займы онлайн

Dëmet e gabimeve dhe të mekatëve

Le të kthehemi përsëri te tema që përmendëm, ajo e sëmundjes dhe e ilaçit.

Ajo që duhet të dihet është fakti se gabimet dhe mëkatet e dëmtojnë njeriun, dhe se dëmet e sëmundjes në zemër janë si dëmet që sjellin helmet në trup, në varësi të forcës së tyre.

Por, a ekziston ndonjë e keqe apo sëmundje që nuk shkaktohet nga gabimet dhe mëkatet?

Kush i nxorri prindërit tanë nga Xheneti, nga vendi i kënaqësive dhe i gëzimit për në vendin e dhimbjeve, dëshpërimeve dhe fatkeqësive?!

Kush e nxorri Shejtanin nga vendbanimi i qiellit?! Kush e largoi dhe e mallkoi?! Kush ia shëmtoi të dukshmen dhe të padukshmen dhe ia transformoi pamjen e brendshme dhe të jashtme?! Me afërsinë e tij, ai tregon largësi, me mëshirën tregon mallkim, me bukurinë e tij tregon shëmti, me Xhenetin e tij tregon një zjarr të ndezur, me besimin e tij tregon kufër, me dashurinë ndaj Mbështetësit tregon armiqësi, me vargjet e lavdërimit ndaj Allahut tregon vargjet e kufrit, të shirkut, gënjeshtrës dhe mashtrimit. Me veshjen e besimit, ai tregon veshjen e kufrit, hipokrizisë dhe mëkatit. Allahu e poshtëroi atë në mënyrën më të ulët. Ai mori mbi vete zemërimin, me të cilin Allahu e hodhi tej, duke e bërë udhërrëfyes të çdo mëkatari të madh dhe krimineli. A e lejoi veten të bëhej komandant, pas gjithë atij adhurimi dhe vlerësimi?

O Allah, na ruaj nga mosbindja ndaj urdhrave dhe nga kryerja e ndalesave!

Kush i mbyti banorët e tokës, pa asnjë përjashtim, derisa u ngrit uji mbi majat e maleve?!

Kush ia mundësoi erës që të triumfonte mbi popullin e Adit, derisa i hodhi të vdekur mbi faqen e tokës, si të ishin pemë hurme të shkulura nga rrënjët?!

Kush ia dërgoi britmën popullit të Themudit, derisa iu këputën zemrat në brendësi të trupit të tyre dhe vdiqën?!

Kush e ngriti lart vendbanimin e homoseksualëve (popullit të Lutit), saqë edhe engjëjt i dëgjuan lehjet e qenve të tyre, e më pas e ktheu përmbys dhe u zbriti nga qielli shi gurësh, derisa vdiqën të gjithë?! Kush bashkoi mbi ta kaq shumë dënime, të cilat nuk i kanë rënë ndonjë populli tjetër përveç tyre?!

Për njerëz të tillë, dënimi nuk është i largët![1]

Kush ia dërgoi popullit të Shuajbit retë e dënimit, të cilat, kur arritën mbi kokat e tyre, lëshuan zjarr që flakëronte?!

Kush e mbyti Faraonin dhe popullin e tij në det, e më pas i çoi shpirtrat e tyre në Xhehenem?!

Kush e shfarosi Karunin, shtëpinë, pasurinë dhe familjen e tij?!

Kush zbriti lloje të ndryshme dënimesh mbi brezat pas Nuhut, duke i shkatërruar tërësisht?!

Kush e shfarosi me britëm, popullin e thirrësit të përmendur në suren “Jasin”, derisa i bëri pluhur të gjithë, nga i pari deri tek i fundit?!

Kush dërgoi te bijtë e Izraelit njerëz të ashpër, të cilët spiunuan nëpër shtëpi, vranë burrat, robëruan familjet dhe gratë, dogjën shtëpitë dhe bastisën pasuritë?! Kush i dërgoi ata përsëri për të prishur gjithçka që mundën?!

Kush u solli atyre gjithë këto dënime: vrasje, robëri, shkatërrim, tirani të mbretërve, shndërrim të tyre në majmunë dhe derra dhe së fundmi dënimin e Zjarrit, të cilin Allahu e shpall në këtë ajet: “Kujto (o i Dërguar), kur Zoti yt shpalli qartazi: “Mbi ta do të dërgoj sundues që do t’i bëjnë të shijojnë një dënim të hidhur, deri në ditën e kiametit.”[2]?!

Imam Ahmedi[3] ka thënë: “Na ka treguar Muslimi nga Safuan Bin Amër, e ky nga Abdurrahman Bin Xhubejri Bin Nufejri, e ky nga babai i tij, i cili ka thënë: “Kur u pushtua Qiproja, e shumë prej banorëve të saj u ndanë dhe qanin për njëri-tjetrin, pashë Ebu Derdanë që ishte ulur i vetëm dhe po qante. I thashë: “O Ebu Derda, pse po qan sot, kur Allahu e ka forcuar Islamin dhe ndjekësit e tij? Ai m’u përgjigj: “Ah, more Xhubejr! Sa të dobëta janë krijesat tek Allahu kur ato nuk u binden urdhrave të Tij! Ata ishin një  popull i fortë dhe fitimtar, por më pas e shpërfillën urdhrin e Allahut dhe përfunduan atje ku po i sheh.”

Ali Bin Exh-Xha’di[4] ka thënë: “Na ka njoftuar Shu’beh nga Amër Bin Murreh, e ky nga Ebu Buhteri, se Profeti (a.s) ka thënë: “Nuk do të shkatërrohen njerëzit, derisa të mos kenë justifikim (për gjynahet e bëra) për veten tyre.”

Në “Musnedin” e imam Ahmedit[5] transmetohet nga Ummu Seleme se Profeti (a.s) ka thënë: “Nëse shfaqen mëkatet te populli im, dënimi i Allahut do t’i përfshijë të gjithë.” I thashë: “O i Dërguari i Allahut! A do të ketë njerëz të mirë mes tyre, atë ditë? Ai u përgjigj: “Po.” E pyeta: “Si do t’ia bëjë me këta?” Ai tha: “Ata do t’i gjejë ajo që i gjeti njerëzit, e më pas do të shkojnë drej faljes dhe kënaqësisë së Allahut.”

Kurse, nga El-Hasani[6] transmetohet se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Ky umet do të mbetet në dorën e Allahut dhe në mbështetjen e Tij, për aq kohë sa dijetarët e tij të ndihmojnë prijësit, për aq kohë sa të mirët e këtij umeti të korrigjojnë kriminelët dhe për aq kohë sa të zgjedhurit e këtij umeti të poshtërojnë të këqinjtë. Kur të heqin dorë nga këto gjëra, Allahu do ta largojë dorën e Tij dhe mbi ta do të sundojnë tiranë nga gjiri i tyre, të cilët do t’i bëjnë të shijojnë dënimin më të dhembshëm. Më pas, Ai do t’u sjellë dobësi dhe varfëri.”

