Duaja e largimit të ankthit dhe trishtimit dhe kuptimi i bukur i saj

Duaja e largimit të ankthit dhe trishtimit dhe kuptimi i bukur i saj
Ka thënë Profeti Muhamed (alejhi selam):
“Çdo njeri që është në ankth dhe i trishtuar nëse thotë:
“All-llahum-me, in-ni abduke, ibnu abdike, ibnu emetik! Nasijeti bi jedik! Madin fije hukmuk! Ad’lun fije kadauk! Es’eluke bi kul-lismin huve lek, sem-mejti bihi nefsek, eu enzeltehu fi kitabik eu al-lemtehu ehaden min halkike eu iste’therte bihi fi ilmil gajbi indek, en texh’alel Kur’ane rabia kalbi, ve nura sadri, ue xhelae huzni, ue dhehabe hem-mi!
(O Allah, unë jam robi Yt, biri i robit Tënd, biri i robëreshës tënde! Qenia ime është në dorën Tënde, vendimi Yt mbi mua sigurisht që ndodh, të drejta janë të gjitha caktimet e Tua për mua! Po të drejtohem me të gjithë emrat e Tu me të cilët e ke emërtuar Veten, apo të cilët i ke shpallur në Librin Tënd, apo të cilët ia ke mësuar ndonjë prej krijesave të Tua, apo të cilët i ke ruajtur në dijen tënde të fshehtë: që ta bësh Kuranin shi të begatë në zemrën time, dritë të gjoksit tim, largues të trishtimit tim dhe heqës të ankthit tim.)
Ahmedi dhe saktësoi Albani
Kjo dua përmban ujitjen e zemrës me shiun e begatë kuranor dhe ndriçimin e kraharorit me dritë, duke përmbledhur në këtë mënyrë jetën dhe dritën, siç thotë Allahu i Madhëruar: “A barazohet i vdekuri që Ne e ngjallëm dhe i dhamë dritë me të cilën ecën midis njerëzve, me atë që është në errësirë e nuk mund të dalë prej saj?!” (El-En-am: 122).
Duke qenë se kraharori është më i gjerë se zemra, atëherë besimtari i kërkon Zotit ndriçimin e tij dhe më pas ky ndriçim të depërtoi edhe në zemër, sepse gjoksi e përfshin edhe zemrën.
E duke qenë se jeta e trupit dhe çdo gjymtyre të tij është në varësi të jetës së zemrës, atëherë u kërkua fillimisht gjallëria e zemrës e cila më pas gjallëron edhe kraharorin e gjymtyrët e tjera trupore. Jeta e zemrës u kërkua me shiun sepse ai është lënda bazë e saj.
Trishtimi dhe ankthi është e kundërta e jetës së zemrës dhe ndriçimit të saj, prandaj largimi i tyre u kërkua me anë të Kuranit, sepse në këtë mënyrë ato nuk kthehen më kurrë, e nëse largohen me diçka tjetër të kësaj bote, pushtetit, pasurisë, shëndetit, bashkëshortes apo fëmijëve, atëherë ajo do të rikthehet me humbjen e tyre.

Ibn El-Kajim (El-Feuaid)

facebook

You may also like...