Cila është më e mirë shfaqja apo fshehja e sadakasë?

Cila është më e mirë shfaqja apo fshehja e sadakasë?

I lejohet atij që do të japë sadaka ta shfaqë sadakanë e tij, pavarësisht nëse është farz apo nafile duke mos pasur për qëllim syefaqësinë, por fshehja e saj është më e mirë.

Allahu i madhëruar thotë: (Nëse i shfaqni sadakatë kjo është e mirë, e nëse i fshihni ato dhe ua jepni të varfërve kjo është më e mirë për ju)[1].

Ibën Kethiri -Allahu e mëshiroftë- thotë: “Në të ka argument se fshehja e sadakasë është më e mirë se shfaqja e saj sepse kështu je më larg syefaqësisë por nga shfaqja e saj rezulton dobi më e madhe si p.sh pasimi i njerëzve, prandaj dhe ajo nga kjo anë është më e mirë.

Allahu i madhëruar gjithashtu thotë: (Ata që shpenzojnë pasuritë e tyre natën dhe ditën, fshehurazi dhe haptazi)[2]”.

Transmetohet nga Ebu Hurejra -radiallahu anhu- se profeti -alejhi selam- ka thënë: “Shtatë veta Allahu i fut në hijen e tij atë ditë ku nuk ka hije tjetër veç hijes së tij: Një prijës i drejtë një i ri që është rritur në adhurimin e Allahut, një burrë zemra e të cilit është e lidhur me xhamitë, dy njerëz që janë dashur për hir të Allahut bashkuar për hir të tij dhe ndarë për hir të tij, një burrë të cilin e fton një grua me pozitë dhe bukuri dhe ai thotë: Unë e kam frikë Allahun, një njeri që jep sadaka dhe e fsheh atë derisa nuk e di e majta se çfarë ka shpenzuar e djathta e  tij dhe një njeri që e kujton Allahun në vetmi dhe i lotojnë sytë”[3].

Transmetohet nga Enesi -radiallahu anhu- se ka thënë: “Kur zbriti ky ajet: (Nuk keni për ta arritur mirësinë derisa të jepni prej asaj që e doni (e keni të shtrejtë)) [4]ndërkohë që Allahu thotë: (Kush është ai që i jep Allahut borxh të mirë)[5], Ebu Talha tha: O i dërguar i Allahut, kopshti im që është në këtë vend është për hir të Allahut dhe sikur të kisha mundësi ta fshihja nuk do e kisha publikuar. Atëherë profeti -alejhi selam- i tha: Lëre atë për të varfrit e familjes tënde ata më të afërtit”[6].

Shkëputur nga “Enciklopedia e thjeshtuar e fikhut”

Autor Husejn el Auajshe

Përktheu Teuta Xeka

You may also like...