Në “El-Musned”[7] transmetohet nga Theubani se Profeti (a.s) ka thënë: “Me të vërtetë, burri privohet nga furnizimi (risku) për një mëkat të bërë.”

Po në këtë libër[8] transmetohet nga Theubani një hadith tjetër, në të cilin thuhet: “Do të vijë koha kur të gjithë popujt do mblidhen kundër jush, ashtu siç mblidhen egërsirat rreth ushqimit të tyre!” E pyetën: “Për shkak të numrit tonë të vogël?” Ai u përgjigj: “Atëherë numri juaj do të jetë i madh, por do të jeni si shkuma e ujit që vërshon. Nga zemra e armikut tuaj do të hiqet frika ndaj jush, kurse në zemrat tuaja do të vihet uehni.” I thanë: “Çfarë është uehni?” Profeti (a.s) tha: “Dashuria ndaj dynjasë dhe urrejtja për vdekjen.

Gjithashtu, në “El-Musned” transmetohet nga Enesi se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Kur u ngjita në miraxh, kalova te një popull që kishin thonj prej bakri, me të cilët gërvishtnin fytyrat dhe gjokset e tyre. Pyeta: “Kush janë këta, o Xhibril? Ai m’u përgjigj: “Këta janë që hajnë mishin e njerëzve dhe cënojnë nderin e tyre.”

Kurse, në “Xhamiu Et-Tirmidhi”[9] transmetohet nga Ebu Hurejre se Profeti (a.s) ka thënë: “Do të dalin në kohët e fundit disa njerëz që do ta përziejnë dynjanë me fenë, do t’ ia veshin njerëzëve lekurët e dashit (si të ishin veshje) për luks, gjuhët e tyre janë më të ëmbëlta se sheqeri dhe zemrat e tyre janë si zemrat e uqërve. Allahu a.xh thotë: “Me mua mashtrohen?Me mua guxojnë?Mbi veten jam betuar, do ti dërgoj atyre një sprovë që dhe njeriun njeriun e urtë e lë pa mend.””

Ibn Ebi Ed-Dunja[10] përmend nga hadithi i transmetuar nga Xhafer Bin Muhamed, e ky nga babai, e ky nga gjyshi i tij, se Aliu (r.a) ka thënë: “Do të vijë një kohë kur islamit nuk do t’i mbetet gjë tjetër veç emrit dhe Kuranit nuk do t’i mbetet gjë tjetër veç shkrimit të tij. Në atë kohë, xhamitë do të jenë të mbushura, por të prishura për nga udhëzimi. Dijetarët e tyre do të jenë me të këqinjtë e krijesave që qëndrojnë poshtë tavanit të qiellit, prej tyre do dalë sprova (fitne) e tek ata do të kthehet përsëri.”

Gjithashtu, përmendet[11] prej hadithit të transmetuar nga Semak Bin Abdurrahman Bin Abdullah Bin Mesudi, nga babai i tij, i cili ka thënë: “Nëse në një vend shfaqet imoraliteti (kurvëria) dhe kamata, Allahu shpall shkatërrimin e tij.”

Në transmetimet e El-Hasanit[12] bën pjesë edhe thënia: “Nëse njerëzit nxjerrin në pah dijen dhe pakësojnë punën, nëse duhen me gjuhë dhe urrehen me zemër dhe nëse ndërprejnë lidhjet farefisnore, Allahu i mallkon në momentin që e bëjnë këtë, i bën memecë dhe i verbëron.”

Në “Es-Sunen” të Ibn Maxhes[13] transmetohet se Abdullah Ibn Umer Bin Hatabi ka thënë: “Isha ndër dhjetë muhaxhirët, kur erdhi i Dërguari i Allahut përpara nesh dhe na tha: “O popull i muhaxhirëve! Lus Allahun që të mos i përjetoni pesë dukuri: Nuk do bëhet imoralitet i hapur te një popull, e të mos sprovohen me malarie dhe dhimbje, të cilat nuk kanë ekzistuar te të parët e tyre. Nuk do ta pakësojë një popull kejlin (masën) dhe peshën (kur të shesë), e të mos sprovohet me thatësirë, lodhje e padrejtësinë e pushtetarëve. Nuk do ta ndalojë dhënien e zekatit një popull, e të mos i ndalohet shiu, dhe, sikur të mos kishin qenë kafshët, nuk do të binte shi. Nuk do ta prishë marrëveshjen një popull, e të mos i dërgojë Allahu ndonjë sundimtar armik jashtë gjirit të tij. Kur të parët e tyre nuk do të punojnë me atë që u ka  zbritur Allahu,  Ai do t’u dërgojë të keqen në mesin e tyre.”

Në “El- Musned” dhe në “El-Sunen”[14] transmetohet nga Amër Bin Murreh, nga Salim Bin Ebil Xha’di, nga Ebu Ubejdeh Bin Abdullahi Bin Mesudi, nga babai i tij, se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Kur dikush nga njerëzit që kanë qenë para jush bënte ndonjë mëkat, atij i vinte qortuesi dhe i tërhiqte vëmendjen. Kur vinte e nesërmja, ai ulej me mëkatarin, hante dhe pinte me të, sikur nuk kishte ndodhur asgjë. Për shkak të mëkatit dhe padrejtësisë së tyre, Allahu ua përplasi zemrat me njëra-tjetrën, e më pas i mallkoi me gjuhën e profetëve të tyre, Daudit dhe Isait. Pasha Atë që ka në dorë shpirtin e Muhamedit! Ose do të urdhëroni për të mirë, të ndaloni nga e keqja, ta merrni mendjelehtin për dore dhe ta shtyni në rrugën e drejtë, ose në të kundërt, Allahu do t’i godasë zemrat tuaja me njëra-tjetrën, e më pas do t’ju mallkojë, ashtu siç i mallkoi ata.”

Ibn Ebi Ed-Dunja[15] ka transmetuar nga Ibrahim Bin Amër El-Sanani se Allahu i shpalli Jusha Bin Nunit këto fjalë: “Unë do të zhduk prej popullit tënd dyzet mijë prej të zgjedhurve të tij dhe gjashtëdhjetë mijë prej të këqinjve të tij”. Jusha Bin Nuni tha: “O Zot, mirë të këqinjtë, por pse të mirët?” Allahu tha: “Ata nuk u zemëruan me atë që meritoi zemërimin Tim dhe hanin e pinin bashkë me të.”

