Edukata e ngrënies dhe pirjes

Nëse dëshiron të jetosh me një trup të shëndetshëm larg sëmundjeve, atëherë mos fut në stomakun tënd ushqim mbi ushqim dhe ha vetëm kur je i uritur. Kur të hash, mos e mbush barkun me ushqim. I Dërguari i Allahut (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) thotë: «Nuk ka mbushur biri i Ademit enë më të keqe se barku i tij.» (Ahmedi, Tirmidhiu, ibën Maxheh dhe Hakimi).

Nëse ke nevojë për ushqim, atëherë laji duart dhe përmend emrin e Allahut para ngrënies. Mos e gëlltit ushqimin duke e kapërdirë, por përtype kafshatën duke e bluar me dhëmbë, sepse përtypja e mirë ndihmon tretjen. Ha nga ajo që ke përpara dhe mos i zgjat duart sa andej këndej, sepse është babëzi dhe lakmi e pashuar.

Mos u sill si endacakët dhe njerëzit e ulët, mos ha në pazare dhe nëpër rrugë qoftë dhe sa për të provuar, sepse kjo gjë të ul personalitetin dhe vlerat e tua.

Ruaju nga koprracia dhe kurnacëria. Nëse të tepron diçka, jepe sadaka tek nevojtarët. Mos nënvlerëso asgjë nga ajo që jep për sadaka, sepse sadakaja e pakët është diçka që u nevojitet të varfërve. Kur t’i japësh sadaka një të varfëri, mos e lëndo dhe mos e përbuz atë. Thotë Allahu i Madhëruar: «Fjalët e dashura dhe falja e gabimeve janë më mirë se sadakaja (lëmosha) e ndjekur me lëndim.» (El-Bekareh 263). Thotë Profeti: “Përpiqu ta fshehësh sadakanë tënde nga sytë e njerëzve sepse sadakaja e fshehtë e shuan inatosjen e Allahut të Lartësuar.” ( Transmeton Taberanij).

Ruaju nga ngrënia dhe pirja në enët e papastërta, sepse mund të shkaktojnë sëmundje, të cilat nuk i shëron as ilaçi i doktorit dhe as kurimi i njeriut të mençur.
Mos pi ujë të ndotur me papastërti. Përmend emrin e Allahut para se të pish. Ujin pije me qetësi, pak nga pak dhe tri herë.

Kur të mbarosh të ngrënit dhe të pirët, falëndero Allahun i Cili të ushqeu dhe të dha ujë. Falënderoje Atë për begatitë e Tij të panumërta. Allahu të udhëzoftë dhe të drejtoftë.

“Porositë e etërve për bijtë” Shejkh Muhammed Shaakir.

You may also like...