Durimi i engjëjve ,durimi i xhinëve ,durimi i njeriut

Durimi i xhinëve
Xhinët, po ashtu, kanë cilësinë e durimit, si njerëzit, meqë ata janë përgjegjës për veprimet e tyre sikurse njerëzit. Atyre u nevojitet durimi për të përmbushur detyrimet ndaj Allahut sikurse edhe neve. Dikush mund të pyet: A janë ata përgjegjës në të njëjtën mënyrë sikurse ne, apo ndryshe? Përgjigja është se, për sa u përket çështjeve emocionale dhe ndjenjave, ata janë përgjegjës sikurse ne, dhe ndajnë detyrimin e dashjes për hir të Allahut dhe urrejtjes për hir të Tijin, të besimit, të marrjes për shokë besimtarët dhe armiqësimit të mosbesimtarëve, etj. Por, për sa u përket çështjeve fizike, si gusli, abdesi, pastrimi pas kryerjes së nevojës dhe të bërit synet, ata nuk janë si ne. Në lidhje me këtë, detyrimet e tyre janë në përputhje me mënyrën e krijimit të tyre.

Durimi i engjëjve
Një tjetër pyetje që mund të parashtrohet është: A kanë engjëjt durim? Përgjigja është se engjëjt nuk provohen me teka e dëshira që bien në kundërshtim me arsyen dhe dijen e tyre. Për ta adhurimi dhe bindja ndaj Allahut janë sikurse frymëmarrja për ne. Ndaj, engjëjve nuk u duhet durimi, sepse durimi është i nevojshëm atëherë kur personi ka motive kontradiktore, fe dhe arsye të kundërt me teka e dëshira. Mirëpo, engjëjt mund të kenë një lloj durimi, i cili u shkon atyre dhe i bënë ata të qëndrueshëm në kryerjen e asaj për çfarë janë krijuar.

Durimi i njeriut
Nëse durimi i njeriut është më i fortë se tekat dhe dëshirat e tij, atëherë ai është si një engjëll; nëse tekat e dëshirat e tyre janë më të forta se durimi i tij, atëherë ai është si një dreq; nëse dëshira e tij për ushqim, për pije dhe për marrëdhënie seksuale është më e madhe se durimi i tij, atëherë ai s’është më i mirë se një kafshë.
Katadeh ka thënë:”Allahu i ka krijuar engjëjt me arsye dhe pa dëshira, kafshët i ka krijuar me dëshira dhe pa arsye, dhe njeriun e ka krijuar me të dyja:me arsye dhe me dëshira”.
Kështu, nëse arsyeja e njeriut është më e fortë se dëshira e tij, ai është si një engjëll; nëse dëshirat e tij janë më të forta se arsyeja e tij, ai është si një kafshë. Foshnja e vogël ka vetëm dëshirën për ushqim, kur ka nevojë për të, dhe durimi i saj është si i kafshës. Derisa ta mbërrijë moshën kur mund t’i dallojë gjërat, ajo s’ka zgjedhje. Kur të jetë rritur pak më shumë dhe të ketë zhvilluar ndjenjën për lojë, do të zhvillohet edhe durimi me zgjedhje. Njëkohësisht, fuqia e tij e të gjykuarit, po ashtu, është në zhvillim e sipër, por mes vjetëve kur ai mund ta dallojë të keqen nga e mira, në kohën e pubertetit, e gjithë çfarë ai mund të shohë është interesi i tij në këto botë dhe çfarë mund ta përkeqësojë jetën apo ta bëjë atë më të bukur. Kjo pikëpamje e kufizuar do të mbetet, derisa të jetë i udhëzuar nga Allahu. Pastaj, ai do të ketë një fotografi të plotë dhe do të fillojë të mendojë për interesin e vet, si në këtë botë, ashtu edhe në tjetrën. Ai do të vetëdijesohet se ku mund të çojnë veprime të caktuara, dhe do të përgatitet për një luftim të gjatë me dëshirat veta dhe me prirjet e natyrshme.

Autorë: Imam ibn Kajjim el-Xheuzije

You may also like...