Ebu Umer Bin Abdulbiri përmend se Ebu Hizani ka thënë: “Allahu dërgoi dy engjëj te një venbdbanim, duke i urdhëruar: “Prisheni me çfarë ka brenda!”

Engjëjt gjetën një burrë që po falej dhe thanë: “O Zot! Aty është filani që po falet.” Allahu xh.sh tha: “Prisheni vendbanimin bashkë me të brenda, sepse atij nuk i është zverdhur asnjëherë fytyra për Mua!”[16]

El-Humejdi përmend nga Sufjan Bin Ujejeneh, nga Sufjan Bin Seidi, nga Musiri, i cili ka thënë: “Një engjëll u urdhërua të shfaroste një vendbanim dhe tha: O Zot, atje është një rob adhurues.” Allahu i tha: “Filloje me të, sepse nuk i është zverdhur fytyra për Mua, qoftë edhe për një çast.”

Ibn Ebi Ed-Dunja përmend nga Euheb Bin Munebeh se ka thënë: “Kur Daudi bëri gabimin[17], ai tha: “O Zot, më fal!” Allahu tha: “Të fala dhe turpin e tij ( gabimit) ia ngjita nga pas bijve të Israilit. Daudi tha: “O Zot, si është e mundur që unë të bëj një gabim dhe turpin tim ta marrë një tjetër?” Allahu i tha: “Kur bëre gabimin, ata  nuk shpejtuan të të tërhiqnin vëmendjen.”

Ibn Ebi Ed-Ed-Dunja transmeton nga Enes Bin Maliku, se ky i fundit shkoi së bashku me një burrë tjetër tek Aishja (r.a). Burri që ishte me Enesin i tha: “O nëna e besimtarëve! Na fol për dridhjen!” Aishja (r.a) tha: “Nëse e lejojnë kurvërinë, pijnë verërat dhe u bien veglave muzikore, Allahu zbret me furi në qiellin e tij dhe i thotë tokës: “Dridhi ata derisa të pendohen dhe të heqin dorë ose në të kundërt prishi mbi ta.” Burri e pyeti: “O nëna e besimtarëve, a është ky një dënim për ta?” Aishja (r.a) u përgjigj: “Është këshillë dhe mëshirë për besimtarët dhe ndëshkim për jobesimtarët.”

Enesi thotë: “Nuk kam dëgjuar ndonjë hadith pas Profetit (a.s) e të jem gëzuar kaq shumë prej tij sesa nga ky hadith”.

Ibn Ebi Ed-Dunja përmend në një hadith[18] (mursel)[19]: Në kohën e të Dërguarit të Allahut u drodh njëherë toka dhe ai vuri dorën e tij mbi të, duke thënë: “Qetësohu, sepse akoma nuk të ka ardhur koha!” Më pas, ktheu kokën nga shokët e tij dhe tha: “Allahu kërkon prej jush që ta kënaqni, pra bëjeni këtë gjë!”

Në kohën e Umer Bin Hatabit, toka u drodh përsëri. Umeri iu drejtua njerëzve me këto fjalë: “O njerëz! Kjo dridhje ndodhi vetëm për shkak të një të keqeje që keni bërë! Pasha Atë që ka në dorë shpirtin tim, nëse ndodh përsëri, nuk do t’ju lejoj kurrë më të banoni në këtë tokë.”

Në librin “Munakibu Umer” të Ibn Ebi Ed-Dunjasë, thuhet: “Në kohën e Umerit u drodh toka dhe ai e goditi me dorën e tij, duke i thënë: “Ç’të gjeti? Ç’të gjeti? Sikur të ishte dita e kiametit, do të kallëzonte lajmet e saj. Kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut të thotë: “Kur të vijë dita e kiametit, nuk do të mbesë krah as pëllëmbë (në tokë) pa folur.”[20]

Imam Ahmedi transmeton se Safija ka thënë: “Në kohën e Umerit u drodh Medina dhe ai tha: “O njerëz! Çfarë është kjo? Sa shpejt që bëtë mëkate! Nëse kjo dridhje kthehet përsëri, nuk do ju lejoj të banoni më në këtë tokë.”

Ka’abi ka thënë: “Toka dridhet kur në të bëhen mëkate dhe buçet prej frikës se mos Allahu i shikon ato.”

Umer Bin Abdul Azizi shkroi një letër drejtuar vendeve islame me fjalët: “…me të vërtetë, kjo dridhje është një gjë me të cilën Allahu i kritikon njerëzit. U kam shkruar vendeve islame që të dalin në filan muaj e në filan ditë. Le të japë lëmoshë ai që ka mundësi, sepse Allahu xh.sh thotë: “Ka shpëtuar ai që është pastruar, që ka përmendur emrin e Allahut dhe që është falur.”[21] Thoni siç ka thënë Ademi (a.s): “O Zoti ynë! I kemi bërë padrejtësi vetes dhe nëse nuk na fal e nuk na mëshiron, ne do të jemi prej të humburve”[22] dhe Junusi: “Nuk meriton të adhurohet kush tjetër veç Teje! I larg të metave qofsh! Unë isha prej zullumqarëve.”[23]

Imam Ahmedi thotë:[24] Na ka njoftuar Es’ued Bin Amiri, e ky nga Ebu Bekri, e ky nga El-A’Ameshi, e ky nga Ata Bin Ebu Rebahu, e ky nga Ibn Umeri, se ky i fundit e ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut duke thënë: “Kur njerëzit të tregohen dorështrënguar me dinarin dhe derhemin[25], kur ata të punojnë me el-ineh[26], kur të shkojnë pas dhëmbëve të lopëve dhe ta braktisin xhihadin në rrugën të Allahut, Allahu do t’u zbresë një të keqe, të cilën nuk do t’ua largojë derisa të rikthehen në fenë e tyre.”

Këtë hadith e transmeton Ebu Daudi me zinxhir të mirë.

Ibn Ebi Ed-Dunja[27] përmend se Ibn Umeri ka thënë: “Nuk kemi parë që ndonjëri t’i shërbejë me dinar dhe derhem dikujt tjetër përpara vëllait të tij musliman. Kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (a.s) duke thënë: “Kur njerëzit të tregohen dorështrënguar me dinarin dhe derhemin, kur ata të punojnë me el-ineh, kur të shkojnë pas dhëmbëve të lopëve dhe ta braktisin xhihadin në rrugën të Allahut, Allahu do t’u zbresë një të keqe, të cilën nuk do t’ua largojë derisa të rikthehen në fenë e tyre.”

El-Hasani thotë: “Me të vërtetë, sprova nuk është tjetër vetëm se dënim i Allahut për  njerëzit.”

