Detyrat e një Muslimani kur komenton Kuranin

Tefsiri në gjuhën arabe vjen nga fjala “el fesr” që do të thotë: zbulesë e diçkaje të mbuNdërsa në termin fetar tefsiri nënkupton: Sqarimin e kuptimeve të fjalëve të Allahut.

Mësimi i tefsirit është i domosdoshëm e themi këtë duke u bazuar në fjalën e Allahut që thotë: “Ky (Kuran) është një libër i bekuar, që Ne ta kemi zbritur ty (Muhamed), për të përsiatur mbi vargjet e tij dhe për t’u këshilluar me të mendarët.”[1] Si dhe në ajetin tjetër ku thotë: “Vallë, a nuk përsiatin ata për Kuranin apo i kanë zemrat të kyçura?![2].

Ajeti i parë aludon në atë se Allahu i Madhëruar e sqaroi se urtësia e zbritjes së këtij Kurani të begatë është që njerëzit të meditojnë në ajetet e tij dhe të marrin përvojë nga këshillat që gjenden aty.

Përsiatja e përmendur në ajet është të menduarit e thellë në fjalët për të arritur në kuptimet e tyre, por nëse një gjë e tillë nuk ndodh atëherë dhe urtësia e zbritjes së Kuranit humbet sepse ngelet thjesht një libër me terma që nuk kanë forcë ndikuese.

Gjithashtu nuk është e mundur që të merren mësimet nga ajetet e Kuranit pa i ditur kuptimet e tij.

Ndërsa ajeti i dytë aludon në faktin se Allahu i Madhëruar i ka përçmuar ata të cilët nuk meditojnë Kuranin duke dhënë të kuptojmë se zemrat e tyre janë të mbyllura dhe se hajri nuk mund të arrijë tek ato zemra.

Selefët tanë të mirë ndiqnin pikërisht atë që u kërkonte Allahu i Madhëruar sepse e mësonin Kuranin, shprehjet dhe kuptimet e tij, sepse vetëm në këtë mënyrë arinin të punonin me Kuran ashtu siç kërkonte Allahu sepse një punë e cila nuk kuptohet qëllimi i saj është diçka e pamundur që të bëhet.

Ebu Abdurrahman es Sulemi thotë: Na kanë treguar ata që na e lexonin Kuranin si Othman bin Afani apo Abdullah bin Mesudi etj se ata kur i mësonin tek Profeti -paqja dhe nderimi i Allahut qoftë mbi të- dhjetë ajete, nuk kalonin tek të tjerat derisa të mësonin dobitë që gjenden aty dhe t’i praktikonin ato. Dhe thoshin: Ne e mësuam Kuranin diturinë dhe praktikimin në të njëjtën kohë.

Shejhul Islam ibn Tejmije thotë: tradita e bën të pamundur që një popull ta lexojë një libër që flet për një art siç është mjekësia, matematika etj pa e shpjeguar atë. Kur kjo nuk ndodh tek ata si mund të ndodh me fjalën e Allahut të Madhëruar! Fjalë e cila i ruan ata dhe me të arrijnë shpëtimin, lumturinë dhe me anë të saj mbajnë lart fenë dhe jetën e tyre.

Dijetarëve u kërkohet që tua shpjegojnë njerëzve Kuranin qoftë duke shkruar apo edhe duke dhënë mësime, kjo bazuar në fjalën e Allahut që thotë: “Kujtoje (o Muhamed) kohën kur Allahu mori premtimin nga ata që u është dhënë Libri se do t’ua shpjegojnë atë njerëzve dhe nuk do të fshehin asgjë nga ai.”[3]

Shpjegimi i Kuranit për njerëzit përmbledh frazat dhe kuptimet e tij, e në këtë mënyrë tefsiri i Kuranit është një premtim që Allahu ua ka marrë atyre që u është dhënë dituria që ta sqarojnë atë.

Qëllimi i mësimit të tefsirit është arritja për tek frytet e mira dhe të bereqetshme që realizohet në besueshmërinë e lajmeve dhe përfitimi prej tyre duke i praktikuar dispozitat në atë mënyrë që ka dashur Allahu, me një fjalë të Adhurohet Allahu mbi baza të shëndosha diturie.
Detyrat e një Muslimani kur komenton Kuranin
Një Musliman kur komenton Kuranin e ka për detyrë që të ndjej në veten e tij se po përkthen fjalët që thotë Allahu i Madhëruar, po dëshmon për qëllime e atyre fjalëve. Kjo gjë duhet ta bëjë atë të druhet nga kjo dëshmi dhe të frikësuar që të thotë për Allahun pa pasur njohuri e në këtë mënyrë të bie preh e asaj që ka ndaluar Allahu dhe të poshtërohet me këtë gjest ditën e gjykimit. Allahu i Madhëruar thotë: “Thuaj: “Me të vërtetë, Zoti im ka ndaluar vetëm punët e pahijshme, qofshin të hapëta ose të fshehta dhe gjynahet, dhunimin pa të drejtë, t’i shoqërohet Allahut (në adhurim) diçka, për të cilën nuk ju ka dhënë kurrfarë të drejte dhe të thoni për Allahun atë që nuk e dini.”[4]

Gjithashtu ka thënë: “Në Ditën e Kiametit do t’i shihni ata që kanë trilluar gënjeshtra për Allahun, me fytyra të nxira. Vallë, a nuk është Xhehenemi vend për ata që janë mendjemëdhenj?!”[5]
Ku referohet tefsiri i Kuranit?

