrjedhimisht ata janë më pranë punëve të mira.
Argumenti që e pohon këtë është hadithi, të cilin e përcjell Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!), i cili thotë: “Dikush e shau Ebu Bekrin në prani të Profetit. Në ato momente Profeti habitej dhe buzëqeshte, por kur ai e teproi, Ebu Bekri ia ktheu. Pas kësaj, Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) u zemërua dhe u ngrit për t’u larguar. Ebu Bekri e ndoqi nga pas dhe i tha: “O i Dërguari i Allahut, ai po më shante dhe ti ishe i pranishëm aty! Kur ia ktheva disa fjalë, ti u zemërove dhe u largove?!” Profeti iu përgjigj: “Me ty o Ebu Bekër ishte një engjëll, i cili ia kthente sharjen atij në vendin tënd. Por kur fillove t’ia kthesh ti, atëherë u afrua shejtani dhe unë nuk ulem aty ku qëndron shejtani.’’
Më pas iu drejtua Ebu Bekrit duke i thënë: “O Ebu Bekër, tri gjëra janë të vërteta; atij që duron padrejtësinë që bëhet për hir të Allahut, Allahu do ta ndihmojë atë dhe do ta ngrijë në gradë.
Çdo njeri që hap derën e dhënies (lëmoshës), duke pasur për qëllim lidhjet farefisnore, Allahu do t’ia shtojë atij pasurinë, ndërsa ai që hap derën e kërkimit (me qëllim që të shtojë pasurinë), Allahu do t’ia shtojë më shumë varfërinë.”
Njeriu i parë i këtij umeti që arriti të kuptojë këtë fakt profetik madhështor, ishte Hatixhja (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!), e pikërisht në fillimet e profecisë kur Xhibrili kishte shkuar tek Profeti për herë të parë. Atëherë, Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) u frikësua për veten e tij nga ajo që kishte parë. Kjo ndodhi para se të sigurohej se ai ishte engjëll.
Buhariu dhe Muslimi transmetojnë nga Aishja (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!), se Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) i ishte drejtuar Hatixhes duke i thënë: “O Hatixhe, nuk e di se çfarë kam! I tregoi ngjarjen pastaj sërish i tha: “O Hatixhe, frikësohem për veten time (se mos ndoshta kjo gjë vjen nga djajtë)”. Hatixhja kur i dëgjoi këto fjalë i tha: “Kurrsesi, mos u frikëso, por përgëzohu! Betohem në Allahun se ty Allahu nuk do të turpërojë kurrë! Betohem në Allahun se ti i viziton të afërmit, kompenson gjënë e humbur, mirëpret mysafirin, i ndihmon të tjerët dhe ndjek të vërtetën.”
Medito për pak çaste se si Hatixhja këto virtyte i bëri mburojë për Profetin (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ndaj kurtheve të shejtanit, madje mendoi se ajo që i erdhi Profetit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ishte shpallje nga Allahu dhe jo kurth i shejtanit. Kjo, për të vetmen arsye se Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) nuk ishte gënjeshtar apo mëkatar. Argumenti që e pohon këtë është fjala e Allahut të Madhëruar, që thotë:

“A doni t’ju tregoj se kujt i afrohen djajtë? I afrohen çdo gënjeshtari gjynahqar. Ata përgjojnë, por shumica e tyre janë gënjeshtarë. ”
Ky ajet fisnik na jep të kuptojmë se djajtë qëndrojnë pranë atyre që ngjasojnë me ta. Shpifësi është ai që gënjen me fjalët që thotë, ndërsa mëkatari është ai që bën mëkate me veprat e tij, ashtu sikurse thuhet edhe në tefsirin e Ibn Kethirit. Këto janë cilësitë e njerëzve të devijuar e të pamoralshëm, prandaj edhe djajtë shpeshherë i mbizotërojnë dhe i komandojnë këta njerëz. Madje, mund të shkojë deri aty sa t’i kaplojë prekja e tyre, d.m.th. sëmundja e xhinëve.
Ibën Tejmija e ka sqaruar këtë fakt shumë qartë, duke na dhënë dobi të madhe. Ai shprehet: “Ky është kufiri ku Allahu i Madhëruar ka bërë dallimin ndërmjet poetëve, magjistarëve dhe profetëve. Këtë dallim e bëri atëherë kur disa të pandërgjegjshëm pretenduan se Muhamedi ishte poet dhe fallxhor.
Por Hatixhja e argumentoi me logjikën e saj të shëndoshë këtë situatë, duke thënë se atë që Allahu e ka krijuar e pajisur me moral të lartë, me këto cilësi, të cilat i gëzojnë vetëm të mirët dhe njerëzit e lavdëruar, asnjëherë nuk mund ta poshtërojë, duke u lejuar djajve të tallen me mendjen dhe fenë e tij. Hatixhes nuk i kishte zbritur ndonjë shpallje për ta kuptuar këtë, por ajo e kuptoi dhe e mësoi nga intuita e saj e shëndoshë.
Në të njëjtën mënyrë, kur disa njerëz gënjeshtarë pretenduan se ishin profetë, siç ishte rasti i Musejleme gënjeshtarit, Ebul Esued el Ansit etj., problemi i të cilëve ishte i dyshimtë sidomos për injorantët, veçanërisht kur atyre u shpallej nga shejtanët. Kjo gjë i bëri disa injorantë të besonin se kjo që u shpallej atyre ishte e njëjtë me atë që u shpallej profetëve. Por kur të mençurit prej tyre u tregonin për biografitë, padrejtësitë dhe gënjeshtrat e tyre, u bëhej e qartë se këta njerëz nuk mund të ishin profetë, sepse Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) nuk është as gënjeshtar dhe as i padrejtë.”
Buhariu dhe Muslimi shënojnë se Dhul Huejsira në momentin kur i ka thënë Profetit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!): “Bëhu i drejtë o Muhamed, sepse ti nuk je i drejtë (në kohën që Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) po ndante plaçkën e luftës). Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) i tha: “Humbe dhe u shkatërrove nëse unë nuk jam i drejtë (sepse kjo fjalë bie ndesh me profecinë dhe e shan atë). A nuk keni besim tek unë, ndërkohë që unë jam i besuari i Atij që është në qiell (Allahut)?!”
D.m.th. humbe dhe u shkatërrove nëse nuk tregohem i drejtë, sepse nëse mendon se jam i padrejtë me besimin se unë jam profet, atëherë kjo tregon se ti ia lejon vetes që profeti të cilin besove të jetë i padrejtë. Kjo është humbje dhe shkatërrim sepse bie ndesh me profecinë dhe është shpifje e madhe.
Them: Përderisa Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ishte njeri i dërguar dhe besnik, ashtu siç e pamë më lart në këtë hadith, atëherë edhe ai që i zbriti shpalljen ishte engjëll besnik. Për të Allahu i Madhëruar ka thënë:

“Vërtet, ai (Kurani) është shpallje e Zotit të botëve. Atë e solli shpirti besnik (Xhibrili) në zemrën tënde, në mënyrë që të jesh prej atyre që tërheqin vërejtjen.”
Përderisa Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka qenë njeri besnik, ashtu siç e ka cilësuar Allahu i Lartësuar në Kuran në suren:

“Me të vërtetë ai (Kurani) është fjalë e Zotit që e lexon i dërguari i ndershëm, por ju nuk besoni.”
Gjithashtu, i tillë ishte edhe ai që i solli shpalljen, Xhibrili, një engjëll i lartë dhe fisnik për të cilin Allahu i Madhëruar ka thënë:

“Vërtet, ai është shpallje që e solli i dërguari fisnik, i cili është i fortë dhe gëzon vend të lartë tek Zoti i Arshit.”
Nga ana tjetër, shohim se si të parët tanë të mirë dhe të ndershëm i njihnin njerëzit që gënjenin dhe pretendonin se ishin profetë, sapo njiheshin me ndonjë gënjeshtër. Gënjeshtra është thelbi i mëkateve, si në moral, ashtu dhe në fusha të tjera. Nga Buhariu dhe Muslimi është transmetuar se Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Vërtet, gënjeshtra të shpie drejt mëkateve.” Realisht, shejtani është gënjeshtar i madh, ashtu siç ia ka pohuar Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) Ebu Hurejrës në kohën kur shejtani kishte shkuar për t’i vjedhur, duke i thënë: “Të vërtetën të ka thënë, edhe pse në të vërtetë është gënjeshtar i madh.” Duke u nisur nga ky pohim arsyetojmë se është e pamundur që me gënjeshtarët dhe mëkatarët, të mos përzihet koka e mëkatarëve dhe gënjeshtarëve, shejtani.
Ashtu sikurse ka ndodhur me dikë të quajtur Muhtar bin Ubejd el Kedhabi (Gënjeshtari). Ebi Hatimi transmeton në tefsirin e Ibn Kethirit me zinxhir nga Ebi Zumejl, i cili tregon: “Ndërsa isha ulur me Ibn Abasin, Muhtari, personi në fjalë, kishte ardhur për të kryer Haxhin. Dikush erdhi tek Ibn Abasi dhe i tha: “O Ibn Abas, Ebu Is’haku (Muhtari) pretendon se këtë natë i ka ardhur shpallje.” Ibn Abasi ia ktheu: “Të vërtetën ka thënë.” Transmetuesi vazhdon: “Unë që isha ulur u shtanga, u zmbrapsa dhe thashë: “Ibn Abasi të thotë kështu?!” Atëherë Ibn Abasi tha: “Ato janë dy lloje shpalljesh; shpallje nga Allahu dhe shpallje nga shejtani. Shpallja e Allahut i është dhënë Muhamedit, ndërsa shpallja e shejtanit u është dhënë të dashurve të tij si puna e Muhtarit.” Më pas lexoi fjalën e Allahut:
“Vërtet, shejtanët u shpallin atyre.”
Me këtë rast, po kujtoj disa fjalë të bukura, të cilat i kam lexuar në komentin e Ibn Kethirit, mbi fjalën e Allahut ku thotë:

“A ka më mizor se ai që shpif gënjeshtër ndaj Allahut apo përgënjeshtron faktet e tij? Mëkatarët vërtet s’kanë për të shpëtuar.”
Ibn Kethiri thotë: “Allahu i Madhëruar tregon se nuk ka më mizor, më të prishur e më kriminel se ai që shpif gënjeshtër ndaj Allahut dhe thotë për Allahun gjëra që Ai nuk i thotë. Madje, pretendon se Allahu e ka dërguar në një kohë kur Allahu nuk e ka dërguar, pra nuk ka më mizor e më të padrejtë se ky njeri. Shembulli i këtij njeriu nuk mund t’u fshihet injorantëve, e si mund të jetë i ngjashëm me atë të profetëve?! Ndonjë që shprehet kështu, qoftë gënjeshtar apo i sinqertë, do t’i vijë dita kur Allahu të shfaqë argumente për sinqeritetin apo gënjeshtrat e tij, madje këto argumente do të jenë më të qarta se rrezet e diellit. Për këdo duket qartë ndryshimi ndërmjet Profetit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe Musejleme gënjeshtarit, madje kjo diferencë është më e madhe se mëngjesi me mesin e natës. Atij që Allahu i ka dhuruar mendjemprehtësi dhe mënyrën e të arsyetuarit mbi cilësitë, punët dhe fjalët e secilit prej tyre, vëren qartë sinqeritetin e Muhamedit dhe hipokrizinë e Musejleme gënjeshtarit, apo Sexhahut dhe Esued Anesiut. Për këtë, Abdullah bin Selami ka thënë: “Kur i Dërguari i Allahut arriti në Medine të gjithë njerëzit u mblodhën e unë isha njëri prej tyre. Në momentin që e pashë, kuptova se fytyra e tij nuk i përngjante fytyrave të gënjeshtarëve. Gjëja e parë që dëgjova prej tij ishte; “O ju njerëz, përhapni selamin, ushqeni njerëzit, mbani lidhjet farefisnore dhe faluni në kohën kur njerëzit flenë, në mënyrë që të hyni në Xhenet me selam (paqe).” Në kohën që tek Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) erdhi delegacioni i Beni Sad bin Bekrit, mes tyre ishte edhe Dimam bin Thalebe, i cili iu drejtua Profetit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) me fjalët: “O Muhamed, kush e ngriti këtë qiell?” Ai iu përgjigj: “Allahu.” Dimami përsëri e pyeti: “Kush i nguliti fort këto male?” Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) iu përgjigj përsëri: “Allahu.” Ai e pyeti: “Kush e bëri të rrafshët këtë tokë?” Ai iu përgjigj “Allahu.” Atëherë Dimami tha: “Betohem në Atë, i Cili ngriti këtë qiell, nguliti këto male dhe rrafshoi këtë tokë! A të dërgoi Allahu për të gjithë njerëzit?” Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) u përgjigj: “Po, për Zotin tim!” Më pas e pyeti Profetin (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) për namazin, zekatin, Haxhin dhe agjërimin duke u betuar mbi secilën prej tyre, ndërsa Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ia pohonte duke iu betuar. Në fund tha: “Të vërtetën the o Muhamed!” Pastaj shtoi: “Betohem në Atë, i Cili të ka dërguar me të vërtetën, se nuk do të shtoj dhe nuk do të pakësoj asgjë nga këto që më the.” Ky njeri u mjaftua me kaq sepse ishte bindur në besnikërinë dhe sinqeritetin e Profetit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe për shkak të argumenteve të qarta që e qartësonin një gjë të tillë. Hasan bin Thabiti në një nga poezitë e tij thoshte:

Nëse për të (Profetin) nuk do të kishte argumente të qarta,
Mjafton që intuita e tij tregon shenja haptas.

Për sa i përket Musejlemes, çdokush që posedon logjikë të shëndoshë dhe vëren gjendjen e tij do ta kuptojë, pa asnjë pikë dyshimi, çështjen e tij. Atë e kupton nga fjalët e tij të rëndomta të cilat nuk kanë lidhje me gjuhën e pastër letrare, apo e kupton nëpërmjet veprave të tij të shëmtuara, nëpërmjet kuranit të tij me të cilin do të fundoset në zjarrin e Xhehenemit Ditën e Pikëllimit, Ditën kur të dalë në shesh çdo gjë.
Sa i madh është dallimi ndërmjet fjalëve të Allahut ku thotë:

“Allahu! Nuk ka zot tjetër (që meriton adhurimin) përveç Tij, të Gjallit, të Përjetshmit, Mbajtësit të gjithçkaje! Atë nuk e kaplon as dremitja, as gjumi!”
dhe fjalëve të Musejlemes, Allahu e mallkoftë dhe fytyrën ia shëmtoftë kur thotë: “O bretkosë e bija e dy bretkosave, pastro aq sa të pastrosh sepse edhe ujin nuk e ndot e as pirësin nuk e ndalon.” Apo në shkrimet e tij, Allahu e shëmtoftë, ku thotë: “Allahu i ka dhuruar shumë mirësi gruas shtatzënë, në kohën kur nxori prej saj një njeri që lëviz ndërmjet barkut dhe organeve të brendshme.” Ose, Allahu e lëntë gjithmonë në zjarrin e Xhehenemit, ku thotë: “Elefanti! Ç’të bëri ty të dish se çfarë është elefanti? Ai posedon një hundë të gjatë!!!”
Apo me fjalët e tij, Allahu e largoftë nga Mëshira e Tij, ku thotë: “Betohem në brumin kur ai përgatitet, bukën kur ajo bëhet dhe kafshatat të cilat përzihen me yndyrë! Vërtet Kurejshët janë popull që i kalojnë kufijtë.”
Këto ishin disa nga legjendat dhe fjalët e përçarta, prej të cilave neveriten edhe fëmijët që t’i thonë, madje edhe nëse i shprehin, i shprehin për t’u tallur e për asgjë tjetër. Për këtë arsye, Allahu e poshtëroi dhe ditën e Betejës së Kopshtit (jeuml hadika) ai shijoi vdekjen. Pas kësaj iu shkatërrua grupi që kishte, shokët dhe familja e tij e mallkuan, derisa erdhën tek i sinqerti (Ebu Bekri) të penduar dhe të përmalluar për fenë e Allahut.
Kur familja dhe fisi i Musejlemes erdhën tek Ebu Bekri, ai u kërkoi t’i lexonin diçka nga kurani i Musejlemes, por ata i kërkuan Ebu Bekrit që të mos ua kërkonte një gjë të tillë. Ai ngulmoi, në mënyrë që njerëzit ta dëgjonin dhe të kuptonin se në çfarë mirësie ishin: në mirësinë e udhëzimit dhe të diturisë.