Disa prej profetëve të Beni Israilit, duke e parë se si vepronte Buhtansari me ta, thanë: “Kjo ndodh si pasojë e veprave tona! O Allah, na vendose mbi krye dikënd që nuk të njeh dhe nuk na mëshiron.”

Buhtansari e pyeti Danjalin: “Si arrita ta nënshtroj popullin tënd?”

Danjali tha: “Nga gabimet e tyre të mëdha dhe padrejtësia e vetë popullit.”

Ibn Ebi Ed-Dunja[28] përmend nga Ummar Bin Jasir dhe Hudhejfeh se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Me të vërtetë, në rast se Allahu dëshiron fatkeqësi për njerëzit, Ai i vdes fëmijët dhe i bën shterpë gratë e tyre. Kur vjen fatkeqësia, nuk ka asnjë të mëshiruar.”

Gjithashtu, ai përmend[29] se Malik Bin Dijari ka thënë: “Kam lexuar në Sunet se Allahu ka thënë: “Unë jam Mbreti i mbretërve dhe zemrat e mbretërve janë në dorën Time! Mbretërit do t’i bëj mëshirë për atë që më bindet dhe fatkeqësi për atë që nuk më bindet. Mos e kaloni kohën tuaj me sharjen e mbretërve, por pendohuni tek Unë, që jam Mbreti më i butë për ju.”

Në transmetimet e El-Hasanit[30] thuhet: “Nëse Allahu dëshiron të mirën për një popull, ua dorëzon çështjen e tyre njerëzve të urtë, e nëse Ai dëshiron të keqen për një popull, ua dorëzon çështjen e tyre njerëzve mendjelehtë dhe plaçkën e luftës e lë në dorë të kopracëve.”

Imam Ahmedi[31] përmend nga Kudate se Musai ka thënë: “O Zot! Ti je në qiell dhe ne jemi në tokë, cila është shenja e kënaqësisë që e dallon zemërimin Tënd?”

Zoti tha: “Shenjë e kënaqësisë Sime është kur ju vë në krye më të mirin tuaj, kurse shenjë e zemërimit Tim është kur ju vë në krye më të keqin prej jush.” 

Ibn Ebi Ed-Dunja[32] përmend se El-Fudejl Bin Ajadi ka thënë: “Allahu i zbriti shpallje disa profetëve: Nëse ai që më njeh nuk më bindet, atëherë Unë do t’i vë mbi krye ndonjë që nuk më njeh.”

Gjithashtu, ai përmend[33] hadithin e transmetuar nga Ibn Umeri (merfu)[34], në të cilin thuhet: “Pasha Atë që ka në dorë shpirtin tim! Nuk do të bëhet kiameti derisa Allahu të dërgojë prijësa gënjeshtarë, ministra mëkatarë, ndihmës të tradhëtisë, njohës të padrejtësisë dhe lexues fasikë. Shenjat e tyre janë si shenjat e murgjve, zemrat e tyre janë më të qelbura se kufomat, ndërsa epshet i kanë të ndryshme. Allahu do t’u hapë atyre një fitne të pluhërosur e të errët, me të të cilën do të poshtërohen . Pasha Atë që ka në dorë shpirtin e Muhamedit! Islami do të prishet fije fije, derisa të mos thuhet më “Allah, Allah”. Ose do të urdhëroni për të mirë e të ndaloni nga e keqja, ose në të kundërt, Allahu do t’ju vendosë mbi krye të këqinjtë mes jush. Ju do të shijoni dënimin më të dhimbshëm prej tyre, e më pas të zgjedhurit tuaj do të luten, por nuk do të gjejnë përgjigje. Pasha Allahun! Ose do të urdhëroni për të mirë e të ndaloni nga e keqja, ose Allahu do të sjellë mbi ju atë që nuk mëshiron të voglin dhe as nuk respekton të moshuarin tuaj.”

Në “Mu’xhem Et-Tabrani”[35] transmetohet nga Seid Bin Xhubejri, nga Ibn Abasi se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Nëse një popull do ta pakësojë masën dhe nuk do ta mbajë peshën të drejtë, atëherë Allahu do t’ua ndalojë shiun. Nëse te një popull shfaqet imoraliteti, atëherë Allahu do t’u dërgojë vdekjen. Nëse te një popull shfaqet kamata, atëherë Allahu do t’u hedhë çmendurinë. Nëse te një popull shfaqet vrasja, atëherë Allahu do t’i nënshtrojë me armikun e tyre. Nëse te një popull shfaqet sjellja e popullit të Lutit, atëherë Allahu do t’u dërgojë shfarosjen. Nëse një popull do të braktisë urdhërimin për të mirë dhe ndalimin nga e keqja, atëherë punët e tyre nuk do të ngrihen lart dhe lutja e tyre nuk do të dëgjohet.”

Gjithashtu, në “El-Musned”[36] transmetohet nga Aurah se Aishja (r.a) ka thënë: “Hyri tek unë i dërguari i Allahut a.s i cili dukej i indinjuar dhe e kuptova nga fytyra e tij se diçka e kish prekur. Ai nuk foli, por mori abdes dhe doli, duke më lënë në dhomë. U ngrit në hytbe, falënderoi Allahun dhe më pas tha: “O njerëz! Allahu ju thotë: Urdhëroni për të mirë dhe ndaloni nga e keqja, përpara se të vijë koha kur të më luteni e të mos u përgjigjem,  kur të më kërkoni ndihmë e të mos u ndihmoj, kur të më kërkoni e të mos u jap.”

El-Amri thotë: “Të mos urdhërosh për të mirë dhe të mos ndalosh nga e keqja për shkak të frikës ndaj dikujt që nuk ka në dorë dobi e as dëm, do të thotë të jesh i pavëmendshëm ndaj vetes dhe larg prej Allahut. Kush braktis urdhrin për të mirë dhe ndalimin nga e keqja prej frikës së krijesave, atij askush nuk do ti bintet , e sikur të urdhërojë fëmijën e tij ose disa prej të afërmve, nuk do të kujdesen shumë nëse lënë pas dore këtë të drejtë të tij.”

Në Musnedin e Imam Ahmedit[37] transmetohet nga Kajs Bin Ebu Hazim se Ebu Bekër Sidiku ka thënë: “O njerëz! Ju e lexoni këtë ajet dhe e vendosni atë në vendin që nuk i takon: “O ju që besuat, kini kujdes vetet tuaja, nuk ju dëmton ai që ka humbur pasi të jeni udhëzuar”[38], sepse e kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (a.s) duke thënë: “Nëse njerëzit e shohin të padrejtin e nuk  e marrin për dore (kurse në një transmetim tjetër thuhet “e shohin të keqen e nuk e ndryshojnë”, për pak sa Allahu nuk i merr të gjithë njëherësh me një dënim prej Tij.”

