8 mrekullitë e dhënies së lëmoshës

Vlerat e sadakasë janë të shumta në aspektin shpirtëror dhe atë material, në këtë botë dhe në tjetrën. Por kjo vepër, në kohë të caktuara, në rrethana dhe kushte të caktuara, në lidhje me kategori të veçanta, merr një kuptim akoma më të rëndësishëm, dobia e saj është më e madhe dhe shpërblimi i saj është më i mirë.

1) Gjëja e parë që lidhet me sadakanë është dhënia e saj fshehurazi. Kjo për vetë faktin se në këtë mënyrë është më afër sinqeritetit dhe pastërtisë së nijetit.

Allahu thotë: “Nëse i jepni sadakatë haptazi kjo është e mirë por nëse i jepni ato fshehurazi tek të varfrit, kjo është akoma më e mirë për ju” (Bekarah 271). Pra, çdo vepër e sinqertë është e pranuar, qoftë  e kryer fshehurazi apo haptazi, por preferohet që sadakaja më mirë të jepet fshehurazi sepse në këtë mënyrë sinqeriteti është më i lartë  dhe eliminon mundësinë e ngacmimit të shejtanit nëse do e shihnin të tjerët dhe do e lavdëronin. Sidoqoftë nëse dhënia haptazi  në raste të caktuara ndikon për të nxitur të tjerët që të japin, padyshim që është gjë e mirë, duke u bërë  sebep që dhe të tjerët të kontribuojnë. Në përgjithësi dijetarët kanë një rregull: Çdo vepër e obligueshme preferohet të kryhet haptazi, në bashkësi, ndërsa çdo vepër vullnetare preferohet më shumë që të kryhet veçmas, fshehurazi, siç tha Profeti salallahu alejhi ue selem: “Saqë të mos dijë e majta se çfarë dha e djathta” (Buhariu 3/364), pra e jep dhe nuk kthehet më prapa të shohë, as nuk ndalon që të presë lëvdata dhe falënderime, siç thotë Allahu duke na treguar për sjelljen e duhur: “Ne po ju ushqejmë për Allahun, nuk duam prej jush shpërblim dhe as falënderim” ( Insan 9).

Ibnul Kajjimi në lidhje me ajetin e mëparshëm (të sures Bekarah) tha:

Medito në faktin se si Allahu e specifikoi fshehjen me sadakanë që u jepet të varfërve, sepse ka sadaka që nuk mund të fshihet si p.sh: ndërtimi i një ure, hapja e një pusi, etj. Ndërsa dhënia e sadakasë fshehurazi tek të varfrit ka dobi të shumta: Nuk e vë në siklet të varfrin para njerëzve që ta ndjejë veten të demaskuar dhe të poshtëruar, nuk e shfaq para njerëzve se ai është dora e ulët që merr dhe si pasojë njerëzit nuk  e vlerësojnë dhe nuk  kanë raporte të barabarta me të në sjellje. E gjithë kjo është shtesë përveç faktit që bamirësi ruan sinqeritetin, shpëton nga syefaqësia dhe dëshira për tu lavdëruar.

2) Sadakaja që jepet në kohë shëndeti dhe force, është më e mirë se sadakaja në kohë sëmundje ose kur ndjen se do vdesë apo amanetet për sadaka pas vdekjes. Profeti salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Sadakaja më e mirë është ajo që jepet kur ti je i shëndetshëm dhe koprrac, e do pasurinë dhe ia ke frikën varfërisë, dhe mos e vono derisa të të vijë shpirti në fyt dhe të fillosh e të thuash: Jepini filanit kaq dhe jepini tjetrit aq, kur diçka e tillë u takonte që me kohë” (Transmeton Buhariu nr 1419 dhe Muslimi). Pra, duhej tu kishte dhënë atyre që më përpara sepse e meritonin për shkak të varfërisë.

