Ademi, babai i njerëzimit.

Allahu ishte (pa fillim) dhe para Tij nuk ekzistonte asgjë dhe në pafundësi Ai vepron gjithçka që dëshiron. Asnjë moment dhe asnjë kohë, nuk është e zbrazur nga veprimet dhe fjalët që jepen dhe dalin nga vullneti dhe dëshira e Tij, ashtu siç e kërkon urtësia e Allahut, të cilit i atribohet kjo cilësi (Urtësia) në cdo gjë që paracakton dhe gjykon. Kjo (Urtësi) është e dukshme edhe në dispozitat që ka ligjëruar për robërit e Tij.

Në momentin kur Urtësia e Tij e plotë, Dija gjithëpërfshirëse dhe Mëshira e gjerë e kërkoi (një krijim të ri), Ai krijoi Ademin babain e njerëzimit. Një krijesë të cilën Allahu e ka nderuar në mesin e shumë krijesave të tjera. Ai (Allahu), i njoftoi Engjëjt duke u thënë: “Unë do të krijoj një mëkëmbës (që do të zbatojë ligjet e Zotit) në tokë” [El Bekare 30]. Që do të trashëgojë krijesat që qenë më parë, krijesa të cilat nuk i di askush veç Allahut.

Ata (Engjëjt) i thanë: “A do të vësh atje dikë që do të bëjë çrregullime e do të derdhë gjak në të.” [El Bekare 30]. Këto fjalë (Engjëjt) i thanë në shenjë madhërimi dhe nderimi ndaj Allahut, për të kuptuar se mos do të krijohet një krijesë e cila u ngjan në sjellje disa krijesave të mëhershme. Ose mundet që Allahu tu ketë treguar për krijimin e Ademit dhe veprimet që kanë për të bërë pasardhësit e tij.[1]

Por Ai (Allahu) u tha Engjëjve: “Unë di atë që ju nuk e dini” [El Bekare 30].

Dija e Tij është gjithëpërfshirëse, madje për të gjitha ato dobi të panumërta që rezultojnë në krijimin e kësaj krijese (njeriut). Ai i njoftoi për dijen e Tij të plotë dhe se u kërkohet të njohin atributet e Tij, dijen e gjerë dhe urtësinë e cila aludon në faktin se Ai nuk krijon  kotësi dhe nuk krijon asgjë pa urtësi.

Më pas u tregoi në mënyrë të detajuar: Se atë (Ademin) e krijoi me Dorën e Tij për ta vlerësuar mbi çdo krijesë tjetër. Ai mori një grusht nga të gjitha shtresat e tokës, pjesës së butë dhe të frotë, të mirës dhe të keqes ku edhe pasardhësit do të ridhnin në këto (tabiate) natyra.

Fillimisht (Ademi) ishte dhe’, pastaj mbi të hodhi ujë që e shndërroi në baltë. Kur afati i qëndrimit të ujit mbi baltë zgjati, balta ndryshoi dhe u kthye në një baltë të zezë pa formë. Më pas (balta e zezë) u tha pasiqë ia kishte dhënë formën dhe u bë si baltë e pjekur e cila tingëllon. Në këto etapa ai (Ademi) ishte trup pa shpirt dhe kur u plotësua krijimi i trupit, Ai i fryu shpirtin dhe ky trup që ishte i ngurtë, u bë krijesë e gjallë, me eshtra, me mish, nerva, damarë dhe me shpirtë. Kjo është zanafilla e njeriut, të cilin Allahu e pajisi me çdo njohuri dhe mirësi.

Më tej, ia plotësoi mirësinë (Ademit) duke i mësuar emrat e të gjitha sendeve dhe siç dihet, njohuritë e plota janë tregues për përsosmëri dhe morale të plota.

Por, Allahu deshi që Engjëjt ta shihnin përsosmërinë e kësaj krijese dhe emrat e atyre sendeve ua prezantoi engjëjve duke u thënë: “Më tregoni emrat e tyre, nëse ajo që thoni është e vërtetë!” [El Bekare 31].