Imam Euzai përmend nga Jahja Bin Ebu Kethiri, e ky nga Ebu Selemeh, e ky nga Ebu Hurejre se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Nëse gabimi fshihet, atëherë ai nuk dëmton dikë tjetër përveç të zotit të tij, e nëse shfaqet e nuk ndryshohet, ai i dëmton të gjithë.”[39]

Imam Ahmedi përmend se Umer Bin Hatabi ka thënë: “Për pak sa vendbanimet mund të shkatërrohen, duke qenë të mbushura me banorë!” E pyetën: “Si mund të shkatërrohen duke qenë plot?” Ai u përgjigj: “Nëse të këqinjtë e tyre qëndrojnë më lart sesa të mirët dhe nëse fisin e udhëheqin hipokritët e tij.”

El-Euzai përmend prej Hasan Bin Atijeh[40] se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Të këqinjtë e umetit tim do të triumfojnë mbi të mirët e tij, saqë besimtari do të kërkojë të fshihet prej tyre, ashtu siç na fshihet sot hipokriti (munafiku).”

Ibn Ebi Ed-Dynja[41] përmend prej hadithit të transmetuar nga Ibn Abasi murfu, se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Do të vijë një kohë, në të cilën zemra e besimtarit do të tretet, ashtu siç shkrihet kripa në ujë.” Shokët e tij e pyetën: “Përse do të ndodhë kjo, o i Dërguar i Allahut?” Ai u përgjigj: “Prej të keqes që do ta shikojë por që nuk do të ketë mundësi për ta ndryshuar.”

Imam Ahmedi[42] përmend hadithin e transmetuar nga Xheriri se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Nuk ka popull në të cilin bëhen mëkate, që janë më të fuqishëm dhe më të shumtë se njerëzit që i kryejnë ato, e më pas nuk i ndryshojnë (mëkatet), vetëm se Allahu do t’i përgjithësojë ata me dënim.”

Në “Sahihul Buhari”[43] transmetohet nga Usama Bin Zejdi se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Në ditën e gjykimit do të sillet njeriu e do të hidhet në Zjarr. Atij do t’i dalin të brendshmet e barkut dhe do të sillet rreth Zjarrit, ashtu siç sillet gomari rreth lëmit të tij. Rreth këtij njeriu do sillen edhe banorët e Zjarrit, të cilët do t’i thonë: “O filan! Ç’të gjeti? A nuk na urdhëroje për të mirë dhe na ndaloje nga e keqja?” Ai iu përgjigjet: “Ju urdhëroja për të mirë, por nuk e veproja dhe ju ndaloja nga e keqja, por e veproja vetë atë.”

Imam Ahmedi[44] përmend se Malik Bin Dijari ka thënë: “Ishte një murg prej murgjve të bijve të Israilit, shtëpia e të cilit mbushej nga burra dhe gra që vinin për t’u këshilluar. Një ditë murgu pa një nga djemtë e tij që ia bënte me sy grave dhe i tha: “Me ngadalë, o biri im, me ngadalë!” Më pas, ra nga shtrati dhe iu këput nervi i trurit. Gruaja e tij lëshoi fëmijën që kish në barrë dhe fëmijët e tjerë iu vranë. Atëherë, Allahu i zbriti shpallje Profetit të tyre me këto fjalë: “Thuaji murgut se nuk do të nxjerr kurrë prej palcës së tij ndonjë njeri të besueshëm. A vetëm me fjalët “Me ngadalë, o bir” e shprehu zemërimin për hirin Tim?!”

Imam Ahmedi[45] përmend hadithin e transmetuar nga Abdullah Ibn Mesudi se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Ruhuni nga mëkatet, të cilave nuk u kushtoni rëndësi, sepse ato i mblidhen njeriut, derisa ta mbysin”. I Dërguari i Allahut u dha atyre shembullin e një populli që i ra rruga në një tokë të shkretë. Pasi i priti ai që i kish ftuar (si musafir të tij), ç’do njëri prej tyre u niste dhe sillte shkopinj dhe tjetri u niste dhe sillte shkopinj derisa u mblodhën një deng dhe i vunë zjarrin, e më pas poqën atë (ushqimin) që kishin hedhur në të (zjarr).”

Kurse, në “Sahihul Buhari”[46] transmetohet se Enes Bin Maliku ka thënë: “Ju kryeni disa vepra, të cilat në syrin tuaj janë më të mprehta se floku, por në kohën e të Dërguarit të Allahut, ne i llogarisnim prej mëkateve të mëdha.”

Në dy librat e saktë[47] transmetohet nga Abdullah Ibn Umeri se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Është dënuar një grua për një mace, të cilën e kishte burgosur, derisa ngordhi. Kështu, ajo hyri në Zjarr, sepse nuk e ushqeu, nuk i dha të pijë dhe as nuk e la të hante prej ushqimit në tokë.”

Në “El-Hiljeh” transmetohet nga Ebu Nuejmi se Hudhejfe e ka pyetur Profetin (a.s): “A e kanë lënë Beni Israilët fenë e tyre për një ditë?” Profeti iu përgjigj: “Jo, por kur urdhëronin për diçka, ata nuk e bënin, e kur ndalonin për diçka, e kryenin vetë atë, derisa u zhveshën prej fesë së tyre, ashtu siç zhvesh burri këmishën e tij.”

Rreth kësaj teme, disa selefë kanë thënë: “Mëkatet janë posta e kufrit, ashtu siç është puthja posta e marrëdhënieve intime, muzika posta e imoralitetit, shikimi posta e dashurisë dhe sëmundja posta e vdekjes.”[48]

Gjithashtu, në “El-Hiljeh”[49] transmetohet se Ibn Abasi ka thënë: “O i zoti i mëkatit! Mos ji i sigurtë se nuk do të përfundosh keq, sepse kur mëkati më i madh ndjek mëkatin më të vogël, atëherë kjo gjë është më e madhe se vetë mëkati. Mungesa e turpit prej atij që e ke në të djathtë dhe në të majtë, gjatë kohës që bën mëkat, është më e madhe se vetë mëkati. Të qeshurit, duke mos e ditur se çfarë do të bëjë Allahu me ty, është më e madhe se vetë mëkati. Të gëzuarit me mëkatin është më e madhe se vetë mëkati. Dëshpërimi për mëkatin që të shkoi kot, është gjë më e madhe se vetë mëkati. Frika se mos era të zbulon mbulesën e derës, në kohën kur bën mëkat, duke mos t’u dridhur zemra nga Allahu,  është më e madhe se vetë mëkati.”