3) Sadakaja që jepet pas kryerjes së obligimeve, pra pasi të ketë dhënë  zekatin, pasi të ketë përmbushur nevojat familjare dhe përkujdesjen për prindërit. Allahu thotë: “Të pyesin ty: Çfarë të japim? Thuaj:Tepricën” (Bekarah 219)

Profeti salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Nuk ka sadaka më të vlefshme se ajo që jepet nga njeriu që ka pasuri”( Transmeton Buhariu 1426, Nesaiu 2534, e saktësoi Albani), pra  ai i cili ka plotësuar nevojat e veta, sepse nuk është e arsyeshme që të ketë prindërit apo fëmijët apo bashkëshorten që kanë nevojë për ushqim apo ilaçe dhe ndërkohë ndihmon të tjerët, siç thotë Profeti salallahu alejhi ue selem: “Filloje me ata që ke nën përgjegjësi” ( Transmeton Nesaiu 2534, e saktësoi Albani).

4) Megjithatë ka raste kur njeriu , megjithëse  nuk  është me pasuri  apo ka mangësi në plotësimin e nevojave të tij, ka dëshirën e flaktë që të kontribuojë, të japë diçka, e cila megjithëse të varfrin nuk e nxjerr nga varfëria por bamirësit i mundëson të përjetojë kënaqësinë e bamirësisë, të rezervojë për veten një vepër të sinqertë dhe me dëshirë të zjarrtë, e cila nuk do të vlerësohet sipas sasisë por sipas çiltërsisë. Mund të jetë e pakët në sasi por me vlerë të pamasë tek Allahu. Profeti salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Sadakaja më e mirë është sakrifica e atij që ka pak gjë” (Transmeton Nesaiu 2526, Ibn Haxheri në Fet-hul Barij 3/374.E saktësoi Albani)  dhe tha: “Një dirhem është më i vlefshëm se njëqind mijë dirhem. Sahabët të habitur thanë: E si është e mundur kjo? Tha: “Një person kishte vetëm dy dirhemë, e dha sadaka njërin prej tyre, ndërsa një tjetër shkoi tek pasuria e tij e shumtë, mori prej saj njëqind mijë dirhem dhe i dha sadaka” (Transmeton Nesaiu nr 2527. Albani e konsideroi hasen).

Imam Begauiu ka thënë: “Preferohet që njeriu të japë sadaka nga pasuria më e mirë që posedon, por në të njëjtën kohë të mbajë për veten dhe familjen e tij atë që i nevojitet, që të mos i frikësohet varfërisë, si dhe që të mos pendohet më pas për atë që bëri, duke e çuar dëm bamirësinë e tij dhe duke ngelur më pas i varur nga njerëzit. Profeti salallahu alejhi ue selem nuk e qortoi Ebu Bekrin që dha sadaka të gjithë pasurinë e tij për shkak të besimit të lartë, bindjes së thellë dhe mbështetjes të fortë tek Allahu, saqë nuk i frikësohej rrizkut dhe varfërisë, siç mund të ndodhë me të tjerët kjo frikë. Ndërsa dhënia e sadakasë kur familja e tij ka nevojë apo mund të ketë borxhe, nuk është me vend sepse larja e borxhit apo shpenzimi për familjen është më parësore, përveçse tek njerëzit me besim të lartë, të mirënjohur për durim, siç ishte rasti i Ebu Bekrit apo ensarët që i dhanë përparësi muhaxhirëve, gjë për të cilën Allahu i lavdëroi duke thënë: “ Dhe u japin përparësi ndaj vetes së tyre megjithëse janë dhe vetë të nevojshëm” (Hashr 9) (Këtë lloj shpjegimi e gjen dhe tek Fet-hul Barij 3/372-374)

5) Shpenzimi për bashkëshorten dhe fëmijët, Profeti salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Shpenzimet që njeriu i bën për familjen duke shpresuar me to shpërblimin, i konsiderohen sadaka” (Transmeton Buhariu 5351 dhe Muslimi) dhe tha: “Dinarët (të hollat) e shpenzuar sadaka janë katër (llojesh):Dinari i shpenzuar që i jepet një të varfëri, dinari që i jepet për lirimin e robërve, dinari i cili jepet në rrugë të Allahut dhe dinari i shpenzuar për familjen tënde. Më i miri i këtyre dinarëve është dinari që njeriu shpenzon për familjen” (Transmeton Muslimi ,Tirmidhiu 1966 dhe Ibn Maxheh 2860, me saktësimin e Albanit).