Në përmbajtjen e fjalëve tuaja të para që nënkuptonin se mos krijimi i këtij njeriu është më parësorë, në fakt erdhi  për shkak të asaj  që iu duk atyre (engjëjve) në ato momente. E megjithatë, engjëjt e patën të pamundur njohjen e emrave të këtyre sendeve dhe thanë: “Qofsh i lavdëruar! – thanë ata – Ne dimë vetëm atë që na ke mësuar Ti. Në të vërtetë, Ti je i Gjithëdituri, i Urti.” [El Bekare 32].

Allahu i Lartësuar tha: “O Adem, – tha Ai – ua trego atyre emrat e gjërave!” Kur ai ua tregoi emrat e tyre…” [El Bekare 33].

Engjëjt e dëshmuan përsosmërinë dhe njohuritë e kësaj krijese dhe gjëra të tjera që nuk i prisnin. Panë dhe mësuan në formë të detajuar, urtësinë e plotë të Allahut dhe e nderuan Ademin në skajet më të larta. Allahu deshi ta shfaqte nderimin dhe respektin që Engjëjt i bënë Ademit si në aparencë ashtu dhe në brendësitë e tyre dhe u tha: “Përuluni në sexhde para Ademit” [El Bekare 34]. Përuluni në shenjë respekti dhe nderimi si dhe në shenjë adhurimi bindje dashurie dhe nënshrimi ndaj Zotit tuaj.

Ata të gjithë nxituan dhe u përulën në sexhde. Iblisi që ishte mes tyre dhe që i ishte dhënë urdhëri për t’u përulur bashkë me engjëjt, edhe pse nuk ishte prej llojit të tyre (engjëjve) por ishte prej xhindëve i krijuar nga zjarri pa tym, e mbante fshehur mohimin ndaj Allahut dhe smirën që kishte për këtë njeri të cilit Allahu i kishte dhënë këto mirësi.

Mendjemadhësia dhe mohimi e shtynë (iblisin) që të mos përulej para Ademit, duke e mohuar Allahun në njërën anë dhe duke treguar mendjemadhësi në anën tjetër.[2]

Ai nuk u mjaftua me mos pranimin e urdhërit, por shfaqi edhe kundërshtinë ndaj Zotit duke e shfaqur të mangët urtësinë e Tij e duke thënë: “Unë jam më i mirë se ai. Mua më krijove nga zjarri, kurse atë e krijove nga balta.” [A’rafë 12].

Allahu i tha: “O Iblis, ç’të pengoi ty që të mos përuleshe në sexhde para atij që e kam krijuar Vetë me duart e Mia? A mos u bëre mendjemadh apo mendon se je nga të lartët?” [Sad 75].

Ky mohim, kjo mendjemadhësi, ky refuzim dhe kjo armiqësi e madhe, qenë arsyeja që ai (iblisi) të ishte i përzënë dhe i mallkuar.

Allahu i Lartësuar i tha: “Atëherë, zbrit prej andej (Xhenetit)! Ti nuk ke të drejtë që të krenohesh në të! Shporru, me të vërtetë, ti je prej të poshtëruarve”. [Arafë 13].

I poshtri, nuk iu nënshtrua Zotit dhe as që u pendua tek Ai, por u kthye me arrogancë dhe u tregua kokëfortë në armiqësinë ndaj Ademit dhe pasardhësve të tij. Ai e vuri veten në dispozicion të plotë – sidomos kur pa se ishte vulosur mjerimi i përhershëm i tij-  që ti ftojë pasardhësit e Ademit, me fjalë, me vepra dhe me ushtrinë e tij, derisa të bëhen palë me të, për të cilën është përgatitur vendi i zjarrit.

Ai (Iblisi) tha: “O Zoti im, më jep afat deri në ditën kur do të ringjallen ata!” [Sad 79]. Me qëllim që të ishte më i angazhuar dhe armiqësisë ndaj Ademit dhe pasardhësve të tij ti japë maksimumin që i takon.

Meqenëse urtësia e Zotit ishte që njeriu të ketë përbërje dhe natyra të ndryshme, pra morale të mira dhe të këqia, duhej patjetër të dalloheshin dhe të infiltroheshin (këto morale) me anë të paracaktimit të shkaqeve, siç është edhe sprovimi. E siç dihet sprovimi më i madh do të ishte mundësia që i jepet këtij armiku për ti ftuar (njerëzit) në cdo të keqe.