A nuk e di se cili ishte mëkati i Ejubit, që Allahu e sprovoi me një të keqe në trup dhe me zhdukjen e pasurisë së tij? Një i varfër kërkoi prej tij që ta mbronte nga një njeri i padrejtë, por Ejubi nuk e ndihmoi dhe as nuk e ndaloi të padrejtin. Kështu, Allahu e sprovoi Ejubin me dy sprovat e përmendura më sipër.

Imam Ahmedi[50] përmend nga El-Uelidi, nga El-Euzaini se Bilal Bin Seidi ka thënë: “Mos shih se sa i vogël është mëkati por shih se kujt nuk iu binde.”

Fudejl Bin Ajadi ka thënë: “Në atë masë që zvogëlohet mëkati për ty, po aq zmadhohet ai tek Allahu dhe e anasjellta.”

Allahu i zbriti shpallje Musait, me këto fjalë: “O Musa! I pari që vdiq prej krijesave të mia ishte Iblisi, sepse ai nuk m’u bind dhe atë që nuk më bindet, Unë e llogaris prej të vdekurve.”

Në “El-Musned” dhe në “Xhamiu Et-Tirmidhi”[51] transmetohet nga Ebu Salihu, nga Ebu Hurejre, se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Kur njeriu  bën një mëkat, i del një pikë e zezë në zemër. Nëse pendohet, i hiqet kjo pikë dhe zemra ndriçon. Nëse vazhdon me mëkate, pikat e zeza shtohen dhe e mbulojnë krejt zemrën, derisa bëhet siç thotë Allahu i Madhëruar: “Jo, nuk është ashtu, por veprat e këqija që bënë, ua mbuluan zemrat.”[52]

Et-Tirmidhiu ka thënë: “Ky hadith është i mirë dhe i saktë.”

El-Hudhejfe ka thënë: “Nëse njeriu bën një mëkat, në zemrën e tij krijohet një pikë e zezë, derisa ajo të bëhet si delja e zezë.” [53]

Imam Ahmedi[54] ka thënë: Na ka treguar Jukubi, nga Ubu Salihi, e ky nga Ibn Shihabi, e ky nga Ubejdullah Bin Abdullah Bin Utbeh, e ky nga Abdullah Ibn Mesudi, se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “E më pas, o popull i Kurejshëve, ju do të jeni të zotët e kësaj çështjeje nëse i bindeni Allahut. Në të kundërt, Allahu do t’ju dërgojë dikë që do t’ju qërojë, ashtu siç qërohet ky kallam (dhe qëroi kallamin që kishte në dorën e tij).”

Imam Ahmedi[55] transmeton nga Uehebi se, në disa prej fjalëve drejtuar bijve të Israilit, Allahu ka thënë: “Nëse më binden, Unë kënaqem, nëse kënaqem, dhuroj begati dhe begatia Ime nuk ka fund. Nëse nuk më binden, Unë zemërohem, nëse zemërohem, mallkoj dhe mallkimi im arrin deri në fëmijën e shtatë.”

Gjithashtu, transmetohet[56] nga Uekia, nga Zekarija Bin Amiri, se Aishja (r.a) i ka shkruar Muavijes këto fjalë: “Më pas, nëse njeriu punon me mëkatin ndaj Allahut, ai do të bëhet mosmirënjohës (ndaj Zotit të tij).”

Ebu Nuejmi transmeton[57] nga Ebu Salim Bin Ebul Xhaidi se Ebu Derdai ka thënë: “Njeriu duhet të ketë kujdes se mos zemrat e besimtarëve e mallkojnë atje ku nuk e ndien”. Më pas, ai tha: “A e di se pse ndodh një gjë e tillë?” Ebu Salim Bin Ebul Xhaidi tha: “Jo!” Ebu Derdai tha: “Njeriu veçohet duke bërë mëkat dhe Allahu hedh në zemrat e besimtarëve urrejtje për të, atje ku ai nuk e ndien.”

Në “Kitab Ez-Zuhdi”, Abdullah Bin Ahmedi transmeton nga babai i tij, nga Muhamed Bin Serini se, kur  iu mblodhën borxhet, ai e shfrytëzoi këtë rast, duke thënë: “Unë e di se ky shqetësim më vjen për një mëkat që e kam bërë para dyzet vjetëve.”

Këtu haset një fazë, e cila ka lidhje me mëkatin por njerëzit nuk i japin rëndësinë e duhur. Ata nuk mund ta shikojnë menjëherë efektin e mëkatit, pasi ky efekt edhe mund të vonohet apo të harrohet. Kështu, njeriu do të mendojë se mund t’ia hedhë lehtë, por çështja qëndron ashtu siç ka thënë poeti:

Muri pluhurin do ta bënte, sapo të rrëzohej

Sepse pas rënies, pluhur s’ka se si të bëhej

Sa prej krijesave i ka marrë në qafë kjo e keqe? Sa të mira ka privuar? Sa fatkeqësi ka shkaktuar?

Cili është numri i të mashtruarve prej saj? A nuk e di i mashtruari, se mëkati të prish ashtu si helmi tupin?

Imam Ahmedi[58] transmeton se Ebu Derdai ka thënë: “Adhurojeni Allahun sikur ta shihni Atë dhe llogariteni veten tuaj prej të vdekurve. Dijeni se e pakta që ju mbaron punë është më mirë se e shumta që ju prish punë dhe se e mira nuk humbet e mëkati nuk harrohet.”

Sulejman Et-Tejmi ka thënë: “Njeriu bën mëkat në fshehtësi dhe kur agon dita, mbi të shihet poshtërimi i tij (i mëkatit).”

Jahja Bin Muadh Er-Razi ka thënë: “Habitem nga një njeri me mend, i cili në dua’, thotë: “O Zot! Mos i bëj armiqtë që të gëzohen prej meje!” dhe më pas, ai vepron në atë mënyrë që çdo armik të gëzohet me të.” E pyetën: “Si është e mundur kjo?” Ai u përgjigj: “Ky njeri nuk i bindet Allahut dhe si rrjedhojë, në ditën e gjykimit, çdo armik gëzohet me të.”

Dhin-Nuni ka thënë: “Kush e tradhëton Allahun (me gjunah ndaj Tij) në fshehtësi, Allahu ia gris mblulesën atij kur të shfaqet para krijesave.”

[1] – Po, pasha Allahun!

[2] – El-Araf 167.

[3] – Në “Ez-Zuhd” (86/1) me zinxhir të saktë transmetimi. Të kuptuarit e kësaj thënieje të artë, zgjidh çështjen e paqartë për thirrësit e Egjiptit, që është çështja të bërjes së ndryshimeve. Shih se si e kuptojnë ata (dijetarët) çështjen e bërjes së ndryshimeve dhe suksesi i së cilës varet nga zbatimi i urdhrave të Allahut.