Kur ata lexuan diçka nga fjalët e Musejlemes, të cilat i përmendëm edhe më lart, pasi mbaruan së lexuari Ebu Bekri u tha: “Mjerë ju, ku po iu shpinte mendja?! Betohem për Allahun se këto fjalë nuk kanë dalë nga një Zot që adhurohet.”
Thuhet, se një herë Amër bin el Asi erdhi tek Musejlemja sepse ishte shok me të në kohën kur akoma nuk e kishte pranuar Islamin. Musejleme gënjeshtari i tha: “Mjerë për ty o Amër! Më trego çfarë i është zbritur shokut tuaj (Muhamedit) në këtë periudhë?” Amri tha: “Kam dëgjuar shokët e tij të lexojnë një sure madhështore, edhe pse është shumë e shkurtër.” Musejlemja i tha: “Cila është ajo?” Ai recitoi:

“Pasha kohën! Nuk ka dyshim se njeriu është në një humbje të sigurt. Me përjashtim të atyre që besuan, që bënë vepra të mira, që porositën njëri-tjetrin t’i përmbahen të vërtetës dhe këshilluan njëri-tjetrin të jenë të durueshëm.”
Musejlemja u mendua pak dhe tha: “Edhe mua më është zbritur një gjë e tillë.” Amri e pyeti: “Çfarë të është zbritur?” Ai iu përgjigj: “O maçok, more maçok, ke dy sy dhe një kraharor, ndërsa të tjerat tek ti janë kot.” Dhe e pyeti: “Si të duket kjo o Amër?” Amri ia ktheu, duke i thënë: “Betohem në Allahun se ti e di që unë e di se ti gënjen!”
Kur arriti të dallojë ky njeri që në atë kohë ishte idhujtar, mes Muhamedit e sinqeritetit të tij dhe Musejlemes e gënjeshtrave të tij, atëherë si mund t’u fshihet një gjë e tillë njerëzve të logjikshëm që kanë intelekt të shëndoshë dhe mendjemprehtësi të dukshme?! Për këtë fakt Allahu i Madhëruar ka zbritur:

“Kush është më mizor se ai që trillon ndaj Zotit të tij, ose thotë: më është shpallur, në një kohë që atij nuk i është shpallur?! Apo ai që thotë: do të thur diçka të ngjashme me atë që ka zbritur Allahu.”
Ndërsa në ajetin të cilin e sqaruam thotë: “A ka më mizor se ai që shpif gënjeshtër ndaj Allahut ose që përgënjeshtron faktet e Tij? Mëkatarët nuk kanë për të shpëtuar.”
Për këtë arsye, nuk ka më mizor se ai që përgënjeshtron të vërtetën, me të cilën u dërguan profetët, duke iu bërë të qarta argumentet këtij njeriu, siç është transmetuar në një hadith ku Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) thotë: “Njeriu më mizor tek Allahu është ai njeri që vret një profet, apo ai që vritet nga një profet.”
Medito për pak çaste mbi rëndësinë që ka morali, sepse ai (morali) u përdor si argument për të aprovuar profecinë e njërit (Muhamedit) dhe gënjeshtrën e një tjetri (Musejlemes).

Këshilla të arta për moralin e lartë

Autor
Abdulmalik Ramadani

You may also like...