Allahu i Lartësuar  iu përgjigj duke i thënë: Zoti tha: “Në të vërtetë, ty do të të jepet afat deri në një ditë të caktuar (kur i fryhet Surit për herë të parë)”. [Sad 80-81].

Ai i tha Zotit duke e shprehur kundërshtinë ndaj Tij dhe armiqësinë ndaj Ademit dhe pasardhësve të tij: “Ai tha: “Për shkak se Ti më flake tej, unë do t’u zë pritë njerëzve në rrugën Tënde të drejtë e do t’u qasem atyre nga përpara dhe nga mbrapa, nga e djathta dhe nga e majta, e kështu Ti do të vëresh se shumica prej tyre nuk të janë mirënjohës!” [A’rafë 16-17].

Ai i shprehu këto fjalë nga hamendja e tij, sepse e dinte në çfarë natyre ishte krijuar njeriu: “Me të vërtetë, hamendja e Iblisit për ata u vërtetua; ata shkuan pas tij, përveç një grupi besimtarësh të vërtetë..” [Sebe 20].

Allahu ia mundësoi iblisit atë që kërkonte tek Ademi dhe pasardhësit e tij dhe i tha: “(Allahu) tha: “Ik! Kushdo prej tyre që të pason ty, do të ketë Xhehenemin si shpërblim – një shpërblim i plotë. Bëj për vete, me zërin tënd, kë të mundesh nga ata! Lësho kundër tyre të gjithë kalorësinë e këmbësorinë tënde! Bëj pjesë në pasurinë e fëmijët e tyre dhe jepu premtime! -Premtimet e djallit janë vetëm mashtrime.” [Isra 63-64]. 

Që do të thotë: Nëse ia arrin, atëherë bëji të devijojnë në edukimin e fëmijëve të tyre në edukim të dëmshëm. Ndërsa pasuritë, bëji ti shpenzojnë dhe ti fitojnë në mënyra të dëmshme. Gjithashtu bëj pjesë mes tyre kur hanë pinë apo martohen dhe nuk e përmendin emrin e Allahut në këto pasuri dhe fëimjë që kanë. “Dhe Jepu premtime”, pra urdhëroi që të përgënjeshtrojnë ringjalljen dhe gjykimin dhe të mos avancojë për të mira. Bëji që të kenë frikë nga të dashurit (ndjekësit) e tu dhe frikësoi atëherë kur duhet të japin në dobi dhe nxiti për (vepra) të irrituara dhe kopraci. Ky ishte vendimi i Allahut, për shkak të shumë urtësive (që vijnë më pas).

Ndërsa ti, o armik i hapur! Nuk do të jesh gjithmonë i mundshëm në devijimin e tyre. I keqi, ka për ta shfaqur të keqen e tij dhe do të njihet. Ndërsa Allahu nuk e përfillë e as që meret me të.

Ndërsa njerëzit e zgjedhur të pasardhësve, Profetët dhe ndjekësit e gjurmëve të tyre, të sinqertët, të pastërtit, gjeneratat e njerëzve të dashur tek Zoti dhe besimtarët: Për të gjithë këta, Allahu nuk e lejon këtë armik që tu kundërvihet. Përkundrazi, atyre u ngriti një fortifikatë të pa përshkueshme, e ajo është  mbrojtja dhe ndihma e Tij. Ai i furnzoi me armë të cilave nuk mund tu bëjë ballë armiku, besimin e plotë në Allahun dhe forcën e mbështetjes tek Ai. “Sepse, në të vërtetë, djalli nuk ka kurrfarë pushteti mbi ata që besojnë dhe mbështeten tek Zoti i tyre.” [Nahl 99].

Për më tepër, Ai i ndihmoi (besimtarët) që t’i bëjnë ballë këtij armiku nëpërmjet disa mënyrave:

– Solli tek ata librat e Tij, që përmbajnë njohuri të dobishme, këshillat ndikuese nxitje për vepra të mira dhe qortime nga veprat e këqia.

– Dërgoi në mesin e tyre Pejgamberë, përgëzues për ata që besojnë dhe i binden Allahut me shpërblime të shpejta. Qortues ndaj atyre që mohojnë, përgënjështrojnë dhe u kthejnë kurrizin (argumenteve), me dënime të shpejta dhe të ndryshme. Atyre që ndjekin udhëzimin përmes librave që solli dhe Pejgamberëve që dërgoi, u siguroi se nuk kanë për të humbur në këtë botë dhe nuk do të  mjerohen në botën tjetër. Të tillët nuk do të kenë frikë dhe as që do të pikëllohen.