[4] – Në “El-Musned” (130). E transmetojnë Ahmedi (260/4) dhe Ebu Daudi (4347). Zinxhiri i transmetimit të këtij hadithi është i saktë.

[5] -(304/6). Në zinxhirin e transmetimit të këtij hadithi bën pjesë Lejth Ibn Selimi, i cili është transmetues i dobët. Por, ky hadith ka mbështetës të tjerë. Shih: “Silsilutu Ehadith Es-Sahiha”(1372).

[6] – Në “Takhrixh El-Ihjai” (150/2), El-Hafidh El-Iraki thotë: “E transmetojnë Ebu Amër Ed-Dai në “Libri i fitneve”, nga transmetimi i El-Hasanit (mursel), Ed-Dilmi në “Musned El-Firdeus”, nga hadithi i Aliut dhe Ibn Umerit: “…për aq kohë sa të mirët e këtij umeti të përmirësojnë kriminelët dhe për aq kohë sa të zgjedhurit e këtij umeti të nënçmojnë të këqinjtë”, të dyja me zinxhir të dobët transmetimi.

[7] – (277/5). Transmetojnë Ibn Maxheh (4022), El-Hakimi (493/1), Ibn Ebi Shejbehu (442/10), El-Tahaui  në “El-Mushkel”dhe Eb-Begaui në “Sherh Es-Suneh” (6/13) dhe në të ka pak paqartësi.

[8] -(278/5).Transmetojnë Ebu Daudi (4297), Ebu Nuajmi në “El-Hiljeh” (182/1) dhe Et-Tabariu në “El-Kebir” (1452) nga dy rrugë prej Theubanit. Zinxhiri i transmetimit të këtij hadithi është i saktë.

[9] – (223/3) u përmend më parë.

[10] – Transmetojnë El-Bejhakiu në “Degët e besimit” (1763), Ibn Adiu në “El-Kamil” (1543/4) nga Aliu (merfu) dhe ka dobësi dhe ndërprerje.

[11] – E transmeton Ebu Ja’la në Musnedin e tij (4981) (meukuf). Në zinxhirin e transmetimit bën pjesë Sheriku, i cili ka dobësi në kujtesë.

Ky hadith ka rrugë të tjera transmetimi në “Mu’xhem Et-Tebrani el-Kabir” (10329) dhe në zinxhirin e transmetimit bën pjesë Ahmed Jahja El-Ahuel që është transmetues i dobët. Gjithashtu, hadithi transmetohet (merfu); shih referimin e tij në “Gajetul Meram” (344) të shejh Albanit.

[12] – E ka nxjerrë Ibn Ebi Dunja në librin “Dija”, ashtu siç transmetohet në “Ed-Dur El-Menthur” (66/6). Gjithashtu, këtë thënie e ka nxjerrë edhe Ahmedi në “Ez-Zuhd” (193) (meukuf) nga Selman El-Farisi, Et-Taberaniu (323/60, Ebu Nuajmi në “El-Hiljhe” (109/3) nga Selami (merfu). El-Iraki e ka bërë të dobët te “Takhrixh El-Ihja” (79/1).

[13] – “Es-Sunen”e Ibn Maxhes (4019). E transmeton Ebu Nuajmi në “El-Hiljeh” (333/8) me zinxhir transmetuesish të dobët, por ky hadith ka rrugë të tjera në “El-Mustedrek” të El-Hakimit” (540/4) me zinxhir transmetuesish të mirë.

[14] – Transmetojnë Ahmedi (291/1), Et-Tirmidhi (3047), Ebu Daudi (4336), Ibn Maxheh (4006) dhe Et-Taberiu në “El-Kebir” (10261). Ebu Ubejdeh nuk e ka dëgjuar nga babai i tij.

[15] – Ky është një lajm që vjen nga Israilijatet dhe shtrembërimi në të duket qartë.

[16] – Të gjitha janë shtrembërime dhe të pasakta.

[17] -Kjo është një histori e Beni Israilit, e cila ka zinxhir të dobët transmetimi. Shih: “Tefsirin e Ibn Kethirit” (31/4) dhe “Shefa” (192/4) të Kadi Ajadit.

[18] – E vazhdon El-Hakimi në “El-Mustedrek” (516/4), nga Bakija, nga Jezit El-Xhuhni, nga Enesi. El-Hakimi thotë: “Sipas kushteve të Muslimit, ky është një hadith i saktë, por ata të dy nuk e ka nxjerrë.”

Më pas, Edh-Dhehebiu e ka komentuar me këto fjalë: “Madje, mendoj se hadithi i është sajuar Enesit, kurse Nuajmi ka transmetime të gënjeshtërta rreth hadithit, edhe pse Buhariu ka transmetuar prej tij.” Shih: “Mizanul I’Itidal” (431/4).

[19] – (Sh.p): Hadithi (mursel) njihet në terminologjinë e shkencës së hadithit si transmetimi i një tabi’ini nga i Dërguari i Allahut (a.s), që do të thotë se në fundin e zinxhirit të transmetimit mungon sahabi që e ka transmetuar hadithin. Më tej, një hadith i tillë do të përmendet me këtë emër.

[20] – Nuk kam parë (për aq sa kërkova) që Ibn Ebi Ed-Dunja të ketë ndonjë libër me këtë titull. Po, e ka përmendur autori në “Fjalori i botimeve të Ibn Ebi Ed-Dunjasë” (177), një libër me titull “Vrasja e Umerit”, por që nuk e kam shfletuar shumë. Shih hyrjen e librit “Es-Samt” (f 106) që e ka botuar “Darul Arab”.

[21] – El-A’la 14,15.

[22] – Hudë 47.

[23] – El-Enbija 87.

[24] – Në “Ez-Zuhd” ashtu siç transmetohet në “Nasb Er-Rajeh” (17/4). E ka transmetuar gjithashtu në “Musnedin” e tij (4825) dhe e ka mbështetur Ibn Tejmija në “Mexhmu’ul Fetaua” (29/30).

[25] – (Sh.p): dinari dhe derhemi janë monedha argjendi dhe ari që përdoreshin në atë kohë.

[26] – (Sh.p): Një lloj shitblerjeje që përdoret për të mos u vënë re marrja e kamatës.

[27] – Është një nga transmetimet e hadithit të mëparshëm.

[28]– Transmeton Esh-Shirazi në “El-Elkab” (76/3) -ashtu siç transmetohet në “Xhamiu Es-Sagir” (1544- i dobëti). Këtë hadith, Albani e konsideron të dobët.

