Ç’punë të mirë mund të bëjë njeriu në këta dy muaj para Ramazanit (Rexhepi dhe Shabani)?

Ç’punë të mirë mund të bëjë njeriu në këta dy muaj para Ramazanit (Rexhepi dhe Shabani)?

Këto dy muajt janë të bereqetshëm për punë të mira dhe përsa i përket Rexhepit, ai është i bereqetshëm sepse është prej muajve të shenjtë të cilët I ka përmendur Allahu I madhëruar në Kuran: “Numri i muajve te Allahu është 12 muaj, në librin e Allahut, atë ditë që ka krijuar qiellin dhe tokën. Katër prej tyre janë të shenjtë. Kjo është feja e drejtë pra mos i bëni në to zullum vetës tuaj.” (Surat Et-Teube: 36).
Profeti -alejhi selam- thotë: “Viti është 12 muaj, katër janë të shenjtë: tre njëri pas tjetrit Dhul-Kade, Dhul-Hixhe, Muharrem dhe (tek është) Rexhepi i Mudarit (dmth: sipas llogaritjes së fisit të Mudarit) i cili është mes Xhumades dhe Shabanit.” Mutefekun Alejhi.

Në muajt e shenjtë shumëfishohen sevapet e punëve të mira po ashtu edhe gjynahet e punëve të këqija dhe prandaj në ajetin e lartpërmendur Allahu i madhëruar porosit të mos u bëjmë zullum vetëve tona me gjynahe.
Thotë ibn Abasi: Gjynahu në këta muaj është më i madh po ashtu edhe sevapi i punëve të mira është më i madh.
Thotë Katade: Padrejtësia në muajt e shenjtë është më me shumë gjynahe sesa në muajt e tjerë.

Pra çdo punë e mirë në këtë muaj shumfishohet shpërblimi i saj ndërsa në lidhje me ndonjë punë specifike nuk është saktësuar gjë nga profeti -alejhi selam- por ka ardhur diçka në lidhje me një kurban në muajin Rexhep siç transmetohet nga Mikhnef bin Suleim se ka thënë: Kur ishim duke qëndruar në Arafat me profetin alejhi selam, ai tha: “O ju njerëz! Për çdo familje në çdo vit duhet një Ud’hije (kurbani i Bajramit) dhe një Atira (kurbani i Rexhepit)” E transmeton Ebu Daudi, Termidhiu, Ibn Maxhe, Nesai dhe e saktëson sheikh Albani.
Këtë hadith disa dijetarë -mes tyre Ebu Daudi- e kanë konsideruar të shfuqizuar se në një hadith tjetër të transmetuar nga Ebu Hurejra thuhet se profeti alejhi selam ka thënë: “Nuk ka as Fer’ë (i vogli i parë që lind një kafshë të cilin e bënin kurban kohën paraislame. Thuhet që e bënin për bereqet por edhe thuhet që e bënin për idhujt) dhe as Atira (kurbani i Rexhepit).” Mutefekun alejhi.
Disa dijetarë të tjerë mes tyre dhe imam Shafiu e kanë gjykuar si të pëlqyeshme kurbanin e Rexhepit se profeti alejhi selam në hadithin e mësipërm nuk ka dashur të tregojë se nuk ka fare kurban në Rexhep por ka dashur të tregojë se nuk është më detyrë kurbani i Rexhepit pasi që islami solli kurbanin e Bajramit.

Ndërsa në lidhje me muajin tjetër që është Shabani bereqeti i tij është te agjërimi sepse është saktësuar nga profeti -alejhi selam- agjërimi si punë specifike e këtij muaji siç transmetohet Usame bin Zeid se e ka pyetur profetin alejhi selam: O i dërguari i Allahut nuk të kam parë të agjërosh në ndonjë muaj prej muajve më shumë sesa në Shaban? Ai tha: “Ai është një muaj që njerëzit shkujdesen ndaj tij është mes Rexhepit dhe Ramazanit. Ai është muaji kur ngrihen punë për te zoti i botëve.”

E transmeton Imam Ahmedi dhe Nesai dhe e saktëson sheikh Albani.

Dr. Abdullah Nabolli

You may also like...