– Në librat që u solli  dhe nëpërmjet fjalëve të Pejgamberëve, i udhëzoi drejt gjërave nëpërmjet të cilave mund të mbrohen nga ky armik i qartë. Ai (Allahu) ua sqaroi gjërat tek të cilat fton ky djall dhe mënyrat që ai përdor për ta gjuajtur këtë krijesë.

– Jo vetëm që ua sqaroi,  por për më tepër u tregoi edhe rrugën me të cilën shpëtojnë nga e keqja dhe sprovat e tij.  Më shumë se kaq, i ndihmoi me ndihmë të paracaktuar Hyjnore që ishte jashtë mundësisë së tyre. Në momentin kur dhanë gjithçka dhe kërkuan ndihmën e të Adhuruarit (Allahut), Ai ua lehtësoi të gjitha rrugët që shpien drejt qëllimit.

Allahu i Lartësuar e plotësoi edhe më tej mirësinë ndaj Ademin duke krijuar për të bashkëshorten, Hauanë, që do të ishte prej llojit të tij dhe në formën e tij. E gjithë kjo, që të gjente prehje (tek ajo), të plotësoheshin qëllimet e ndryshme të martesës dhe afrimitetit dhe pas tyre të vinin edhe pasardhësit.

Ai (Allahu) i tha Ademit dhe bashkshortes së tij: Vërtet shejtani është armiku juaj, prandaj kini shumë kujdes prej tij, që të mos u nxjerrë nga xheneti ku u vendosi Allahu (të qëndroni). Ai u lejoi që të ushqeheni me gjithçka dhe të shijoni të gjitha kënaqësitë e tij me përjashtim të nje peme të caktuar që gjendet në xhenet të cilën ua ndaloi dhe u tha: “ Por mos iu afroni kësaj peme, se bëheni keqbërës!” [Arafë 19].

Allahu i Lartësuar duke i treguar Ademit se si mund ti gëzojë kënaqësitë  e xhenetit i thotë: Këtu nuk do të mbetesh kurrë as i uritur e as i zhveshur, dhe nuk do të kesh as etje, as vapë.” [Taha 119].

Ata të dy qëndruan në xhenet aq sa deshi Allahu, ashtu siç ua përmendi (në ajetin e mësipërm), ndërsa armiku (iblisi) i përgjonte, u rrinte në pritë dhe priste rastin e volitshëm. Kur e pa gëzimin e Ademit në këtë xhenet dhe dëshirën e tij të zjarrtë që të qëndronte gjithmonë aty,  iu  afrua  në një mënyrë tinzare, në formën e një shoku këshillues dhe i tha: O Adem! A të tregoj për një pemë, që nëse ushqehesh prej saj do të jetosh përjetë në këtë xhenet dhe mbretërimi yt nuk do të zhduket asnjëherë.

Ai (iblisi) i vazhdoi cytjet e tij, ua zbukuronte këtë vepër dhe u jepte premtime. Madje u jepte këshilla të hapura që në fakt ishin mashrimi më i madh, derisa i mashtroi dhe filluan të hanin nga kjo pemë që Allahu ua kishte ndaluar dhe i kishte privuar prej saj. Kur hëngrën prej saj, pjesët e turpshme të trupit filluan tu shfaqeshin, pasiqë ishin të mbuluara dhe nxituan t’i mbulonin trupat e tyre me gjethet e xhenetit. Pra i ngjisnin në trupat e tyre të zhveshur, që të ishin në vend të rrobave që u ranë para syve dhe në moment u shfaq dënimi i mosbindje së tyre . “Zoti i tyre i thirri: “A nuk jua kisha ndaluar atë pemë? A nuk ju pata thënë se djalli është vërtet armiku juaj i hapët?” [A’rafë 22].

Allahu i Lartësuar, në zemrat e atyre dyve hodhi pendimin e plotë dhe kthimin e sinqertë tek Ai: “Ademi mësoi disa fjalë (se si të kërkonte falje) nga Zoti i tij, kështu që Ai ia pranoi pendimin.” [El bekare 37].