[29] – Transmetojnë Ibn Hiban në “El-Mexhruhin” (76/3), Et-Taberiu në “El-Eusat” (2611) – Mexhmal Bahrejn”, Ebu Nuajmi në “El-Hiljeh” (388/2), nga Malik Bin Dijari (merfu) dhe e ka bërë hadith garib.

[30] -Transmeton Ebu Daudi në “Korrespondencat” e tij, ashtu siç transmetohet në “Et-Tergib” (382/3). Gjithashtu, transmetohet nga Ed-Dulejmi në “El-Firdeus”, nga Mehrani, sikurse transmetohet edhe në “Xhem’ul Xheuama” (14595). Në “Tesdit El-Kous” (304/1), El-Hafidh thotë se e ka bazuar te transmetimi i Humej, nga Hasani, nga Mehrani. Transmetohet në “Fejd El-Kadir” (262/1) me zinxhir të mirë transmetimi. Këtë hadith e ka përmendur shejhu ynë në “Daif El-Xhami’u” (343).

[31] – Në “Ez-Zuhd” (277).

[32] – Transmeton Ibn Kethiri në “Et-Tarikh” (81/13), duke e filluar me: “Në gojëdhënë thuhet, e siç e vini re,  ajo është i/e sajuar.”

[33] – Transmeton Esh-Shexheri në “Emalihi”(264, 257/2) dhe në zinxhirin e transmetimit të tij bën pjesë Keuther Bin Hakimi. Në “Et-Tarikh El-Kebir” (1045), Buhariu thotë se hadithi është i trilluar. Kurse, në “El-Duafa” (528), En- Nisaiu thotë se ky është hadith i braktisur.

[34] -(sh.p): ”Hadith merfu” konsiderohen  të gjitha thëniet, veprat, miratimet, cilësitë trupore dhe etike të cilat i detikohen të dërguarit të Allahut a.s .Në vijim të këtij libri do të përmendet me këtë emër.

[35] – Nuk e kam parë hadithin nga Seid Bin Abasi, në asnjërin prej “Fjalorëve-El-Meaixhim” të Et-Tebranit. Por, atë e ka transmetuar Et-Tebrani në “El-Kebir” (10992) nga Muxhahid Uetausi, nga Ibn Abasi e të tjerë. Në “El-Mexhma’a” (65/3), El-Hejthemi thotë: “Në zinxhirin e transmetimit të këtij hadithi bën pjesë Is’hak Bin Abdullah Bin Kejsan El-Meruri, të cilin El-Hakemi i ka paraqitur si jo shumë të fortë, kurse transmetuesit e tjerë janë të gjithë të besueshëm.”

Them: Këtë hadith e vërteton hadithi i mëparshëm, e kështu (Inshallah), ai është i mirë.

Në “Et-Tergib” (271/1), El-Mundhiri thotë: “Zinxhiri transmetues i këtij hadithi është afër të mirit.”

Shih: “Es-Silsilutu Es-Sahiha” (107).

[36] – (159/6). Transmetojnë El-Bez-zar (3304), Ibn Hibani (291) dhe Ibn Maxheh. E përmend El-Hajthemi në “El-Mexhmah” (266/7) dhe e ka cilësuar me mangësi, për shkak të mosnjohjes së Asim Bin Umer Othmanit.

[37] – (7 dhe 2/1). Transmetojnë Et-Tirmidhi (3057), Ebu Daudi (4171), Ibn Maxheh (4005) dhe Et-Tahaui në “Mushkel El-Athar” (62/2). Në “Rijadus-Salihin” (202), En-Neveviu e konsideron këtë hadith si të saktë.

[38] – El-Maide 105.

[39] – Transmeton Et-Taberiu në “El-Eusat” (4385) – Mexhmal Bahrejn”. Në “Mexhmal Zeuaid” (2168) El-Hejthemi thotë: “Në zinxhirin e transmetimit të këtij hadithi bën pjesë Miruain Salim El-Gafari, i cili është i braktisur”. Them: Në këtë zinxhir transmetimi bën pjesë edhe Jahja Bin Jezid El-Ehuazi.

[40] – Është prej Tabi’inëve të besueshëm dhe hadithi është (mursel). Kam parë zinxhirin e transmetuesve: E transmeton Ibn Adij-ji  në “El-Kamil” (2647), nga Jahja Bin Ebu Unejseh, nga Ebu Ez-Zubejr El-Mekki, i cili thotë: “Kam dëgjuar Xhabirin….” e më pas e përmend. Kurse Jahjan e ka braktisur Ahmedi. Ibn Hibani thotë: I përziente hadithet dhe murselet i bënte (merfu). Shih: “Tehdhibul Tehdhib”.

[41] – Në librin e njohur “Urdhërimi për të mirë dhe ndalimi nga e keqja”, ashtu si në “Xhemu’ul Xhuameh” (8463). Nuk jam interesuar për zinxhirin e transmetuesve të hadithit për të gjykuar rreth tij, edhe pse në zemër e ndiej se ai është i dobët.

[42] – Në Musnedin e tij (364/4). E transmetojnë edhe Ebu Daudi (4339), Ibn Maxheh (4009), Ibn Hibani (3000), Et-Taberiu (2382) dhe El-Bejhakiu (91/10) me zinxhir të mirë transmetimi.

[43] -Referencat janë dhënë më sipër.

[44] – Në “Ez-Zuhd” (180/1).

[45] – Është përmendur më sipër.

[46] – (6128).

[47] – Në “Sahihul Buhari” (3295) dhe “Sahihul Muslim” (2242).

[48] – Bidati është posta e humbjes.

[49] – (324/1).

[50] – “Ez-Zuhd (460). Reth zinxhirit të transmetimit të tij ka shumë diskutime.

[51] – Transmetojnë Ahmedi (297/2), Et-Tirmidhiu (3334), Ibn Maxheh (4244) dhe Ibn Hibani në “I sakti”  me zinxhir të mirë transmetimi.

[52] – El Mutaffifin14.

[53] – Transmeton Ebu Nuejmi në “El-Hiljeh”.

[54] – “El-Musned”  (458/1). Gjithashtu, e transmetojnë Ubu Ja’la (5024), Et-Taberiu  në “El-Eusat”, me zinxhir të mirë transmetimi.. Në “Mexhma Ez-Zeuaid” (192/5), El-Hejthemi thotë: “Transmetuesit e Ahmedit janë të saktë. Transmetuesit e Ubu Ja’lës janë të besueshëm.”

[55] – “Ez-Zuhd” (52).

[56] – “Ez-Zuhd” (165).

[57] – “El-Hiljeh” (215/1).

[58] – “Ez-Zuhd” (56/2).

You may also like...