займы онлайн

Cfarë ndodh me njeriun e mirë?

Njeriut të mirë i shkojnë veçse fjalët e mira, sepse vetëm ato ngjiten lart tek Allahu i Madhëruar. Ai qëndron shumë larg nga shprehjet e ndyra, nga fëlliqja e gjuhës, nga përgojimi, thashethemet, shpifja, dëshmia e rreme e çdo fjalë tjetër e keqe.

Njeriu i mirë pëlqen dhe mësohet veçse me punët më të mira. Për mirësinë e këtyre punëve, natyrshmëria e kulluar e njeriut pajtohet me ligjet profetike, dhe ato i pranon logjika e shëndoshë. Pra, për mirësinë e tyre pajtohen bashkë Sheriati, logjika dhe natyrshmëria e pastër.

Vepra të tilla janë, për shembull: të adhurosh Allahun pa i shoqëruar gjë, t`i japësh përparësi kënaqësisë së Allahut mbi epshet, t’i shprehësh dashuri dhe t’i kushtohesh Atij me gjithë energjitë dhe përpjekjet e tua; të tregohesh bamirës me krijesat e Allahut aq sa ke mundësi, të veprosh me ta ashtu siç dëshiron që ata të veprojnë me ty apo të sillen me ty, dhe t`i lësh të lirë nga ajo që dëshiron që ata t`a lënë të lirë; t`i këshillosh ashtu siç këshillon vetveten, të sillesh me ta me ndershmëri e çiltërsi, ashtu si për veten tënde, t’i gjykosh ashtu sikurse dëshiron të gjykohet për ty, të durosh shqetësimet dhe ngacmimet që ata mund të sjellin dhe, në të njëjtën kohë, të mos i shqetësosh ata; të mos shkelësh nderin e dinjitetin e tyre dhe të mos ua kthesh me të njëjtën monedhë, nëse ata të cenojnë nderin. Nëse shikon diçka të mirë tek ta, e përhap atë, e nëse shikon diçka të keqe, e fsheh atë; të mundohesh t`i justifikosh veprimet e tyre sa të mundesh, pa cenuar Sheriatin e pa kundërshtuar urdhrat apo ndalesat e Allahut.

Të mirit i përkasin gjithashtu cilësitë më të larta morale, më të mirat dhe më të pastrat e tyre, si: maturia, urtësia, qetësia, mëshira, durimi, mbajtja e premtimit, zemërbutësia, dëgjueshmëria, elasticiteti, vërtetësia, sinqeriteti, pastrimi i zemrës prej mërisë, mashtrimeve, inatit, smirës dhe hasedit. Atij i përket modestia, përulja dhe mirësjellja ndaj besimtarëve krenarë, ashpërsia ndaj armiqve të Allahut, ruajtja e fytyrës nga lypja e përulja ndaj dikujt tjetër përveç Allahut, ndershmëria, dëlirësia, trimëria, bujaria, shpirtmirësia, burrëria, e çdo virtyt i lartë, që e pranon si Sheriati, edhe natyrshmëria e pastër me logjikën e shëndoshë.

Njeriu i mirë zgjedh prej ushqimeve më të mirat e tyre, të cilat janë hallallet, qetësueset, të dobishmet, ushqyeset; ato ushqejnë trupin dhe shpirtin, pa patur efekte anësore.

Prej lidhjeve seksuale zgjedh veçse më të mirën, më të këndshmen, më të pastërtën dhe më të ndershmen. Prej parfumeve, zgjedh më të mirin e tyre, prej shokëve, miqve dhe bashkëbiseduesve zgjedh përsëri më të mirët e tyre.

Shpirti i besimtarit është i mirë, trupi i mirë, sjellja e mirë, vepra e tij e mirë, fjala e mirë, ushqimi i mirë, pija e mirë, veshja e mirë, lidhja seksuale e mirë, vendhyrja e mirë, vendalja e mirë, banesa e tij e mirë dhe vendqëndrimi i tij përfundimtar i mirë . Për të Allahu i Madhëruar thotë: “Ata të cilëve melekët ua marrin shpirtin duke qenë të mirë e të pastër, duke thënë: “Selamun alejkum! Hyni në Xhenet, si shpërblim për veprat që keni kryer!” (Nehl 32).  Ndërsa rojet e Xhenetit u thonë: “Paqja qoftë mbi ju! Ju punuat mirë, prandaj hyni këtu, për të banuar në të përgjithmonë!” (Zumer 72).  Domethënë, për shkak të mirësisë suaj, hyni në Xhenet.

Allahu i Madhëruar thotë: “Të këqijat janë për të këqijtë dhe të këqijtë janë për të këqijat. Të mirat janë për të mirët dhe të mirët janë për të mirat.” (Nur 26).  Ajetit i është dhënë kuptimi: fjalët e këqija janë për të këqijtë, e fjalët e mira janë për të mirët, si edhe: gratë e mira janë për burrat e mirë, e gratë e këqija janë për burrat e këqij. Në të vërtetë, ajeti i përfshin këto dy kuptime, por edhe kuptime të tjera. Kështu, fjalët, veprat dhe gratë e mira janë për të mirët, sepse atyre u përshtaten; fjalët, veprat e gratë e këqija janë për të këqijtë, sepse atyre u përshtaten. Allahu i Madhëruar e vendos të mirën të tërë në Xhenet, e të keqen tërësisht në Zjarr.

IBN KAJJIM EL XHEUZIJJE
Zadul Mead

You may also like...