 “Ata thanë: “O Zoti ynë! Ne e kemi futur veten në gjynah, prandaj, nëse Ti nuk na fal dhe nuk na mëshiron, ne vërtet që do të jemi nga të humburit”. [A’rafë 23].

Allahu ua pranoi pendimin, ua fali mëkatin që bënë, por çështja për të cilën i këshilloi që kenë kujdes (pema e ndaluar) dhe që aludonte në daljen prej atij xheneti, ishte vendosur dhe kishte marë fund. Kështu u larguan prej aty për në tokë, aty ku ishte përzier e mira me të keqen, gëzimi me pikëllimin dhe lodhjen.

Allahu u tregoi se ka për ti sprovuar patjetër ata dhe pasardhësit e tyre. Ai që beson dhe bën vepra të mira, përfundimi (vendi) i tij do jetë më i mirë se ai ku jetuan (ishin) më parë. Ndërsa ai që përgënjështron dhe zbrapset nga besimi, përfundimi i tij do jetë mjerimi i përhershëm dhe dënimi i përjetë.

Allahu i Lartësuar ua tërhoqi vërejtjen pasardhësve të Ademit nga ky armik duke u thënë: “O bijtë e Ademit, le të mos ju mashtrojë kurrsesi djalli, ashtu si i nxori prindërit tuaj nga Xheneti, duke ua zhveshur rrobat për t’u dukur vendet e turpshme! Ai dhe shpura e tij ju sheh, prej nga ju nuk i shihni ata. Ne i kemi bërë djajtë roje të atyre që nuk besojnë.” [A’rafë 27].

Atë rrobë, që shejtani hoqi nga dy prindërit tanë (në xhenet) e zëvendësoi me një rrobë tjetër që mbulon lakuriqësinë dhe arrihet bukuria e jashtme në këtë botë dhe një rrobë tjetër më të vlefshme, atë të devotshmërisë. Ajo është rroba e zemrës dhe e shpirtit, besimit, siqeritetit, pendimit dhe zbukurimit me çdo moral të mirë dhe distancimit nga çdo moral i keq dhe i ulët.

Më pas, nga Ademi dhe bashkëshortja e tij, Allahu krijoi shumë meshkuj e femra, i shpërndau nëpër tokë dhe i la të trashëgojnë njëri-tjetrin dhe tii shohë se si kanë për të vepruar.

“Historitë e Profetëve” shejh Abdurrahman es Seadi (Allahu e mëshiroftë!).

Përktheu: Fatjon Isufi.

[1] Hafidh ibn Kethir (Allahu e mëshiroftë) thotë: Ai u tregoi për të vënë në dukje krijimin e Ademit dhe pasardhësve të tij, ashtu siç ndodh kur jetet njoftim për një cështje të madhe para se ajo të ndodhë. Enjëjt pyetën si për të zbuluar dhe për të ditur urtësinë e këtij krijimi dhe jo për ta refuzuar apo për ta quajtur të mangët njeriun, apo në shenjë smire, sic mund ta mendojnë disa injorantë që mundohen të komentojnë Kur’anin.” [El Bidaje uen Nihaje 1/70-71].

[2] Allahu i Lartësuar tha: Kur u thamë engjëjve: “Përuluni në sexhde para Ademit”, ata u përulën, përveç Iblisit. Ai ishte një nga xhindet dhe nuk iu bind urdhrit të Zotit të vet.” [Kehf 50]. Hafidh ibn Kethir (Allahu e mëshiroftë thotë: “Dmth u zbraps nga bindja dhe zbatimi i urdhërit të Allahut qëllimisht nga inati dhe mendjemadhësia. Nuk kishte si të ndodhte ndryshe, sepse lloji i tij i ndyrë e tradhëtoi në momnetet kur kishte më shumë nevojë për të, sepse ai është i krijuar nga zjarri. Sic e kemi sqaruar edhe më parë, ne sahihun e Muslimit nga Aisha (Allahu qoftë i kënaqur me të) e cila përcjell se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Engjëjt u krijuan nga drita, ndërsa xhindët u krijuan nga zjarri dhe Ademi u krijua nga ajo që u është cilësuar (dheu).” [El Bidaje uen Nihaje 1/72-73].

You may also like...