6) Sadakaja e dhënë tek të afërmit. Profeti salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Sadakaja ndaj të varfrit është njëherë sadaka, ndërsa ndaj të afërmit është dy herë: Është sadaka dhe mbajtje e lidhjeve familjare” (Transmeton Buhariu 1466, Nesaiu 2582,Tirmidhiu 658, e saktësoi Albani)

7) Sadakaja ndaj fqinjit. Allahu thotë: “Silluni mirë me fqinjin e afërt dhe atë të largët” (Nisa 36). Profeti salallahu alejhi ue selem i tha Ebu Dherrit : “Kur të gatuash gjellë, shtoje ujin në të ashtu që t`i japësh dhe fqinjit tënd” (Transmeton Muslimi)

8- Sadakaja e rrjedhshme. Bëhet fjalë për atë sadaka, vlera e së cilës mbetet në vazhdimësi, prej së cilës përfitohet në mënyrë të vazhdueshme, që do të thotë se edhe shpërblimi është i tillë: i vazhdueshëm, që shumohet kohë pas kohe. Profeti salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Kur njeriu vdes , i ndërpriten veprat e tij, përvecse nga tre gjëra: Sadakaja e rrjedhshme, dituria e dobishme prej së cilës përfitohet dhe një fëmijë  i mbarë që lutet për të” (Transmeton Muslimi). Kjo sadaka merr rëndësinë e saj të veçantë për vetë faktin se përfitimi prej saj është në dobi të bashkësisë, pra nuk përfiton një individ i vetëm por një grup njerëzish. Më poshtë do të përmendim disa nga shembujt e sadakasë së rrjedhshme,shembuj  të cilët janë transmetuar nga Profeti salallahu alejhi ue selem me hadithe të sakta.

a) Hapja e puseve, ofrimi i ujit për pirje dhe mundësimi i kushteve për ujitje. Profeti salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Nga sadakaja më e vlefshme është ofrimi i ujit (për shuarjen  e  etjes)” ( E saktësoi Albani në Sahihu et-Tergib 1380)  dhe tha: “Kush hap një pus nga i cili pi ujë cdo gjë e gjallë: njeri, xhin, ose shpend, do shpërblehet për të Ditën e Gjykimit” (E saktësoi Albani në Sahihu et-Tergib 1381).

b) Ofrimi i ushqimit. U pyet Profeti salallahu alejhi ue selem: “Cili është islami më i mirë? Tha: “ T`i ofrosh ushqim dikujt, si dhe të përshëndesësh me selam atë që njeh dhe atë që nuk e njeh” (Transmeton Buhariu dhe Muslimi.Sahihu et-Tergib 1346) dhe tha: “Më të mirët tuaj janë ata që ofrojnë ushqim për të ngrënë” (E saktësoi Albani në Sahihu et-Tergib 1351).

c) Ndërtimi i një xhamie. Profeti salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Kush ndërton një xhami qoftë dhe sa një kotec pulash, Allahu do i ndërtojë atij për këtë, një shtëpi në xhenet” (E saktësoi Albani në Sahihu et-Tergib).

d) Shpenzimet për përhapjen e diturisë, shpërndarjen e Kuranëve, ndërtimin e bujtinave për ata që nuk kanë ku të flenë apo që kanë ngecur në rrugë apo përkujdesja për jetimët. Profeti salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Nga gjërat që i vazhdojnë shpërblimet besimtarit edhe pas vdekjes janë:Dituria që ua ka mësuar të tjerëve apo që e ka shpërndarë atë ose një fëmijë i mbarë që lë pas ose një Kuran që ia trashëgon dikujt ose një xhami që e ndërton ose një bujtinë për të mbeturit në rrugë ose kanal uji ose një sadaka e rrjedhshme e dhënë në jetën dhe shëndetin e tij, shpërblimi i së cilës vazhdon t`i shkojë dhe pas vdekjes” (Transmeton Ibn Maxheh nr 242, Albani e konsideroi hasen).

E lusim Allahun të na japë sukses për vepra të mira dhe të na bëjë prej robërve të Tij të sinqertë.

Përmblodhi dhe përshtati: Shuajb Rexha

You may also like...