Tefsiri i Kuranit referohet tek këto pika që do përmenden më poshtë:

1- Tek fjala e Allahut, që do të thotë: Të komentohet Kurani me vetë Kuranin sepse Allahu e zbriti atë dhe vetëm Ai e di qëllimin e atyre fjalëve që ka zbritur.

Për këtë ekzistojnë shembuj:

– Fjala e Allahut “Pa dyshim, miqtë e Allahut nuk do të kenë arsye për t’u frikësuar dhe as për t’u dëshpëruar.”[6] Fjalën “miqtë e Allahut” e ka sqaruar me vetë fjalën e tij në ajetin vijues duke thënë: “(Të tillë janë) ata që besojnë dhe që (i) frikësohen (Allahut).”[7]

2- Fjalët e të dërguarit të Allahut, pra komenti i Kuranit me anë të sunetit. Sepse i dërguari i Allahut është kumtues i asaj që i zbriti Allahu i Madhëruar kështu që është njeriu më i ditur për qëllimet që ka Allahu me fjalët e tij.

Për këtë ekzistojnë shembuj:

– fjala e Allahut: “Ata që bëjnë vepra të mira, do të kenë shpërblim të mirë, madje edhe më tepër!”[8] i dërguari i Allahut fjalën “edhe më tepër” e ka komentuar me shikimin në fytyrën e Allahut të Madhëruar siç e ka përcjellë ibn Xheriri dhe Ibn Ebi Hatim nga Hadithi i ebu Musas dhe Ubej bin Keabit.

Ndërsa në Sahihun e Muslimit Suhejb bin Sinani përcjell se Profeti -paqja dhe nderimi i Allahut qoftë mbi të- në një hadith ka thënë: “E kështu pengesat do largohen dhe atyre nuk do u jepet kënaqësi më e madhe se sa të shohin Zotin e tyre, më pas lexoi këtë ajet: “Ata që bëjnë vepra të mira, do të kenë shpërblim të mirë, madje edhe më tepër!”

3- Fjalët e Sahabëve Allahu qoftë i kënaqur me ta e sidomos të diturit prej tyre dhe ata që janë angazhuar me tefsirin. E themi këtë sepse Kurani zbriti në gjuhën e tyre dhe në kohën kur jetuan. Gjithashtu ata pas profetëve janë njerëzit që më së shumti e kërkojnë të vërtetën dhe më të ruajturit nga pasionet dhe janë njerëzit më larg kundërshtimeve që e ndalojnë njeriun nga suksesi.

Për këtë ekzistojnë shembuj:

– fjala e Allahut: “Dhe, nëse jeni të sëmurë ose gjendeni në rrugë ose keni kryer nevojën natyrore, ose keni prekur gratë.”[9] Është vërtetuar nga ibn Abasi se ai “prekjen e grave” e ka komentuar me marrëdhëniet intime.[10]

4- fjalët e tabiinëve të cilët u kujdesën në marrjen e tefsirit nga sahabet -Allahu qoftë i kënaqur prej tyre-. Sepse tabiinët janë njerëzit më të mirë pas sahabeve dhe më të ruajturit nga pasionet. Gjithashtu gjuha arabe në kohën e tyre nuk kishte ndryshuar shumë prandaj ishin më afër të vërtetës në kuptimin e Kuranit krahasuar me ata që erdhën më pas.

Shejhul Islam ibn Tejmije thotë: Kur ata bëhen të një mendimi d.m.th. tabiinët rreth një çeshite atëherë nuk dyshohet se fjala e tyre bëhet argument por nëse kundërshtohen atëherë fjala e njërit nuk mund të jetë argument për një tjetër nëse ai e kundërshton e as për ata që vijnë më pas. Kjo çështje i kthehet gjuhës së Kuranit sunetit apo gjuhës së arabëve ose fjalëve të sahabëve.[11]

Marrë shkurtimisht nga libri “Bazat e tefsirit

të autorit Muhamed bin Salih el Uthejmin -Allahu e mëshiroftë-.

Përktheu Fatjon Isufi.

 

[1] Suretu Sad 29.

[2] Suretu Muhamed 24.

[3] Suretu Al Imran, 187.

[4] Suretu Araf, 33.

[5] Suretu Zumer, 60.

[6] Suretu Junus, 62.

[7] Suretu Junus, 63

[8] Suretu Junus, 26.

[9] Suretu Nisa, 43.

[10] Përcjell Abdurrezaku në Musanefin e tij (1/134), ibn Ebi Shejbe në Musanefin e tij (1/192).

[11] “Fetva të mbledhura”.

You may also like...